Akt evolucioni: po i largohet a po i afrohet vetes njeriu?

 

Një nga shkrimet e pakta që na la Atjon V. Zhiti, studenti i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano. Sërisht spikat mendimi rinor, i veshur me ndjenjë, pasioni për t’u endur në kohë, nga lashtësitë deri në çastin kur shkruan, shqetësimi i “individit për individin” dhe universin që e rrethon, e gjitha me origjinalitet dhe freski plot dritë. Me dashuri, në nderim dhe përkujtim të ëndrrës së Atjonit, teksa po e vazhdon në qiell…                                                    

 

ESSE

Atjon Zhiti                                                             

 Konflikti i individit me botën sociale, ku ai jeton, në vetvete është një akt evolucioni që fillon nga teo-gjeneza deri në fundin e pafundmë të kohërave. Individi gjithnjë është munduar të përshtatet me botën, të përkufizohet, pra të humbë liri natyrale të vetes dhe të përshtasë botën, pra të shtojë liri sociale të intelektit të vetes. Ky është një udhëtim, që: Duhet ditur nga vjen dhe më shumë duhet ditur se ku shkon…

Aristoteli e konsideronte indidvidin një kafshë politike, i destinuar jetës humanitare, ndërsa romakët në kundëpozicion me “homologët” e tyre, me Ciceronin, kishin konceptin e “individium” & “dividium”/ i vecantë, i veçuar, i ndarë, kurse Seneka supozonte që individ mund të quhet çfardo lloj objekti, sendi, gjallësí, entitet që është i pa ndashëm dhe i pa kuptimtë në mos-bashkimin e tij. Me kalimin e kohës, me zhvillimet bashkë me njeriun, empiristët në fakt mendonin se individi ishte një “tabula rasa”, ku përpunohej si argjili nga eksperienca & edukata që merr, fati kolektiv, do të shtoja unë.

Hegeli theksonte faktin se individi në të vërtetë është një qenie me ndërgjegje e moral të lartë që tejkalon barrierat e kënaqësive të vogla. Ekzistencializmi me Kierkegardin & Nietzsche e konsideronin individin dhe njeriun një qenie pa-Zot, e cila e kishte krijuar atë në sajë të interesit vetjak dhe individi në të vërtetë duhej të plotësonte dëshirat e tij tokësore me pasion, epsh, etj. Si të thuash të qenit zot pa Zot. Gjithë këto ide e mendime për individin (kupto: njeriun) parashtrojnë konfliktin gjithmonë-ekzistues midis individit dhe botës sociale ku ai jeton, pra ku është dhe tjetri, dhe të tjerë, njerëzit – me ata që kanë qenë, që sjellin krahas harresës edhe përvojën e përgjithshme dhe me ata që do të vijnë, që kërkojnë përgjegjësitë e të tanishmes e na bëjnë të krijojmë ëndrrën e së ardhmes, që meqënëse duket sikur bota nuk është e përshtshme për njeriun, por njeriu duhet t’i pështatet asaj, duhet të punojmë me jetën. Dhe jo vetëm.

Individi,  pra njeriu arsyeton pa ekziston dhe ky kushtëzim i jetesës dhe i mbijetesës që na qenka në bazë të mendimit, automatikisht sjell konfikt midis individit, sepse gjithsecili mendon ndryshe, ashtu si tjetri, por si vetja më shumë, sipas asaj që intereson, aq sa është arritur të thuhet se njeriu mendon me stomak (Hegel) . Konflikti nuk do të shuhet kurrë & nëqoftëse do të shuhej do të sillte shkatërrimin e njerëzimit, por duhet shtuar, si të thuash armët, mjetet, pëveç stomakut, të futet truri dhe zemra, intelekti dhe shpirti.  Njeriu është një qenie që me botëkuptimin e tij është i aftë të prodhojë histori dhe prodhimi i histories është një pjesë shumë e rëndësishme e ermeneutikës së tij. Ky “konflikt” është një indeks zhvillimi dhe evolucioni, sepse nëqoftëse ne vërejmë, gjithmonë problemet & shqetësimet bënë që njeriu të arsyetojë e të mendojë për to, për të gjetur rrugëzgjidhje, gjetja e saj ka rëndësi jetike dhe mosgjetja ka dyfish rëndësi për të tashmen e njeriut, sepse bën që të jetojë dhe bashkëjetojë me problemin & shqetësimin, pra me projektet, jo vetëm të tij, por më gjerë, deri dhe të gjithë njerëzimit dhe si rrjedhojë kalohet në prodhimet e konflikteve shpirtërore, që kanë si qëllim dhe lëndë përkryerjen, përsosjen.         Pra, çdo konflikt transformohet në shpirtëror, duke u bërë, siç kanë qenë përherë, motor zhvillimi për njeriun. Njeriu duhet të mësojë që nuk janë objektet që kushtëzojnë shqisat, por janë shqisat që kushtëzojnë. Mosbota humane bashkë me atë humane pëzihen dhe socializohen dhe… Dhe?

Shqisat e njeriut, sufiçente në krahasim me të tjera qënie e dukuri dhe insufiçente në krahasim me po ato qenie e dukuri e të tjera që nuk i dimë, por nuk do të thotë që s’do t’i dimë, përbëjnë një thelb jetësie, mundësi dijesh, një konflikt të saj, pra të vetes dhe të vetëve, të jetës sociale, ku jemi ne mes të tjerëve, tjetri tek uni, gjithmonë mes njerëzimit dhe gjërave dhe dukurive e imazheve të tyre, që kohët modern i kanë shndërruar në objekte, po aq të forta, në mos më shumë se origjinalet e tyre, që sa më kundër të bëhen, aq më vështirë për individin dhe sa më kundër të jetë individi ndaj tyre, aq më i vështirë vetë-organizimi, i përkryer dhe ende me mistere në lëndën, materien, në mikrobotën ashtu si në makrobotën. Me mister kuptoj atë që ne ende nuk e dimë. Po i largohet a po i afrohet vetes njeriu? Do bëjmë shkencë apo do na bëjë shkenca? Konflikti nuk mbaron, do bashkëjetojmë me të, gjetja e ekuilibrave që të kujton akrobatin që ecën mbi tel në lartësi me atë stekën ndër duar e ne ngremë kryet e shohim me ankth, do të bjerë apo jo? Në fakt jemi ne që ecim brenda vetes, ne telin e jetës sociale. Të ulim kokën dhe të shohim brenda vetes, është njëlloj me ngritjen e kokës. Ta tregojmë sa të zotë jemi. Në fakt ne bëjmë vetvetet, për veten dhe tjetrin, që jeta sociale të jetë sa më pak tëhuazuese. Që konflikti të mos jetë torture, por vuajtje intelektuale, mundësisht gëzim.                                

Lumturia është detyrë, por të mos ndjehet si e tillë…

 

 

 

SHKARKO APP