Ana tjetër e valles së Osman Takës

Vallja e Osman Takës është nga më të bukurat dhe rrënjët e saj na çojnë shumë larg në thellësinë e shekujve. Vetë personazhi Osman Taka emrin e të cilit ajo ka marrë duke u nisur nga burime të këngëve autentike popullore çame, na shfaqet rreth  të viteve 1850-1877(6), vit që mendohet se është vrarë. Në to ai përshkruhet si një djalë i bukur, i shkathët, që dallonte nga të tjerët nga veshja, ecja, si valltar me nam dhe kaçak në kohën që jetoi. Të bën përshtypje që në disa këngë që unë kam mundur të gjej më shumë flitet për trimërinë e tij dhe vrasjen e pabesë sesa për cilësitë e tij të jashtëzakonshme si valltar. Kjo na bën të mendojmë se vlerat më të mëdha ai i ka patur si luftëtar, pavarësisht që të pavdekshëm e bëri vallja e famshme. Sigurisht duhet të ketë qenë një valltar i rrallë, se valle janë kërcyer në të gjitha trevat shqiptare si pjesë e pandashme e kulturës tonë, por që një valle të identifikohet me njeriun që e kërcen ( jo e krijon)  dhe të marrë emrin  e tij ndoshta duhet të jetë unike.    

“Ajde more Osman Takë/ Ajde more djalë i pakë/ Vet ka Konispoli/ Dajotë në Psakë”. Kemi një përcaktim  të plotë e të qartë që Osman Taka, është bir i Çamërisë, me babanë nga Konispoli dhe nënën nga lagja Psakë e Paramithisë. Osman Taka është shquar si pak djem të tjerë çamë në atë krahinë. Kënga vazhdon me portretizimin e tij fizik: Hajde more Osman Takë/Kur shkoje sokakut/me skalca fanello/Dizgjetë të kuqe/ Bota bëjnë shu’qur/ për djalin e bukur. Një portretizim i tillë i le goxha shtysë fantazisë së lexuesit për një djalë të pashëm por edhe që ndjek modën e vishet si pak djem të tjerë, pra një djalë sqimatar. Por ajo që të bën përshtypje në këto këngë është që Osman Taka ishte një luftëtar i lirisë që kërkohej nga Devleti turk. Mënyra sesi e vranë Osman Takën ishte nga ato mënyra aq të përhapura në atë kohë. Paguheshin dy vrasës dhe ata kryenin krimin. Në këtë rast përfaqësuesit e Devletit dilnin të larë. Kënga thotë: Vallë kush e vrau Osmanë?/Di shebekë e di zuzarë/Izeti me të vëllanë. Ose në një këngë tjetër: Të vranë o Osman të vranë/ Dy të liq e dy zuzarë/Izeti me të vëllanë/ tetë martina të dhanë. Pra Osman Taka nuk është vetëm një valltar i zoti por dhe një luftëtar trim që lufton për Shqipërinë për Vatanë siç thuhet ne vargje. Më tej kënga si gjithë këngët folklorike shprehet me vargje të kursyer që shpesh janë jo më shumë se dy tre të tillë, por që  shpalosin një histori të tërë. Poeti anonim është i kursyer: Në katër ose pesë vargje kuptojmë se ai që merr përsipër të çlirojë vatanë është me qefin në kokë thotë një fjalë e urtë. Këtë e dinë të gjithë e di dhe ai vetë ashtu si e di dhe nana e vet. Vanë nanës e i thanë/ Shko nane dhe shtro divanë /se Osmanin tij ta vranë/ Mirë bënë që vranë/ se trimat ashtu e kanë / kur luftojnë për vatanë. Këto vargje meritojnë respekt, ndoshta edhe çudi për lexuesit sesi një NANË mund të shprehet që mirë bënë që ia vranë të birin, por po të shohim dy vargjet e tjera ne kuptojmë që trimi Osman Taka, biri i asaj nane çame i ishte nisur një rruge pa kthim: Ose një vatan i çliruar ose vdekja mjaltë. Dhe kemi dy vargje lapidar që do tí kisht zili çdo luftëtar qw do tw binte për atdhe: Se trimat ashtu e kanë/ kur lëftojnë për vatanë. Gjithë popujt e kanë paguar me lumenj e dete gjaku pavarësinë e tyre. Lufta për atdhenë të shenjtëron, të jep bekimin e Nanës dhe njëkohësisht pavdekësinë. Ky është sipas meje Osman Taka, numër një,(i pari) që na vjen si një luftëtar që jep jetën për lirinë e vatanit pavarësisht nëse vritet në fushë të betejës apo pabesisht nga di zuzarë të paguar. Osmani tjetër, është ai që kërcen vallet shqiptare si askush tjetër, aq bukur sa një valle aq e vjetër e kërcyer nga pasardhësit e tij për qindra vite, merr emrin e tij. Ai nuk e shpiku nuk e krijoi vet atë valle, ai e gjeti atë nga të parët e vet, por e kërceu aq bukur, i dha aq shumë jetë, sa edhe sot e kësaj dite ajo njihet si Vallja e famshme e Osman Takës. Mund të ndodhë që të jesh një luftëtar për lirinë dhe të mbetesh i pavdekshëm në një valle trimash aq sa t’i japësh asaj emrin tënd. Rast i rrallë ky ashtu si vet personazhi i Osman Takës. Por poeti edhe në këtë rast e ka bërë detyrën e vet. Ai thotë: U vra një delikalli/Osmani me trimëri/Kush hidh valle si ai? Pra kemi vdekjen e një luftëtari dhe valltari të pashoq.

Nga Gëzim Zilja

SHKARKO APP