Aksidentohet kampionia 21-vjeçare e atletikës, rrezikon paralizën

Sporti nuk është vetëm argëtues sepse në nivele profesioniste, mund të bëhet edhe i rrezikshëm. Kampionia e atletikës në kulmin e karrierës kur ëndrrat i kishte para, rrezikon të mbetet e paralizuar. Fati i keq ka ndjekur sportisten 21-vjeçare austriake të hedhjes se larti, Kira Grunberg, e cila është dëmtuar gjatë stërvitjes së zhvilluar në Insbruck. Gjatë një prove rutinë, Kira e cila është edhe rekordmene kombëtare me 4 metra e 45 centimetra, nuk arriti të binte mbi dyshek, duke u rrëzuar në pistën e atletikës. Ajo u transportua menjëherë në klinikë universitare të qytetit, duke iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Diagnoza është e zymtë, pasi Grunberg ka pësuar një frakturë në vertebrën e qafës dhe rrezikon të jetojë e paralizuar. Spitali bën me dije se atletja është në terapi intensive dhe gjatë orëve të ardhshme do t’u nënshtrohet testeve shtesë, por beteja për t’iu rikthyer jetës normale do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Grunberg garon në arenat ndërkombëtare që në moshën 10-vjeçare, ndërsa numëron 7 tituj kombëtarë në Austri, ndërsa nuk e kishte siguruar ende biletën për në Botërorin e Pekinit. Precedentët e dëmtimeve të rënda në këtë sport janë të shumta. Gjatë vitit 2002 në Shtetet e Bashkuara gjatë 7 javëve ndërruan jetë dy sportistë liceu nuk arritën të preknin dyshekun duke u përplasur me pjesën e fortë të pistës.

SHKARKO APP