A na ka mposhtur krimi?
Nga Ben Andoni
Veçmas retorikës, varrimit madhështor të ushtarakut të vrarë dhe disa akuzave që po i bëhen policisë, vallë, vërtetë na ka mposhtur krimi?! Kjo pyetje, që vjen pak ditë pas ngjarjeve të Lazaratit2 është një “e panjohur” e cila mbetet e pashpjegueshme për publikun. Cilët janë vrasësit e Santos? Kush e vrau Lamajn? Pse nuk gjenden ende sot vrasësit e gjyqtarit Konomi? Pse banda e “Lazaratit” iku për herë të dytë? Kush e vrau komisarin Lamaj? etj., etj.,
Në media, për rastin e fundit, është shkruar se fshati ishte rrethuar nga 400 forca speciale, por sërish të ashtuquajturit “Djemtë e Lazaratit” ia dolën të ikin pa u lagur. Vërtetë janë dorëzuar disa dhe janë kapur të tjerë, por Lazarati mbetet njësoj, dhe jemi të ndërgjegjshëm se nuk do kalojë kohë dhe një bëmë tjetër do të burojë nga ky vend.
Zhvendosemi në kohë dhe afrohemi në Tiranë, kur bankieri u vra para zyrës së tij. Akoma sot e kësaj dite nuk kemi një përgjegjës real për vrasjen e tij. Të mendosh se viktima, u vra mu në mes të Bllokut, fare pranë Komisioneve parlamentare dhe i ndjekur hapur mu para Kryeministrisë! Nëse do të vazhdonim me një listë, atëherë sukseset që nuk mund të mohohen të policisë, nuk mund t’i japin gjithsesi përgjigje të saktë pyetjes: A mund të thuhet se jemi të qetë para krimit?
Në një kohë që e gjithë Evropa, Azia dhe Afrika po zien nga një valë kërcënimesh dhe akte terrori që vinë nga ISISi, pati përpjekje ta përziejnë dhe me situatën në Lazarat, pyetja mbetet sërish pa përgjigje para vetes: A jemi të imunizuar para krimit dhe a ka fituar policia mbi të? E vështirë të thuhet, kurse për ditë e më shumë po dalin elementë që tregojnë se policia në të dy rastet e Lazaratit nuk ka qenë në lartësinë që e ka përmendur propaganda pozitive.
Për fat të keq, krimi në vitet e fundit është sofistikuar shumë më tepër sesa zhvillimi i policisë. Ky është edhe shqetësimi më i madh sot. A mundet policia të zhvillohet dhe të përmirësojë atributet e saj, apo krimi do të vazhdojë të sfidojë hapur me cinizmin e vet? Për një gjë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm, policia nuk e përballon dot e vetme luftën me krimin. Krah saj duhet të jenë dhe shumë dikastere, por edhe strukturat të tëra sociale, që sot mungojnë. Mungon analiza e thellë psikologjike e rasteve që identifikohen, ka dështuar mbajtja nën kontroll e personave me të kaluar të keqe, apo edukimi në shkolla.
Të gjitha bashkë, do t’ia lehtësonin disi punën policisë, që të mos ishte e vetme dhe e papërgatitur si në rastin e “Lazaratit2” . Një punë më e mirë e shumë hallkave do të ekuilibronte sot supremacinë e madhe, që ka krimi me armët moderne, paratë, dhe lirshmëritë për të vepruar keq. Por sërish a na ka mposhtur krimi? Nuk duam ta besojmë, dhe policia po përballet përditë, por e keqja po na sfidon me cinizmin e vet përditë…
Javanews.al