Ahmetaj: Buxheti 2017, më optimali në historinë e financave
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se marrëveshja e arritur këtë të mërkurë me FMN-në është shumë e rëndësishme për buxhetin e vitit 2017.
Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, Ahmetaj e ka cilësuar buxhetin në fjalë si më optimalin në historinë e financave publike në 25 vjet.
Sipas Ahmetaj, ai është buxheti i rritjes ekonomike, i reformave, i rritjes së pagave dhe pensioneve, si dhe i investimeve publike.
“1. Buxheti i rritjes ekonomike – rritja përshpejtohet në 3.8%, ose rreth katërfishi i asaj që ishte në vitin 2013.
2. Buxheti i reformave – rreth 20 miliardë lekë për akomodimin e reformave thelbësore për ekonominë: reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, reforma në pensione, reforma e pronave, refroma e decentralizimit dhe reforma e ujit.
3. Buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve – për herë të parë rreth 100 milionë dollarë (në 12 muaj) për rritjen e pagave dhe pensioneve 2017, fondi më i madh për paga dhe pensione i akorduar brenda një buxheti në 25 vite!
4. Buxheti i investimeve publike – buxheti 2017 siguron nivel optimal të investimeve publike 5% e GDP (investime qendrore + Fondi i Zhvillimit të Rajoneve + mbështetje për sektorin energjetik), duke pasur huamarrjen (deficitin) më të ulët të arritur ndonjëherë, prej rreth 2% të GDP, pra balancën korente më pozitive në 25 vite prej rreth 2.9%, duke kapërcyer madje edhe kufirin e rregullit të artë”, ka komentuar Ahmetaj.
Shefi i financave shqiptare ka bërë gjithashtu me dije se në vitin 2017 borxhi publik do të ulet me pothuajse 3%, në 69.1%; defiçiti do të jetë në nivelin 2%, më i ulëti sipas tij në 25 vite; balanca primare me suficit +0.7%; ndërsa pagat dhe pensionet do të rriten duke ulur borxhin.