Alarmi i BB: Shqipëria mes vendeve që ka pësuar humbje të mëdha nga moti
Banka Botërore ka publikuar një raport të veçantë për impaktin e thatësirës dhe kapriçove të motit në ushqimin e popullsisë nëpër botë por edhe në ekonominë globale për rrjedhojë.
Raporti i sapopublikuar, që mban titullin; “Ujërat e paekspozuar, ekonomia e re e skarsitetit”, është unik në llojin e tij dhe hedh dritë mbi një fenomen që së fundmi ka goditur fuqishëm edhe vendin tonë.
Ilustrime të ndryshme të Bankës Botërore tregojnë se, Shqipëria nuk është aspak në pozita të mira, dhe se është nën kërcënim të vazhdueshëm.
Veç të tjerash, institucioni me bazë në Washington, arrin në përfundimin se, vendi ynë ka pësuar humbje të mëdha nga fenomenet e ndryshme të motit gjatë 2 dekadave të fundit.
Raporti fokusohet më së shumti te cilësia e ujit dhe përdorimi i tij nga vende të ndryshme. Ky grafik, tregon se, Shqipëria është mes vendeve që e përdorin më së shumti ujin, dhe mes vendeve që kanë një skarsitet të moderuar të ujit.
Banka Botërore ngre alarmin edhe mbi një tjetër fenomen; atë të pranisë së lartë të ujit të pijshëm për frymë në vendet që kanë një rritje të popullsisë mjaft të ulët, dhe mungesën e ujit në vendet me një rritje të frikshme të popullsisë.
Vendi ynë klasifikohet në grupimin e parë. Një tjetër hartë ndërkohë, tregon se, Shqipëria është ndër vendet që ka pësuar humbje të mëdha në ushqim, si pasojë e shokut të shirave, pra mungesës ose tepricës së tyre.
Në një tjetër hartë ndërkohë, Shqipëria, së bashku me disa vende të rajonit, si Serbia, Bosnje Hercegovina, Mali i zi dhe Kroacia, që ilustrohen me ngjyrën rozë, ose të kuqe në rastet më ekstreme, evidentohen si vendet që kanë pësuar humbjet më të mëdha në prodhimin e ushqimit ndër vite si pasojë e motit.