Ahmetaj: Formalizimi dhe kreditimi, sfidat që na presin

 

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit e Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, deklaroi se ekonomia shqiptare ka përpara dy sfida kryesore, që kanë të bëjnë me kreditimin e ekonomisë e formalizimin e mëtejshëm të saj.

Duke folur në Kuvend për ndryshimet në ligjin “Për legalizimet”, Ahmetaj theksoi se përmes këtij pr/ligji përfitojnë një grup qytetarësh në nevojë duke i kthyer ata në pronarë të ligjshëm e të barabartë para ligjit.

Ministri Ahmetaj argumentoi se përmes këtij ndryshimi shteti synon të vendosë kontrollin mbi territorin. Duke folur për ekonominë, ai tha se në tremujorin e parë të këtij viti rritja ekonomike është fuqizuar dhe kjo ka ardhur drejtpërsëdrejti nga kërkesa e brendshme.

“Ekonomia ka filluar të fitojë energji megjithëse ka ende risqe nga tregu i jashtëm dhe konsumi është rritur”, deklaroi Ahmetaj.

Ai vuri në dukje se po ashtu është rritur numri i të punësuarve, ku sipas tij, vetëm në sektorin jobujqësor numri i të punësuarve është mbi 106 mijë të punësuar. Ahmetaj tha se janë rritur investimet e huaja, ndërsa në 2014 janë 948 kompani të huaja reja të regjistruara.

Por gjatë diskutimit të pr/ligjit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka akuzoi Qeverinë se po i mashtron qytetarët me shpërndarjen e lejeve të legalizimit.

Sipas tij, ndryshimet në ligj, që po diskutohen sot në parlament, nuk synojnë të ndalin ndërtimet pa leje, por të legalizojnë ato objekte të ndërtuara nga militantët e PS-së, pas ardhjes në pushtet të së majtës.

“Në ato letra që ndan kryeministri thuhet se janë dorëzuar dokumentet e legalizimit, si dhe përcaktohet shuma që duhet të paguajnë qytetarët, në mënyrë që t’i regjistrohet prona në hipotekë”, tha Paloka.

Në vijim ai shtoi se sipas këtyre letrave, nëse qytetari nuk paguan në kohë atëherë paguan edhe kamatvonesën dhe nëse nuk mund të paguajë i sekuestrohet banesa.

Më pas kreu i grupit demokrat, lexoi një mesazh të një banori të Çermë së Sipërme(Lushnje), i cili ankohej për prishjen në mënyrë të paligjshme të objektit të ndërtuar prej tij.

Në përgjigje të kësaj ankese, deputeti socialist i zonës, Erjon Braçe, tha se personi në fjalë jo vetëm nuk ka pasur një ndërtim, por mbi të gjitha e ka pasur të lënë përgjysëm.

“Edhe ajo ishte një benzinatë e ndërtuar pa leje mbi kanalin vaditës, gjë që i ka sjellë probleme të mëdha asaj zone bujqësore. Sa për pozicionin tim bën mirë të mos lexosh sms-të që të vijnë. Herë tjetër kur flet për Lushnjën mos u informo në Karbunarë, por hajde tek unë”, iu pergjigj Brace deputetit demokrat.

SHKARKO APP