Adelina Farrici: Pse duhet të rizgjidhem

Nga Fernada Cenko

Adelina Farrici, një nga femrat e pakta kryebashkiake në vend mendon se ia ka arritur qëllimit të saj në realizimin e premtimeve elektorale të bërë në vitin 2011. Në një interviste për “Koha Jonë” ajo thotë se është e gatshme të kandidoj sërish. Farrici ka listuar gjithë investimin që ka bëri deri më sot, ndërsa na radhit edhe objektivat që ka nëse do të rikandidohet dhe fiton.

Jeni ndër femrat e pakta kryebashkiaket. A ka qenë e vështirë të përballesh me pakënaqësitë e njerëzve, problemet?

Puna e kryetarit të bashkisë është e mbushur çdo ditë me sfida , vështirësi dhe probleme, por të gjitha këto e bëjnë me të bukur këtë punë. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur në fund të një dite të lodhshme, ku nuk mund të flitet për asnjë sekonda pushim, ju ndjeni që keni ndihmuar njerëz në nevojë, keni fituar një projekt për qytetin tënd. Përsa i takon pakënaqësive ka pasi është e pamundur të realizohen gjithë dëshirat e qytetarëve, por ka edhe një perceptim të gabuar për kompetencat e kryetarit të bashkisë.

Në këtë fund mandati a keni realizuar ato që keni pasur synim për ri realizuar?

Synimet pavarësisht vështirësive të këtij mandati janë të realizuara. – Në infrastrukturë; fasadat; shtimi i hapësirave të gjelbërta; rikonstruksioni i këndit të lojërave; ambiente pushimi për moshën e tretë; investime në shkolla; ngritja e qendrës rinore; sistemi i lagjeve te qytetit; kthimi i vëmendjes tek historia, kultura, janë zhvilluar shumë aktivitete artistike – kulturore; investime ne sport; krijimi i klubeve shumësportesh; rikonstruksioni i pallatit të sportit dhe kthimi i tij në funksion të qytetarëve; rikonstruksioni i stadiumit.

Nga ndarja e re territoriale, sa do shkurtohet administrata vendore ne të gjithë qarkun tuaj, dhe a preket bashkia juaj dhe si?

Ndarja e re territoriale do të sjellë shumë ndryshime natyrisht edhe në organigramën e bashkisë. Unë nuk mund të flas çfarë ndodh në qark por në bashkinë tonë nuk do të ketë shumë shkurtime.

Buxheti, a janë shpërndarë pagat për këtë vit, pasi përflitet se janë bllokuar deri në mbajtjen e zgjedhjeve?

Kjo pyetje më duket pak e çuditshme. Patjetër që pagat janë marrë rregullisht deri tani dhe janë të planifikuara në buxhet për gjithë vitin. Komunat, pagat 80 për qind janë të mbuluara nga granti që jep qeveria. Shkurt pagat janë të garantuara, por kryetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos fryjnë artificialisht administratën.

Dhe nëse rimandatoheni, cilat do jenë objektivat e mandatit të dy, tashmë me një bashki më të madhe?

Objektivat për një mandat në bashkinë e Matit janë të orientuara: në drejtim të zhvillimit ekonomik; nxitjen e kreativitetit tek biznesi vendas duke krijuar politika orientuese si dhe lehtësi fiskale; standardizimi i shërbimit në të gjithë bashkinë; zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë territorin.

Pse duhet t'ju besojnë banorët e Burrelit?

Banorët jo vetëm të Burrelit, por edhe të Matit duhet të më besojnë pasi ne mandatin që po përmbyll kam treguar se di ti mbaj premtimet, di te menaxhoj mirë financat e bashkisë dhe ti orientoj ato tek prioritetet që sjellin zhvillim dhe rritje të cilësisë së jetës; di të promovoj vlerat e qytetit duke e bërë tërheqës tek të tjerët; kam ditur të jem në lartësinë që kërkon besimi që më dhanë qytetarët. Besoj te gjithë kanë kuptuar përkushtimin dhe përgjegjshmërinë time për të realizuar detyrat që më jep funksioni. Për të gjitha këto banorët besojnë tek unë.

SHKARKO APP