Ahmetaj: Papunësia po bie, ekonomia po ngrihet

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj informoi të enjten përmes një postimi në “Twitter” se në tremujorin e dytë të vitit 2016 shkalla e papunësisë ra me 1.1 % krahasuar me tremujorin e parë të po këtij viti, duke zbritur në 15.9 %.

Vetëm dy ditë më parë, përmes një konference për shtyp, ministri Ahmetaj tha kjo qeveri ka ribërë definicionin e papunësisë, pasi po të kishim të njëjtin definicion si në vitin 2012, sigurisht që do të ishte shumë më e ulët.

Sipas tij, definicioni dhe metodologjia e përdorur është shumë më transparente, është në bazë të standardit ndërkombëtar dhe sipas INSTAT, ka një rënie megjithëse të lehtë, edhe në papunësinë e të rinjve.

“Kjo shifër duhet t’u mbetet në sy qytetarëve, sepse ka njerëz, ka familjarë, ka qytetarë të cilët tashmë kanë një punë, pra ka shumë më shumë qytetarë që kanë një punë në krahasim me 2013, kuptohet në raport të rritjes së forcave të punës dhe të pjesëmarrjes në punë dhe kjo është një shifër shumë e rëndësishme”, sqaroi ministri.

Sipas tij, ky është reflektim i drejtpërdrejtë i funksionimit të reformave dhe i rritjes ekonomike.

SHKARKO APP