Akt burrëror e fisnik
Nga Gjekë Gjonaj
“Ulqini, qyteti ynë i lashtë e me traditë, nuk ka investuar shpirtërisht tek figurat e shquara të shkencës, artit e kulturës të këtij nënqielli. Prandaj, dëshiroj me dashamirësi, t’ua vë në dijeni autoriteteve vendore që të fillojnë t’i vlerësojnë këto autoritete shkencore e kulturore me çmime “Qytetar Nderi” , siç bëjnë të gjitha qytetet me civilizim të lashtë në hapësirën mbarëshqiptare. Sepse ata me veprimtarinë e pasur mësimore dhe shkencore nuk i kanë bërë nder vetëm vetes, por janë edhe nderi dhe krenaria e Ulqinit”. Kështu jam shprehur në fjalën time modeste me rastin e 75-vjetorit të lindjes së prof.dr. Simë Gjon Dobrecit. Ky shqetësim i cili mendoj se nuk më ka munduar vetëm mua tashmë u kthye në kënaqësi. Komuna e Ulqinit, në një ceremoni solemne për ditën e saj, më 4 prill 2015 i ka shpallur qytetar nderi kryeministrin e Shqipërisë dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Kosovës, Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, për rolin e tyre historik në promovimin e paqes dhe dialogut midis popujve të Ballkanit, marrëdhënieve të ngushta fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë me Malin e Zi, integrimin euro-atlantik dhe rolin shumë të rëndësishëm në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Ballkan dhe posaçërisht në Mal të Zi. Pa më të voglin dyshim kjo datë do të shënohet në historinë e re të Ulqinit. Sepse në këtë qytet margaritar ndodhi një ngjarje e cila s’kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë 2500 vjeçare të tij. U thye një akull shekullor për qytetarët e këtij qyteti.
E gjithë bota e informuar shqiptare atë ditë ishte e përqendruar te Ulqini.
Lajmi se edhe Ulqini iu bashkëngjitë qyteteve tjera shqiptare me traditë edhe më të vogël se sa ai, mori dhenë. U mirëprit në mbarë botën shqiptare. Kësaj ngjarjeje ia shtoi vlerën dhe peshën edhe prania e presidentit të Malit të Zi Filip Vujanovicc dhe korit diplomatik i akredituar në Podgoricë. Ulqini ishte një pikë përbashkimi mes shqiptarëve dhe malazezëve. Ishte një atmosferë e veçantë, e ngrohtë, vëllazërore dhe mbresëlënëse. Nuk vërejta njeri në sallën e Qendrës Kulturore të Ulqinit që nuk e duartrokiti momentin kur kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka ua dorëzoi mirënjohjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit. Edhe më emocionuese ishin fjalët falënderuese të qytetarëve të ri të Ulqinit, ku nuk munguan as batutat, e kreut të qeverisë së Shqipërisë. “Unë dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për titullin, dhe t’ju falënderoj për këtë mikpritje duke ju lutur që të mos më keqkuptoni. Nuk më ka shku mendje me u feju, e as me marr një ulqinake. Po mund të them që për këtë qytet nuk është e thjeshtë për mos me të zan i ziu marak”.
Ky nderim që iu bë dy figurave të shquara politike shqiptare me ndikim të fuqishëm për çështjen e shqiptarëve në qarqet më të njohura të politkbërjes në Bruksel dhe Uashington është një akt burrëror e fisnik, në të mirë të çështjes shqiptare në përgjithësi. Gjest civilizues. Veprim sa vëllazëror aq edhe i guximshëm për rrethanat e kohës i cili mbi të gjitha përcolli mesazhin e dashurisë dhe respektit brenda vetë komunitetit shqiptar në Mal të Zi, vlerë kjo universale e përjetshme e kombeve të qytetëruara. Vlerat njerëzore çmohen nga njerëzit e mençur”. Kjo sentencë bashkudhëtare e historisë së njerëzimit gjen mishërim të plotë në vendimin e kryebashkiakut të Ulqinit për të akorduar këto mirënjohje. Askush nuk di të nderojë si i nderuari, thotë sovrani popull.