Ahmetaj: Në tregun shqiptar nafta është ulur me 20 %
Ministri i Zhvillimit Ekonomit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj deklaroi se çmimi i naftës në tregun vendas ka rënë me 20 % dhe bursa e kompanive vendase ka ndjekur në mënyrë të drejtpërdrejtë rënien në tregun ndërkombëtar, që do të thotë se goditja e qeverisë ndaj monopoleve ka funksionuar.
Sipas tij, qytetarët shqiptare nga ulja e çmimit të naftës, përfitojnë në muaj 15 milionë dollarë lehtësim.
Lidhur me këtë, Ahmetaj solli shembullin e reagimit të tregut në vitin 2008.
“Në 2008 për 6 muaj ka rënë çmimi i naftës nga 142 dollarë/barelli në 42 dollarë/barelli. Pra 300 %.
Ndërsa çmimi në tregun shqiptar nuk e reflektoi këtë ulje, në të njëjtat nivele, por në nivele jashtëzakonisht të ulëta, që tregonte se tregu ishte monopol i drejtpërdrejtë”, tha Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj hodhi poshtë akuzat e opozitës se çmimi i karburantit dhe taksat janë më të lartat në rajon.
“Të gjithë vendet e rajonit, taksën e qarkullimit nuk e kanë tek vlera e litrit por te regjistrimi i makinave. Kjo është një ndër arsyet pse ka atë diferencë te vogël çmimi shqiptar me çmimin e rajonit. Por e vërteta është se ne jemi nën mesataren e rajonit, madje edhe më mirë, nëse spostojmë taksën e qarkullimit tek regjistrimi”, tha Ahmetaj.
Por ne, tha ai nuk duam të vendosim asnjë taksë të re mbi njësitë motorike. Ministri Ahmetaj në përgjigje të akuzave të opozitës për rritje të taksës së qarkullimit, tha se opozita duhet të bëjë publike vendimin e kohës kur transferuan taksen e qarkullimit nga njësitë motorike tek litri i naftës, vendimin që pasi e bënë 7 lekë po në vendim parashikuan rritjen në vazhdim me 10 lekë.