Administrata/ Shtohen punonjës tek Ministria e Drejtësisë, shkurtohen në arsim
Në buxhetin e vitit 2018 parashikohet lëvizje e punonjësve të administratës nga njëra Ministri në tjetrën kjo dhe për shkak të shkrirjes së disa institucioneve. Në draftin e paraqitur në Kuvend parashikohet më shumë punonjës në sistemin e drejtësisë dhe shkurtime në arsim.
Në buxhetin e vitit 2018 qeveria ka një numër thuajse të njëjtë punonjësish të administratës. Në draftin e paraqitur në Kuvend Presidenca shqiptare do të ketë dhjetë punonjës më shumë nga 76 që ka aktualisht, ndërsa për Kuvendin nuk parashikohet ndryshim i strukturës.
Ajo që vihet re është shkurtimi i stafit të Kryeministrisë, i cili nga 646 do të ketë 606 punonjës, kjo duke përfshirë dhe institucionet e varësisë.
Megjithatë në zërin e Kryeministrisë parashikohen vetëm 150 punonjës, teksa është shkrirë termi aparati i Kryeministrisë.
Nga Ministritë, ajo e Arsimit do të ketë 40 punonjës me pak
ndërsa Drejtësia do të ketë 300 punonjës më shumë, ashtu si edhe Mbrojtja me 100 punonjës shtesë.
Ndryshime dhe në ATSH me 10 punonjës më shumë.
Agjencia për hapje për dialog dhe qeverisje shtohet me 41 nga 15 që kishte, kjo me sa duket dhe në kuadër të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët.
Sa u përket Ministrive të reja, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ketë 974 punonjës, Financa dhe Ekonomia 5818, Shëndetësia dhe Kujdesi Social 4289, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme 551 dhe Ministria e Mjedisit dhe Turizmit 1037 punonjës.
Nga agjencitë shtohet Qendra kundër ekstremizmit dhe radikalizmit me 8 punonjës, Agjencia për diasporën me 15, Agjencia e zhvillimit te territorit me 45 dhe Komiteti Shtetëror i Kulteve me 10 punonjës.
Në buxhet parashikohet dhe admnistrata e komisioneve të vettingut me 103 punonjës.