Ambasadorja holandeze vizitë në Kukës, thekson nevojën për zhvillimin e turizmit
Në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, Bashkia Kukës organizoi një aktivitet në Muzeun Etnografik të qytetit me synim promovimin e vlerave, ndërgjegjësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore si pjesë integrale e identitetit tonë.
E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Dewi Van de Werd e cila përgëzoi iniciativën e Bashkisë Kukës për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit dhe nënvizoi se turizmi në Shqipëri, po merr një hov të madh zhvillimi.
Luan Përzhita, Drejtues i Institutit të Arkeologjisë duketheksuar rëndësinë e zonës së Kukësit në arkeologji e trashëgimi kulturore, për të pranishmit në aktivitet bëri një përmbledhje të historikut të qytetit të Kukësit dhe zonave të pellgut të Drinave.
“Duhet të ndjehemi krenar për ato që kemi trashëguar. Tani është momenti që edhe të tjerët të dinë rëndësinë e kësaj zone” u shpreh Përzhita.
Duke falenderuar pjesëmarrësit në këtë aktivitet Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu në fjalën e tij tha se promovimi i vlerave dhe trashëgimisë kulturore është një ndër prioritetet e Bashkisë edhe si pjesë e strategjisë për zhvillimin e turizmit.
“Duhet të bëjmë të pamundurën që turistët ti mbajmë sa më gjatë në Kukës dhe ti njohim ata jo vetëm me bukuritë natyrore por edhe me ato çfarë ne kemi trashëguar, qoftë me Kalanë e Pecës, Kalanë e Gradishtës, Muzeun apo Tumat Ilire në Çinamakë.”