Ahmetaj: 2012-ta, ishte kulmi i varfërisë
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj në një fjalë drejtuar studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit Ekonomik, duke u përpjekur të flasë përtej petkut politik, tha se në vitin 2012, ekonomia shqiptare ishte në krizën më të thellë ekonomike. Ai deklaroi se varfëria në atë vit arriti kulmin më të thellë.
“Ekonomia shqiptare zhvillohet në një kontekst të vazhduar. E them këtë pasi kemi debat për rritjen ekonomike. Rritja ekonomike në ëndrrat e mia duhet të ishte 7%, ndoshta edhe 10-12%. Çdo ekonomi lëviz dhe rritet në kontestin e vet. Konteksti jonë është rajoni, është një ekonomi e vogël me 3 milionë banorë.
Ekonomia jonë zhvillohet, rritet, goditet dhe bie në kuadrin e fqinjve që janë Italia, Greqia dhe të gjithë vendet e rajonit dhe sigurisht e influencuar në kontekstin rajonal. Mos harroni se në vitin 2012, Shqipëria ishte statistikisht në kulmin e saj të varfërisë.
Po ta politizoja do të thoja që arsyeja ishte keqmenaxhimi dhe verbëria e politikave ekonomike. Këtë ua them. E keni në dorë ju ta merrni, ta besoni ose jo, për faktin se viti 2012 ka qenë viti më i keq ekonomik i Shqipërisë. Është fakt që varfëria në vitin 2012 dhe jo statistikisht nga ana e qeverisë, por statikisht nga BB dhe FMN-ja arriti realisht thellimin më të madh. Është sfidë e madhe për një grup që qeveris.
Do ta keni edhe ju sfidë dhe shpresoj që ju të mos i keni sfida të tilla. Kam punuar në Ministrinë e Financave në vitin 1997 dhe sigurisht edhe në aspektin e shakasë, traumën e 97-s ashtu si ekonomia nuk e ka kaluar akoma, edhe unë nuk e kam kaluar akoma”, tha ai.
Ministri i Financave u ndal edhe tek buxheti i shtetit, duke nënvizuar se qeveria e majtë e kishte gjetur thuajse bosh dhe me 700 milionë dollarë borxhe.