Ahmetaj: Rritja ekonomike në 8 muajt e fundit, mbi mesataren e rajonit

Në një bashkëbisedim me gazetarë të fushës së ekonomisë këtë të martë, Ministri i Financave Arben Ahmetaj është shprehur në lidhje me performancën e ekonomisë në 8 muajt e vitit.

“Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit ka qenë 2.96 për qind. Jemi mbi mesataren e rajonit”, ka thënë Ahmetaj, sipas të cilit, “të ardhurat kanë patur një rritje të konsiderueshme krahasuar me 8-mujorin e vitit 2015”.

“Janë 190 mln dollarë më shumë të ardhura këtë 8-mujor”, ka thënë Ahmetaj.

Sa i takon shkallës së papunësisë, ministri ka saktësuar se, ajo u ul në 15.9 për qind. “Lajm i mirë në këtë drejtim është ulja e papunësisë tek të rinjtë”, ka theksuar Ahmetaj.

Ai ka thënë se, qeveria mbetet e vendosur në zbatimin e reformave të thella në ekonomi, të cilat do të mundësojnë sipas tij edhe uljen e borxhit.

“Reformat janë platforma ku mbështetet rritja. Kemi ulur borxhin publik falë mirëmenaxhimit dhe kemi paguar detyrimet e prapambetura ndaj biznesit”, ka vijuar Ahmetaj.

Ai ka shtuar më tej se, periudha janar-gusht 2016 ka qenë më e mirë me të njëjtën periudhë të një viti më parë sa i takon bizneseve, me 7.943 njësi më shumë.

SHKARKO APP