Alain Delon shtrohet në spital, shëndeti i aktorit u përkeqësua nga vdekja e të dashurës
Ikona e kinomatografisë franceze Alain Delon, 81-vjeç, është shtruar në spital për të kryer një operacion të programuar.
Për më shumë se 24 orë, lajmi se Delon është shtruar në spital pushtoi jo vetëm median franceze.
Familja Delon dha të enjten një deklaratë për median mbi gjendjen shëndetësore të aktorit 81-vjeçar.
E bija e aktorit, Anushka Delon tha për gazetën Le Parisien se ishte një operacion i planifikuar. Sipas saj, Delon prej, dy-tre, vitesh vuante nga një problem i qarkullimit në këmbë dhe i duhej patjetër të bënte një ndërhyrje me një urë.
“Mos i varrosni njerëzit para kohe! Im atë nuk ka asgjë të rëndë!”, tha e bija e aktorit. Pak më vonë, vetë aktori deklaroi se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndjehej i kënaqur që e bija sqaroi të vërtetën.
Mediat franceze kanë shkruar se arsyeja e vërtetë e përkeqësimit të shëndetit të aktorit Delon, ishte vdekja Mireille Darc, me të cilën ai kishte bashkëjetuar për shumë vite.
“Sigurisht që ai u prek shumë nga vdekja e Mireille Darc, por shtrimi i tij në spital nuk ka asnjë lidhje me këtë”, tha për mediat franceze Anushka Delon. Vetë Alain Delon pak kohë pas vdekjes së aktores, u shpreh për Paris Match: I them vetes që ajo nuk po vuan më. Ishte një kalvar, kjo vuajtje. Ata që vuajnë janë ata që rrojnë. Kjo më bën të ndjehem shumë keq! Ajo meritonte kaq shumë të jetonte…
Aktori kish deklaruar madje: “Pa të, edhe unë mund të largohem.”/Opinion/