A na duhet Ministria e Diasporës?
Nga Sadedin Çeliku – Shqipëria edhe pse qeveris me pak ministri, ende ka shumë drejtori të përgjithshme dhe agjenci, pra ka një strukturë, organigramë dhe një administratë publike aq sa ka një vend me 10 milionë banorë, tepër të fryrë dhe që nuk ofron efektivitet. Me sa duket Kryeministri, i cili njihet si bamirës me paratë e taksapagueseve ju bën qejfin të gjithëve, madje dhe atyre që njihen publikisht si të paaftë. Kjo është një arsye që performanca e qeverisë është e dobët, e për rrjedhojë rezultatet janë të pakënaqshme.
Ndër ministritë e lënë pas dore, që trajtohet si kusur e lëmoshë për partitë e koalicionit është ajo e Ministrisë Punës dhe e Mirëqenies Sociale. Kryeministrat njëri pas tjetrit tallen me emrat e dikastereve. Zoti Berisha e bëri Ministria e Punës dhe Shanseve të Barabarta, kurse Edi Rama ja vuri Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale. Shkurt tallen me votën që ju jep populli se ai e di mirë që s’kanë as shanse të barabarta në këtë vend, por as nuk sigurohet mirëqenie për shumicën e popullit.
Kjo ministri deri tani në gati 25 vjetët e fundit ka qëndruar në hije dhe puna e saj mendoj se meriton të analizohet.
Nuk reduktohet varfëria dhe nuk ka strategji për reduktimin dhe masave për caktimin e minimumit jetik.
Papunësia ka 25 vjet që raportohet në shifra të njëjta, nuk është bërë gjë për punësimin që sipas reporterëve të huaj, papunësia në Shqipëri shkon mbi 30 për qind. Kjo shifër ka bërë që të rritet krimi i organizuar, vjedhjet, trafiqet etj..
Ndihma ekonomike jepet si lëmoshë dhe me vlerën që jepet nuk mund të përballosh as dy ditë me bukë. Njerëzit dhe familjet në nevojë janë rritur dhe akoma vazhdohet me koncepte primitive me ndihma në ushqime e veshmbathje të dhëna nga organizatat jo fitimprurëse.
Informaliteti në ekonomi, biznesin e vogël e të madh pothuajse nuk kontrollohet nga Inspektorati i Punës. Institucionet rezidenciale si shtëpi pleqsh, shtëpi fëmijësh, qendra handikapësh mendor e fizik, janë bërë për të qarë hallin etj.
Meqenëse kjo ministri nuk na ofron gjë, ose duhet rikonceptuar në funksion të problemeve e plagëve sociale që ka shoqëria shqiptare ose do bërë një ministri që krahas problemeve që kemi, të merret dhe me shqiptarët e diasporës ose të krijohet një ministri enkas për këtë grup të madh njerëzish.
Shikoni Serbinë e krijoi vetëm për 120 mijë shqiptarë që banojnë në zonën e Mitrovicës. Por dhe Kosova me një emigracion disa here më pak se Shqipëria e kanë atë ministri. Por ka dhe eksperienca të vendeve të tjera të ngjashme.
Shqipëria sipas burimeve jo zyrtare ka 4, 5 milionë banorë, Kosova rreth 2, 2 milionë banorë, në Maqedoni kryesisht në Tetovë, Kumanovë, Dibër, Strugë, Gostivar jetojnë rreth 900 mijë shqiptarë pra rreth 7 milionë shqiptarë. Pas viteve 1990 e në vazhdim emigracioni është shtuar shumë. Vetëm në Greqi thuhet se jetojnë 400 mijë, Itali mbi 200 mijë, në SHBA, Kanada, Francë, Belgjikë e gjetkë. Gjithashtu gati një e katërta e popullsisë kosovare ndodhet në vendet europiane.
Jo vetëm kaq, por kemi mijëra kuadro e specialistë, artistë, profesorë e doktorë shkencash të cilët nuk i shfrytëzojmë në dobi të shtetit tyre dhe kontribuojnë për Bankën Botërore, FMN-në, OKB dhe dhjetëra institucione të tjera të rëndësishme nëpër botë dhe askush nuk ka informacion për këtë kategori njerëzish.
Sigurisht nuk po them se sa të ardhura sjellin dhe efektet që sjellin në zbutjen e mjaft problemeve sociale qe ka sot Shqipëria. Problemi është se janë harruar dhe nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë strategji për mbrojtjen e tyre nga problemet qe ato kanë atje dhe rreziku i asimilimit. E pra vihet në diskutim identiteti kombëtar që aq shumë e duam. Lindin dhe vdesin qindra shqiptarë nëpër vende të ndryshme, vuajnë burgjet me dhe pa të drejtë dhe askush nuk interesohet pse jo si interesojnë qeveritareve sepse ju intereson vetëm pushteti.
Le të kthehemi tek Greqia që nuk lë kusur për të drejtën e vet. Vetëm 40 mijë minoritarë ka dhe bën kiametin, madje kërkon dhe varreza për të rënët e tyre në Shqipëri, gjuhën e tyre, shkolla etj. Po ne çfarë bëjmë, do të pranojmë të asimilohemi? A ka vend për diskutim ky problem dhe a duhet të shqetësohen kryeministri dhe parlamentarët tanë ?
Meqenëse qeveria është angazhuar për regjistrimin e popullsisë jashtë vendit madje, miratoi enkas një ligj për këtë çështje, a nuk e bën të domosdoshme krijimin e një ministrie diaspore, si dhe kush do ta trajtojë problemin e shqiptarëve që kanë ndërruar emrin fiktivisht për shkak se pala greke i dëbonte. Ajo ju ka dhënë pensione dhe i quan ato grekë ? A meriton vëmendje kjo çështje dhe kur do të shqetësohemi seriozisht përzgjedhjen e tyre? A do duhet hapur shkolla shqipe në vendet me emigracion të madh dhe kur?
Po me problemin çamëve dhe pasuritë e tyre kush do të merret dhe a meritojnë dhe ata të mbrohen? Pra të gjitha këto pyetje janë pa përgjigje dhe kanë rënë në indiferencën e qeverisë. Emigruan mbi 60 mijë shqiptarë nga Shqipëria gjatë vitit fundit në Gjermani dhe askush nuk ka informacion se ç’bëhet me ta. Qeveria merret më shumë me problemet korrente dhe të mbajtjes së pushtetit se sa me ato të perspektivës.
Në SHBA që është dhe modeli i demokracisë në Botë është hapur një shkollë fillore shqiptare dhe me mësues shqiptar dhe financohet nga Bashkia e Westcester e shtetit Masachuesset. Madje në këtë qytet funksionon radio dhe televizioni shqiptar. Pra një shembull i mirë për t’u marrë në konsideratë. Kemi dy ministri që hanë bukë kot siç është ajo e Inovacionit dhe Ministria e Integrimit, punën e së cilës e bën Ministria e Jashtme. Përse nuk reduktohen ministritë dhe pse dublohen detyrat? Unë mendoj se krahas Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila e ka për detyrë të merret me këto probleme, ka ardhur koha të krijohet një Ministri Diaspore, e cila jam i sigurt se do jetë e dobishme dhe e justifikuar. Çdo vonesë në këtë drejtim do të jetë me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen.