Amnistia/ Në 3 muaj 162 mln lekë falje në Tiranë. Fshihen nga lista 2283 automjete
Drejtuesit e automjeteve po tregojnë interes për të çregjistruar mjetet e vjetra apo ato që tashmë nuk i kanë fizikisht por janë thjesht pronarë në letra. Ndonëse sezon pushimesh janë të shumtë ata të cilët i janë drejtuar Drejtorisë së Transportit Rrugorë në Tiranë, për të çregjistruar mjetin e tyre.
Për të pritur fluksin e qytetarëve, janë në dispozicion dy sportele, që kryejnë veprime. Janë 2283 automjete të Çregjistruara deri në muajin Gusht. Drejtues të zyrës së transportit dhe shërbimit rrugor, thonë se kategoria që ka shfaqur interes, është ajo që kryen çregjistrimin e mjetit, pa paguar detyrime.
“Janë kryer 2283 çregjistrime e kthyer në vlerë monetare rreth 162 mln lekë të reja të falura nga shteti. Vazhdon me ritme të kënaqshme, kryejmë rreth 20-25 çregjistrime në ditë”, tha Fation Pollozhani, përgjegjës sektori për Çregjistrimin e mjeteve.
Në ligjin e fshirjes së pjesshme të detyrimeve parashikohet se mund të përfitojnë 140 mijë automjete sot me detyrime ndaj shtetit. Drejtoria e shërbimit të transportit rrugorë saktëson se edhe pa kërkesë në sportel mjetet do të fshihen nga sistemi në Janar të vitit 2018. “Nëse ato nuk paraqiten deri në 31 dhjetor 2017 ligji e ka shumë të qartë në 1 janar 2018 të gjitha mjetet kalojnë inaktiv dalin nga sistemi nuk janë në sistemin tone”, pohoi Pollozhani. Ndërsa kategoria e dytë, asaj që i falen kamatëvonesat, por qe duhet të paguajë principalin, është ende e pa interesuar./News 24