Ahmetaj takim me gratë sipërmarrëse në Kavajë: Zgjedhjet e 25 qershorit, sfidë e dyfishtë për qytetin

Kandidati për deputet në radhët e Partisë Socialiste në Tiranë, Arben Ahmetaj zhvilloi një takim me gratë sipërmarrëse në Kavajë. Duke iu referuar zgjedhjeve të 25 qershorit ku Kavaja voton edhe për Kryetarin e ri të Bashkisë Ahmetaj tha se ajo ditë,është një sfidë e dyfishtë për qytetin.

“Sfida e parë është Partia Socialiste e Shqipërisë fituese absolute dhe Edi Rama Kryeministër. Këtë sfidë kemi të parën dhe të pazhbëshme, në mënyrë që të vazhdojmë projektin e Shqipërisë që duam dhe të vazhdojmë projektin e Kavajës që duam. Sfida e dytë është sfida e bashkisë. Bashkia është e jona dhe do duhet të vazhdojë të jetë të jetë e jona, në mënyrë që ne të vazhdojmë projektin fantastik për Kavajën.

Në këtë qytet deri më sot janë hedhur mbi 20 milionë euro nga qeveria dhe nga Bashkia dhe puna flet vetë”-tha ish ministri i Financave. Ahmetaj theksoi se gratë janë të përfaqësuara më shumë se asnjëherë tjetër në Parti dhe Qeveri.

“Mendoni që në listën e Partisë Socialiste ka gati 50% gra. Shikoni listën e PD! Mungojnë gratë në këtë vend? Nuk mungojnë gratë. Mungon dëshira për të përfshirë forcën më të madhe në shoqëri, forcën më të madhe që gjeneron ndryshimin, gratë e Kavajës apo gratë e të gjithë Shqipërisë. Partia Socialiste meriton dhe ka nevojë për mbështetjen e secilës nga ju dhe për mbështetjen e të gjitha grave të Kavajës” -tha Ahmetaj.

Ahmetaj foli edhe për alternativat që ofrohen në këto zgjedhje, duke theksuar se çdo votë që nuk shkon për Partinë Socialiste, është një vote që na kthen mbrapa.

“Cila është alternativa që kemi sot përballë? Janë të papërgatitur në gjithcka deklarojnë dhe ofrojnë. Taksa e sheshtë 9%, me një llogari fare fare të thjeshtë, do të thotë që të rrisë taksën për 210 mijë të punësuar dhe të lehtësojë taksat për 1546 persona në Republikën e Shqipërisë. E imagjinoni çfarë partie?! Do të vijë në pushtet që t’ju ngarkojë ju me taksa dhe të marrë 1500 e kusur vetë dhe t’i lehtësojë nga taksat. Pra ju tregova vetëm një moment, një çast se çfarë kemi për të humbur. Ju tregova një moment, se çfarë filozofie kanë. E përtej programit pastaj që është i pamenduar, është një përrallë që tregon që: “Meqë ne kemi çelsat e kashtës dhe pas 25 qershorit prapë do të kemi çelsat e kashtës, se shtetin sërish do ta drejtojë Partia Socialiste, le t’i gënjejmë njerëzit me përralla të parealizueshme dhe të tentojmë të marrim ndonjë votë”. Dështimin e kemi lënë mbrapa. Përmes atyre qe kemi bërë, e lamë mbrapa skenarin Grek. Ekonomia është rritur në 3 vite. Sigurisht që 3,5% nuk është mjaft, por është shumë më shumë se 0 në 2013. Në këto 4 vite është realizuar 26% e punësimit total në vend. E megjithatë, nuk është mjaft. Kemi shumë për të humbur më 25 qershor dhe dua gjithashtu t’ju bëj thirrje që ky qytet që tashmë është qytet dinjitoz, nuk do të duhet të bëjë qoka për parti të vogla. Nuk do të duhet të bëjë qoka për “1 vend pune-1 votë” ose “merr një vend pune, më jep votat e familjes”. Kjo është primitive, këtë e kemi lënë mbrapa me atë qerthullin e vjetër të primitivizmit politiko-shoqëror-ekonomik” – tha Ahmetaj.

 

SHKARKO APP