Ahmetaj: Arritëm deficitin më të ulët buxhetor në histori

Arritja e nivelit më të ulët të deficitit buxhetor në historinë e financave publike në vitin 2016, prej 1.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka qenë suksesi më i madh i Financave Publike. Ka deklaruar kështu dje, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomi-Financave të Kuvendit, ministri Arben Ahmetaj. Sipas tij, nga ana tjetër, kjo është shoqëruar nga rritja e balancës primare më pozitive në historikun e financave publike, me një suficit prej 0.7% të PBB, balancë, e cila, me përjashtim të vitit 2010, ka rezultuar sistematikisht me deficit primar.

Por, kreu i Ekonomisë dhe Financave ka bërë gjithashtu të ditur një shifër shumë të lartë të borxhit publik: sipas tij, është arritur nga qeveria vitin e kaluar rivendosja e borxhit publik në një trajektore rënëse, por kjo nuk kka bërë më shumë se ta çonte atë në nivelin 72.4% të PBB, pas tetë vitesh (që prej vitit 2007) që ka rezultuar thuajse çdo vit me rritje të fortë. Në vitet e fundit të qeverisë Berisha, Kuvendi ndryshoi ligjin organik të Buxhetit, duke hequr kufirin e 60% të PBB si tavan për borxhin, ku u pa që shpenzimet shumë të larta nuk përballoheshin dot me të ardhurat që nuk rriteshin me atë trend.

Ekonomia
Gjatë vitit 2016 janë shënuar disa tendenca pozitive, vijoi më tej Ahmetja, duke përmendur ndër to faktin që ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3.5%, nga 2.2% në 2015, apo që knsumi final u rrit me afro 3%. Po kështu, një sinjal pozitiv ka qenë ai, që eksporti i mallrave dhe shërbimeve së bashku u rrit në terma realë me rreth 13%.

Punësimi
Rritja e numrit të të punësuarve gjatë 2016 ishte rreth 6.1% krahasuar me një vit më parë, ose rreth 65 mijë të punësuar të rinj vetëm në atë vit. Kështu, shkalla e papunësisë u reduktua me rreth 2 pikë përqindje gjatë 2016 krahasur me 2015, duke zbritur në 15.6% nga 17.5% që ishte në 2015.

Bilancet
Krahasuar me vitin 2015, të ardhurat buxhetore u rritën 7.33%, por pa realizuar dot planin për shkak të rënies së çmimit të naftës me 26% në terma vjetorë, rënies 10% të eksporteve të kromit e bakrit, etj.

Politikat fiskale
Viti 2016 shënoi fillimin e politikave të uljes graduale të normave tatimore dhe zgjerimin e bazës së taksimit e shoqëruar kjo me luftën ndaj informalitetit. Kemi realizuar ulje të barrës fiskale dhe nivelit tarifor: taksa zero e biznesit te vogël, reduktim i taksës së hotelit dhe stopim i rritjes së planifikuar të akcizës së cigareve. Taksë e re u vendos vetëm mbi automjetet luksoze.

Infrastruktura 
Janë përfunduar rrugë si Gjinari, Elbasan; Kukës–Krumë; Buzuq–Çorovodë; Unaza Ersekë; Qafë Thanë –Lin, Pogradec/Loti 2; Milot–Lezhë; Kanali i Çukës–Butrint; Ura e Matit, Burrel; Lushnje-Berat; lotet e rrugës Plepa-Rrogozhinë, etj. Ndërkohë, janë financuar edhe mbi 110 projekte të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.

Bujqësia
Kanë përfunduar punimet e mirëmbajtjes në infrastrukturën e ujitjes të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e ujitjes në rreth 40.000 ha, kryesisht në ultësirën perëndimore Lushnjë, Fier, Kavajë, Lezhë, Shkodër etj. Si dhe janë realizuar punimet për pastrimin e rrjetit të kanaleve kryesore kulluese të cilat kanë mundësuar përmirësimin e kullimit në rreth 50.000 ha të ultësirës perëndimore.

Sociale
Janë trajtuar me ndihmë ekonomike 80.478 familje përfituese të ndihmës ekonomike; janë trajtuar me pagesën e aftësisë së kufizuar 156.396 persona me aftësi të kufizuara. Ndërsa në fushën e pronave gjatë vitit 2016, janë kompensuar rreth 1.500 subjekte në bazë të ligjit të pronave dhe është realizuar kompensimi finaciar për 190 vendime, nga viti 1993 e në vijim.

Vendorët
Për vitin 2016, njësitë e vetëqeverisjes vendore në shkallë kombëtare kanë mbledhur të ardhura rreth 4.5 miliardë lekë më shumë, ose 35 për qind më shumë se sa në vitin 2015.

Komisioni/ PD braktis diskutimin: “Ekonomi kriminale!”; qendron LSI
Gjatë prezantimit të Buxhetit Faktik 2016, deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur mbledhjen e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Pas debateve me kreun e komisionit Erion Braçe, Edmond Spaho, Jorida Tabaku, Agron Shehaj, Dhurata Çupi dhe Nadire Meçorapaj kanë lënë mbledhjen.

Ndryshe nga komisioni i Sigurisë, ku PD-LSI ikën bashkë nga mbledhja, tek Komisioni i Ekonomisë vijuan të qëndrojnë dy deputetët e LSI, Edmond Haxhinasto dhe Përparim Spahiu. Debati lindi gjatë prezantimit të raportit të përgatitur për të njejtën temë nga kreu i KLSH, Bujar Leskaj.

Sipas PD, raporti në disa pika bie ndesh me buxhetin faktik të përgatitur nga Ministria e Financave. Edmond Spaho hodhi akuza për qeverinë pasi, sipas tij, ajo ka lejuar një ekonomi kriminale dhe vendi është tejmbushur me hashash. Pas largimit të demokratëve, drejtuesi i komisionit Erion Braçe kërkoi që në qendër të debatit të jetë ekonomia dhe jo deklaratat politike.

SHKARKO APP