Altini i Mrizit të Zanave me Gjergji i Rozafës, në Fish City për të promovuar verën shqiptare

Nga Albert Vataj
Një takim që ngjalli entuziazëm, pozitivitet dhe krenari shqiptare. Altin Prenga, themeluesi i “Mrizit të Zanave”, dhe Gjergj Luca, sipërmarrësi vizionar i “Rozafa Fish City”, u bashkuan në një ngjarje të veçantë në Fish City, për të promovuar verën shqiptare dhe për të dhënë një shembull të gjallë të bashkimit mes punës, pasionit dhe dashurisë për këtë vend.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot jetë, Luca ndau një video në rrjetet sociale, ku shfaqet me Altinin, duke vlerësuar këtë bashkëbisedim të dy njerëzve që përfaqësojnë modelin e Shqipërisë që krijon, që beson dhe që nuk dorëzohet.
“Kur bëhen bashkë Altini i Mrizit të Zanave me Gjergjin e Rozafës, kuptohet çfarë energjie e çfarë dashurie i japin këtij vendi. Ne do të mbetemi çdo ditë në Shqipëri si kokëfortë optimistë, se puna dhe e vërteta janë formula sekrete e zhvillimit. Gëzuar me një gotë verë nga Altini dhe me një përqafim nga Gjergji!”, shkruan Luca.
Në videon e publikuar, Luca e prezanton Altinin me humor, dashuri dhe respekt të thellë:
“Altini, bosi i Mrizit të Zanave, ky investon në traditë, ky investon në shqiptari, dhe ky ka çfarë i lë trashëgimi Shqipërisë. Ndërsa ne bosat e mëdhenj, oligarkët si puna ime, ironizon Luca me buzëqeshje, vetëm vëmë tulla dhe numërojmë lekë. Altini ka ardhur në Fish City për të promovuar verën shqiptare, verën që e prodhon te Mrizi i Zanave.”
Kjo skenë, përtej një momenti miqësor, përcolli një mesazh të fuqishëm për vlerat e sipërmarrjes së ndershme dhe për bashkimin e forcave të krijueseve shqiptarë. Sepse Altini Prenga dhe Gjergj Luca, secili në fushën e tij, janë bërë simbol i qëndrueshmërisë, pasionit për punën dhe përkushtimit ndaj produktit shqiptar, nga toka, deti dhe dora e mjeshtrit që e kthen natyrën në vlerë.
Në vijim, Gjergj Luca, i cili di të komunikojë me publikun me një energji të rrallë, hyri mes tavolinave të restorantit të Fish City ku po drekonin vizitorët dhe, duke prezantuar Altinin, i ftoi të gjithë të konsumonin verën shqiptare. Ai ndau me ta kuriozitete rreth historisë së verës në Shqipëri, nga rrënjët e vjetra ilire e deri te prodhimet e sotme që konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.
“Të shijojmë shqip, të jetojmë shqip”, ishte thirrja e Lucës, ndërsa Altini e vulosi këtë mesazh simbolikisht duke dhuruar në çdo tavolinë nga një shishe verë të prodhuar në “Mrizin e Zanave”, si një shenjë mirënjohjeje dhe krenarie kombëtare.
Atmosfera u kthye në një festë të vogël të bashkëpunimit dhe krenarisë shqiptare. Nuk ishte thjesht një promovim vere, por një manifest i kulturës së punës, i vlerave të autoktonisë dhe i shpresës se Shqipëria mund të ndërtojë të ardhmen mbi forcat e veta.
“Mrizi i Zanave” dhe “Fish City” janë sot dy histori të suksesit shqiptar, dy laboratorë ku tradita takohet me inovacionin, dhe ku dashuria për tokën dhe detin kthehet në përvojë për t’u jetuar, për t’u ndarë e për t’u admiruar.
Në fund, ajo gotë verë që u ngrit në “Fish City” ishte më shumë se një shije e mirë: ishte një urim për Shqipërinë e punës, të pasionit dhe të bashkëpunimit, ku njerëzit si Altini e Gjergji e bëjnë ndryshimin duke besuar se zhvillimi ka një formulë të thjeshtë, puna, ndershmëria dhe dashuria për vendin.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?