Aksioni për gjelbërimin, Veliaj thirrje bizneseve: “Dhuroni dy pemë për çdo makinë”
Vjeshta e vonë dhe dimri janë periudha më e mirë për mbjelljen e pemëve, ndaj dhe Bashkia e Tiranës ka nisur prej ditësh aksionin e saj të gjelbërimit dhe pyllëzimit, jo vetëm në qytet, por edhe në atë që në të ardhmen do të jetë Pylli Orbital.
Synimi i saj për këtë vit është që të mbjellë më shumë se 50 mijë pemë, duke vendosur në këtë mënyrë dhe një rekord. Por që ky synim të realizohet dhe qyteti të ketë më shumë gjelbërim dhe ajër të pastër, kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar edhe bizneset që të kontribuojnë duke dhuruar pemë, kjo edhe si një mënyrë për të kompensuar gjithë ndotjen që çlirojnë makineritë por edhe automjetet e tyre të punës.
“Keni një biznes që përdor shumë makina? Dhuroni 2 pemë për çdo makinë, zeron impaktin e karbonit mbi mjedis nga mjetet tuaja dhe gjelbëron Tiranën”, shkruan Veliaj.