Ahmetaj fton biznesin gjerman të investojë në zonën e lirë ekonomike të Spitallës
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ftoi sot biznesin gjerman që të investojë në zonat e lira. “Pas një muaji do të hapet tenderi për zonën e lirë ekonomike të Spitallës”, tha Ahmetaj.
Ministri paraqiti para sipërmarrësve gjermanë reformat ekonomike që ka nisur qeveria shqiptare dhe lehtësitë që afrohen për investitorët e huaj që duan të investojnë në Shqipëri. Sipërmarrës shqiptarë janë mbledhur sot në Forumin e biznesit “Dita e dialogut Shqipëri-NRW”, mes biznese gjermane nga Landi Verior NRW në mjediset e Ambasadës së RF të Gjermanisë në Tiranë.
Në këtë forum delegacioni gjerman kryesohet në vizitën e parë zyrtare të tij nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë, Bizneseve të Mesme dhe Profesioneve të Landit gjerman NRW, Gunther Horzetzky. Duke vlerësuar raportet e derisotme tregtare mes dy vendeve, Horzetzky vecoi importet e prodhimeve shqiptare në Gjermani, kryesisht nga fushat e tekstilit, metaleve, produkteve kimike, etj. Ai theksoi mes të tjerave, se “ka mundësi për më shumë dhe ne duam zgjerim të tregtisë mes dy vendeve”. Ai vlerësoi se, 1/3-ta e shqiptarëve që janë sot në Gjermani, jetojnë në Landin verior NRW dhe se ata janë bërë një potencial i mirë për rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Helmut Hoffman, duke përshëndetur punimet e Forumit, tha mes të tjerave se “Shqipëria ka një sërë potencialesh ekonomike, por ka nevojë që të përmbushë edhe një sërë detyrash”.
Në këtë forum marrin pjesë përfaqësues të bizneseve gjermane në fusha të ndryshme si, energji, tregti, industri, nga Dhoma e Tregtisë gjermane DIHA, nga ministri të ndryshme shqiptare, AIDA-s, Dhoma e tregtisë e Tiranës, etj.
Në tryezën e rrumbullakët mes bizneseve shqiptare dhe ato gjermane po diskutohen rrugët dhe pikat lidhëse për zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.