“Ambulantët në skemën e Tatimeve”, Tirana ndalon shitjen e rrobave në rrugë

Ende pa nisur diskutimi në komisionet parlamentare, projektligji i qeverisë për përfshirjen e shitësve ambulantë në skemën e Tatimeve, do të nisë shumë shpejt zbatimin e tij në terren.

Brenda këtij viti Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë aksionin për ndalimin e shitjes së rrobave në rrugë.

Gjithashtu do ambulantët, librashitësit, frutaperimet dhe luleshitësit do të kenë një dizanjë të caktuar të tezgës së tyre.

E deklaroi kryetari i bashkisë Erion Veliaj: “Brenda këtij viti do të bëjmë dizanjine ri të pikës së tyre të shitjes që të jetë estetike , për luleshitësit, frutat dhe karrocat e ambulantëve”.

Projektligji për ndryshimin e procedurave tatimore: Ambulantët duhet të pajisen me leje nga bashkitë

Të gjithë tregtarët ambulantë do të përfshihen në skemën e tatimeve, dhe për të ushtruar veprimtarinë e tyre në vendet publike, do të duhet marrin leje nga bashkitë apo njësitë vendore pranë bashkive të mëdha. Është ky thelbi i projektligjit për disa ndryshime të ligjit “Për procedurat tatimore”, të sjellë në Kuvend për shqyrtim nga qeveria shqiptare. Në relacionin bashkëngjitur projektligjit në fjalë, Ministria e Financave sqaron se drafti është pjesë e planit të veprimit kundër informalitetit, duke pretenduar se kjo nismë është në kuadër të thjeshtimit të procedurave tatimore. “Ky projektligj është pjesë e paketës së masave, ligjore e nënligjore, të ndërmarra së fundi nga Ministria e Financave në kuadër të thjeshtimit të procedurave tatimore. Plani i veprimit kundër informalitetit synohej të shoqërohej në të njëjtën kohë me një sërë masash për thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave fiskale, duke synuar reflektimin e pritshmërive dhe kërkesave të bizneseve në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe miradministrimit tatimor”,- thuhet në relacion.

SHKARKO APP