Ahmetaj, inspektim në pikat e karburantit
Grupet e inspektimit të pikave të tregtimit të karburanteve, në kuadër të aksionit për rimëkëmbjen e sektorit, kryen të martën inspektime përgjatë rrugës së vjetër që të çon te Qendra Tregtare “TEG”, nga rrethrretollimi i Senatoriumit e në vazhdim të rrugës, deri te TEG.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i cili iu bashkua në terren grupeve të inspektimit paraditen e sotme tha se lufta ndaj informalitetit në këtë sektor do të ndikojë në jetën e qytetarëve, por edhe në buxhetin e shtetit.
Nga abuzimet në pikat e karburanteve deri tani janë arrestuar 6 administratorë, 2 janë shpallur në kërkim, 26 janë në ndjekje të lirë, ndërkohë që 40 subjekte janë në proçedim penal për fshehje të të ardhurave.
Task-Forca e ngritur në fillim të majit, pritet të vërë nën kontroll brenda pak muajve tregtinë me pakicë të karburanteve. Kontrollet përfshijnë, cilësinë, sasinë e tregtuar, dhe standardet ligjore e fiskale të kompanive.
Tregu i karburanteve në Shqipëri shpeshherë është konsideruar problematik nga cilësia, sasia, por edhe për evazionin fiskal.