Akuzat, Beqaj: Basha duhet të bëjë një check-up për shëndetin mendor

Pas akuzave të Lulzim Bashës në Dibër për qeverinë e majtë dhe konkretisht për ministrin e Shëndetësisë për koncesionet, ka reaguar ish-ministri Ilir Beqaj.

E ndërsa i kujton Bashës mbylljen e procesit gjyqësor për Rrugën e Kombit, sipas tij me recetë pushimi që merrte te mjeku, Beqaj i këshillon kreut të PD, që të bëjë një check-up për shëndetin mendor.

Statusi i Ilir Beqjes
Zakonisht nuk dëshiroj të hyj në polemika shterpë. Sidomos me politikanë të cilët i kam sfiduar një herë, por janë fshehur pas avokatëve. Lulzimi është pikërisht një i tillë.

Mësova se sot në Peshkopi ka hedhur të njëjtat akuza ndaj meje, për të cilat kohë më parë, shkurt 2016, kur e sfidova në një gjyq publik, u shmang duke dërguar avokatët, të cilët justifikuan gjithçka me “akuza politike”. Pra, e thënë ndryshe, me fjalë ne erë “për shkak të detyrës”.

Lulzim, jam i ndërgjegjshëm që fushatën tënde e mori lumi qëkur hape fletët e çadrës së bulevardit dhe kur bëre listën e kandidatëve që la jashtë gjysmën e demokratëve.

E di se në Dibër vjen pas humbjes përvëluese të bashkisë, e cila tregoi se dibranët nuk kapen pas fjalëve boshe, të një njeriu bosh, pa program dhe pa ide.

Po të kujtoj që akuzat duhet t’i mbrosh edhe kur i nxjerr nga goja, edhe kur ftohesh t’i provosh para një paneli gjyqtarësh.

Ndryshe do të vazhdosh të jesh i njëjti politikan burracak, si ai ish-ministri i jashtëm që i ikte procesit gjyqësor për 220 milion euro abuzime në Rrugën e Kombit, me receta pushimi që merrte te mjeku.

Unë nuk jam në politikë për të ecur përpara me procedurë, nuk jam as i hedhur me parashutë siç të hodhën ty në vitin 2005. Përgjigjen më të mirë për fushatën që ke nisur do ta marrësh në 25 qershor. Kurse për akuzat kemi ende kohë të matemi bashkë aty ku të ftova dhe ku u fshehe.

Sa për check-up ja ku janë fotot nga vizitat dje në Muhurr. Të këshilloj ta bësh dhe ti check-up, sidomos atë pjesën për shëndetin mendor.

SHKARKO APP