Aksioni antiinformalitet, Ahmetaj: Barazi në treg
Një ditë para fillimit të aksionit antiinformalitet, ministri i Financave u ka kërkuar autoriteteve tatimore të mos tolerojnë asnjë shkelje të ligjit.
“Është detyrë e administratës fiskale, e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e Inspektoriatit të Punës që të reflektojnë në terren zbatueshmërinë shumë këmbëngulëse të ligjit, e një modesti maksimale në përqasje me qytetarët dhe me sipërmarrjen”, deklaroi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Kreu i Financave tha se qëllimi i aksionit nuk është të mbledhë më shumë parà në buxhetin e shtetit, por t’i shërbejë biznesit duke krijuar barazi në treg.
“Aksioni antiinformalitet ka kryesisht korsinë e edukimit dhe të komunikimit me tatimpaguesit dhe sigurisht të sondimit të zbatueshmërisë së ligjit në sektorë të ndryshëm, të cilët dalin në platformën tonë të menaxhimit të riskut, me risqe më të larta”, u shpreh më tej ministri Ahmetaj.
Ndaj, sipas tij, qeveria do të ndëshkojë çdo nëpunës të administratës fiskale, që penalizon pa të drejtë biznesin ose qytetarët./TCH/