Agim Neza: SHBA, si është shtypi në shtetin modern
5 Dhjetor 1997
Nga Agim Neza-
TIRANË – Çdo shqiptar ëndërron për t’u njohur me Amerikën, për të kontaktuar me shtetasit amerikanë, jo thjesht për kuriozitet por për t’u njohur me kulturën, traditat dhe funksionimin e suksesshëm të demokracisë së SHBA. Çdo lloj udhëtimi do të ndikonte te shtetasit shqiptarë për të bërë diçka më të mirë për veten e tij, për vendin dhe brezat e ardhshëm. Një vizitë trejavore e organizuar nga Agjencia e Informacionit të SHBA, kontaktet me shtetas amerikanë do të ndikonte padyshim te çdonjëri për njohjen dhe forcimin e kulturave dhe traditave të dy kombeve. Mundësia që na u krijua për të vizituar SHBA, takimet me personalitetet e larta të Departamentit të SHBA, kontaktet me homologët (zëdhënës, këshilltar të marrëdhënieve publike), takimet me gazetarë të njohur, vizitat në stacionet e ndryshme televizive, radiove, kolegje të gazetarëve do të ndikonin pozitivisht në njohjen e suksesit të demokracisë amerikane e në veçanti për rëndësinë në shpërndarjen e informacionit publik te qytetarët nga ana e qeverisë.
Duke ndjekur konferencat për shtyp dhe të ftuar në zyrat e tyre për të bashkëbiseduar rreth rëndësisë së medias me zëdhënësin e presidentit të SHBA, zotin Michael D. McCurry, zëdhënësin e departamentit të drejtësisë, z. Bert Brandenburg, drejtorin për çështjet publike dhe marrëdhënieve me jashtë në Shtëpinë e Bardhë, zotin Eric S. Rubin, përfaqësuesin e Shqipërisë në qendrën e informacionit të SHBA, zotin Larry Plotkin, etj., mëson se sistemi i informacionit publik të një kombi demokratik mundet të shpjegohet si përmbajtja e të gjitha atyre elementeve dhe kanaleve të komunikimit përmes të cilave një qytetar mëson rreth aktiviteteve të qeverisë dhe transmeton te qeveria nevojat e tij ose të saj së bashku me pikëpamjet e tyre. Marrëdhëniet me shtypin janë të përcaktuara në mënyrë reciproke. Natyrisht kjo eksperiencë do të ishte shumë e rëndësishme për t’u aplikuar edhe në vendin tonë.
Çfarë presin gazetarët amerikanë nga qeveria dhe çfarë pret qeveria nga gazetarët?
Gazetarët amerikanë presin nga qeveria: Të drejtën e informacionit legjitim përmes zyrtarëve kryesorë qeveritarë; Përgjigjet e menjëhershme të telefonatave; Marrjen parasysh të afateve të shtypit për botim e njoftim; Përgjigje të drejtpërdrejta dhe të hapura; Bashkëpunim të plotë për pyetjet dhe materialet plotësuese; Liri për ta bërë punën e gazetarit në mënyrën individuale ashtu siç e mendon vetë; Trajtim i respektueshëm.
Çfarë pret qeveria nga gazetarët amerikanë?
*Të mësojmë emrin e gazetarit dhe organin që përfaqëson. – Të dinë për çfarë do të jetë intervista. – Të përgjigjet për pasaktësitë dhe dezinformimin. – Të jetë në gjendje të diskutojnë çështje aktuale që nuk janë paraqitur nga intervistuesit. – Të dijë se si do të përdoret informacioni dhe kush tjetër do të intervistohet. – Të jetë në gjendje të përgjigjet pa u ndërprerë. – Trajtim i respektueshëm. Të dyja palët kanë nevojë për njëra tjetrën në dhënien e mesazheve dhe sqarimit të çështjeve të ndryshme për opinionin publik, gjë e cila ndikon në përmirësimin e punës për ecjen e një shoqërie përpara.
Në përgjithësi konferencat për shtyp organizohen njëherë në javë nga drejtuesi i departamentit (Ministrisë) apo Zëdhënësi, por gazetarëve u jepet informacion sa herë që ata janë të interesuar për probleme të ndryshme. Në bisedë me zëdhënësin e departamentit të drejtësisë, zoti Brandenburg shpjegon se 12 punonjësit e zyrës së shtypit, bëjnë koordinimin e informacionit me zyrat e FBI që përfshin luftën kundër krimit, korrupsionit, emigracionit, burgjeve etj.
Ai thotë se: “Ne duhet të jemi të hapur (megjithëse për arsye të hetimit ndodh që japin informacionin pasi janë sqaruar faktet) kështu kemi arritur që duke komunikuar hapur me opinionin publik, ata kuptojnë politikën tonë dhe janë bindur se administrata e Drejtësisë është e pavarur”;
- Brundeburg e shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe ndihmuar sistemin e drejtësisë shqiptare. Në Departamentin e Mbrojtjes në Pentagon, pasi kemi ndjekur një Konferencë shtypi të zëdhënësit, mësojmë se forcat ushtarake për të evituar luftën dhe për të mbrojtur SHBA përbëhen nga ushtria, marina luftarake, korpusi i marinës dhe forcat e tjera ajrore që konsistojnë në 2.2 milionë persona në shërbim aktiv. Nga këto 500.000 (gjysmë milion) shërbejnë jashtë kufijve të SHBA. Në raste emergjente këtyre forcave u shtohen 2.5 milionë anëtarë që përbëjnë forcat rezervë. Në Departamentin e Mbrojtjes janë 1.2 milionë nëpunës civil. Drejtues të shtypit të këtyre departamenteve sugjerojnë që të mos jepet konferencë për shtyp për një çështje të vetme që nuk përmban interes publik.
Në qendrën e agjencisë së informacionit të SHBA në takimin me zotin Larry Plotkin, zyrtar për çështjet e Europës Lindore, shprehet interesi që duhet treguar për shtypin e në veçanti për shtypin e pavarur. Ai shpreh gatishmërinë për të ndihmuar shtypin e pavarur shqiptar. Gjatë takimeve në Qendrën e Shtypit të huaj të SHBA mëson për mundësinë që u krijohet gazetarëve të huaj për të marrë informacion në SHBA dhe për ta dhënë atë në shtetet e tyre. Do të ishte me shumë interes që në të ardhmen media jonë të akreditonte përfaqësuesit e saj pranë kësaj qendre shtypi. Kjo qendër është e gatshme për të ndihmuar gazetarët tanë edhe në trajnime.
Korporata për Transmetimet Publike është ndër qendrat më të rëndësishme të shtypit, kjo qendër ka një rrjet mbi 500 stacione radio dhe televizive të përqendruara në komunitetet lokale për programe të ndryshme për të cilat është interesuar opinioni publik. Megjithëse CPB (Korporata për Transmetimet Publike) përdor fondet e qeverisë dhe ato private, kjo qendër nuk ndikohet aspak nga politika qeveritare. CPB është plotësisht e pavarur. Qeveria jep paratë por nuk komunikon fare me stacionet e radios dhe televizionit. Kryetari i Bordit emërohet nga Presidenti dhe miratohet nga Senati. Qeveria Amerikane tregon një kujdes të veçantë për këto stacione, znj. Gaasch na thotë se qeveria do të akordojë vitin e ardhshëm një rritje të buxhetit prej 15 milionë dollarësh.
Një stacion i këtij lloj është edhe Radio e Bostonit (WBUR) e cila menaxhohet nga znj. Jane, bashkëshortja e zotit Van Christo (me origjinë shqiptare) i cili është Presidenti i Fondacionit “Frosina Foundation”. Në këtë stacion ka edhe disa shqiptarë të cilët vlerësohen nga drejtuesit amerikanë për aftësitë e tyre profesionale. Filozofia e këtij stacioni që drejtohet nga zonja Jane është: “Besueshmëria, Kredibiliteti. Në qoftë se komunikoni hapur, do tërhiqni më shumë dëgjues”. WBUR ka organizuar një udhëtim për gazetarë shqiptarë dhe ka disa projekte të tjera për të ndihmuar median shqiptare në të ardhmen.
Për rëndësinë e shtypit të flasin dhe emra të njohur të gazetarisë amerikane siç janë zoti Bill Kovach, me origjinë shqiptare i cili ka punuar 13 vjet si gazetar i “New York Times”. Aktualisht është drejtues i “Nieman Foundation” pranë Harvard University, i cili shpreh dëshirën që shqiptarët të studiojnë në Harvard University. Për këtë, ai na ofron disa aplikacione për gazetarët shqiptarë që të konkurrojnë për të studiuar në këtë Universitet të njohur. Ndërsa Profesori i Gazetarisë në New Mexico, z. Ellen Marks dhe studentët e tij, gazetarë të ardhshëm dëshirojnë të dinë më shumë për Shqipërinë. Profesori Marks thotë se 80 për qind e atyre gazetarëve që mbarojnë Universitetin arrijnë të punësohen në gazeta dhe stacione të ndryshme radio dhe televizioni. Për sa i përket pjesëmarrjes së femrave në jetën gazetareske, ai thotë se ato përbëjnë rreth 62 për qind në SHBA.
Mesazhe për zgjedhje dhe qeverisje demokratike
Në Virginia na jepet mundësia të vëzhgojmë zgjedhjet për Guvernator. Natyrisht për një gjë jemi të ndërgjegjshëm se zgjedhjet zhvillohen në të gjitha vendet demokratike të kohës sonë, por jo të gjitha zgjedhjet janë demokratike. Duke krahasuar zgjedhjet në USA me ato të vendit tonë të duket se je në “dream”, në një ëndërr që dëshiron që këto zgjedhje, ky lloj votimi i qetë dhe pa mllefe të bëhet realitet sa më shpejt në vendin tonë. Duhet të mësojmë të pranojmë alternativat bindëse të forcave të ndryshme politike, ashtu siç duhet të mësojmë të pranojmë edhe humbjet apo marrjen e pushtetit në mënyrë demokratike dhe jo me anë të forcës. Politikanë amerikanë shpjegojnë se nuk është e thënë që rivalët politikë të duan patjetër njëri tjetrin, por kur zgjedhjet përfundojnë, ata që humbasin duhet të pranojnë gjykimin e zgjedhësve. Pavarësisht se kush fiton të dyja palët duhet të shprehin gatishmërinë për të bashkëpunuar për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta të shoqërisë. Në Departamentin e Shtetit në takimet me përfaqësues të këtij departamenti duket interesimi për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri, përkushtimi i qeverisë amerikane për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë shqiptare për të zhvilluar ekonominë dhe për të rritur mirëqenien e popullit shqiptar.
Mesazhi i tyre është i kuptueshëm: shqiptarët kanë nevojë për pajtim, se duke punuar bashkërisht, qeniet njerëzore mund të qeverisin në mënyrë të atillë që u shërben aspiratave për liri personale, zhvillim ekonomik dhe drejtësi shoqërore. Mesazhet për një qeverisje demokratike dhe të bazuar tek aftësitë e individit do të dukeshin në të gjitha shtetet e Amerikës, të cilat patëm mundësinë t’i vizitonim si në Kaliforni, New Mexico, Arkansas etj.
Mikpritja Amerikane
Gjatë vizitave në SHBA krahas vizitave në institucionet amerikane ishin planifikuar edhe vizita në familjet amerikane. Në këto familje gjetëm mikpritje dhe dëshirë të tyre për të mësuar rreth Shqipërisë. Në familjet, Owens, Ericsson, Ngundue, Smith do të shkëmbenim mendime për kulturën, traditat dhe zhvillimin e shoqërisë të vendeve tona. Në çdo familje do të gjenim mikpritje dhe diçka të veçantë. Për mendimin tim më e veçanta do të ishte në familjen Ellen, Thomas Smith në Albuquerque, New Mexico. Zoti Thomas Smith kishte punuar gjer në vitin 1975 zëvendësdrejtor i FBI të SHBA. Kjo familje kishte kërkuar me ngulm dhe dëshirë për të na takuar, jo thjesht se zoti Smith dhe bashkëshortja e tij flisnin gjuhën shqipe por për të takuar për herë të parë dy shqiptarë mbas rënies së diktaturës 50-vjeçare komuniste.
Sapo hymë në familjen Smith, do të priteshim me himnin shqiptar, këngë shqiptare dhe flamurin shqiptar të vendosur në shtëpinë e tyre. Duke dëgjuar himnin shqiptar në një familje amerikane, padyshim që ndjeje një krenari dhe satisfaksion ashtu siç mund të ndjeje një detyrim kombëtar që ky himn të dëgjohej dhe të mësohej në të gjitha shkollat tona siç ndodh në SHBA me himnin amerikan në shkollat e tyre.
Familja Smith nuk kishte qenë në Shqipëri por dinin shumë për Shqipërinë në veçanti për izolimin dhe vështirësitë që kishte kaluar populli shqiptar gjatë diktaturës 50-vjeçare. Dëshira e kësaj familje si edhe familjeve të tjera amerikane ishte që Shqipëria dhe shqiptarët të rrisnin mirëqenien sa më shpejt.
Gjatë vizitës në SHBA do të ftoheshim në Boston nga shqiptarët e nderuar dhe atdhetarë Anthony Athanas, Arthur E. Liolin, Van Christo etj. Këta shqiptarë jo vetëm që janë bërë të njohur në SHBA por janë padyshim “Ambasadorë të popullit shqiptar” në SHBA, dëshira e tyre është të shikojnë shqiptarët të bashkuar dhe të zhvilluar. Ata natyrisht janë mijëra kilometra larg nga atdheu i tyre por mendjen dhe zemrën e kanë në Shqipëri.
Shqiptarët me aftësitë dhe zgjuarsinë e tyre kanë arritur jo vetëm të integrohen në shoqërinë amerikane por janë bërë të njohur, punojnë në institucionet më të rëndësishme të Departamentit të shtetit (siç është Ilir Zherka), në Universitetin e Havardit (Bill Kovach) e dhjetëra shqiptarë të tjerë të cilët kanë influencë e miqësi me figura të shquara të SHBA. Demokracia amerikane është shembulli më i mirë për ne për të krijuar një të ardhme të mirë në Shqipëri. Atë që kanë arritur shqiptarët në SHBA, mundet që të arrijmë edhe ne këtu në Shqipëri në një të ardhme jo shumë të largët…
AGIM NEZA