Akuzat e PD/ Marta Kos nuk tërhiqet nga deklarata: Hiqeni korrupsionin nga mendja, ndryshimi vjen edhe nga shoqëria
Pak ditë pas akuzave të Partisë Demokratike, komisionerja evropiane Marta Kos është kundëpërgjigjur me një postim shpjegues, ku sqaron deklaratat e saj për korrupsionin dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjatë intervistës së saj për Politico e cila u prit me reagime të forta në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, ndonëse Kos nuk i përmend sulmet që i erdhën nga demokratët, e gjen të nevojshme ta bëjë të qartë se shoqëritë e vendeve që duan të futen në BE duhet ta heqin korrupsionin nga mendja.
“Le të jemi shumë të qartë për atë që po ndodh. Këtë javë fola në Samitin ‘Competitive Europe’ të Politico. Shpjegova që ne kemi nevojë për debat të vazhdueshëm mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ndërkohë që kjo ndodh, ne duhet të jemi 100% të angazhuar ndaj mbështetjes së vendeve kandidate me reformat e nevojshme. Në të gjitha vendet kandidate, ndërtimi i institucioneve të forta demokratike është njëra anë dhe ana tjetër është ndryshimi i mentalitetit të shoqërive që edhe ato ta luftojnë korrupsionin.
Procesi mbetet i bazuar në meritë. Ndërsa çdo vend kandidat ka rrethana specifike, baza për anëtarësimin në BE mbetet e njëjtë për të gjithë. Të hysh në BE nuk është thjesht për të markuar kutizat, por edhe për të bërë ndryshimin realitet”, shkruan Kos.
KOHA JONË SONDAZH

