Analfabetët funksional në shkolla

Nga Fran Gjoka/Shkollat, mediat elektronike dhe ato të shkruara, gjithsesi mund dhe duhet të kenë në fokus të posaçëm e të vazhdueshëm problemet e kulturës gjuhësore, duke mënjanuar me urgjencë trajtimet e cekëta. Aty-këtu po përhapet një “standard” që nuk ka lidhje me gjuhën e gjallë shqipe, përkundrazi shpërdoron atë, po e largon nga standardi i njohur dhe tendencat e natyrshme. Ka jo pak raste që po guxohet të përdoren banalitete në ekranet televizive. Këto marrëzi, që fare mirë i njeh publiku, na shiten si gjetje gjuhësore moderne(!) Ky është një agresivitet i hapur gjuhësor. Është koha të pranojmë dhe të përpiqemi për të vënë nën kontroll duke ngritur barriera, miratuar ligje dhe ngritur struktura të posaçme për të mbajtur të pastër shqipen, që është pasuria më e madhe dhe e patjetërsueshme me të cilën krenohemi. Një shembull i tillë vjen nga Franca, e cila me ligj rregullon emërtimet publike dhe mbron gjuhën nga ndikimet e huaja. Ata që ndotin gjuhën shqipe duhet të vihen para “gjykatës gjuhësore” të ngritura nga institucione të specializuara, që e kanë për detyrë të jenë korrekt dhe të vënë në tehun e kundërshtimit çdo shmangie. Në qoftë se duhen dhe institucione penalizuese, mirë është të ngrihen.

Mallrat e skaduara që hidhen në treg shteti i ndalon, i sekuestron dhe i gjobit tregtarët. Po për gjuhën tonë kombëtare shqipe pse të mos ndëshkohen ata që kanë marrë “licencën”, por që në praktikë i sjellin dëm tregut mediatik të vendit? Kaloi më shumë se shtatë  vjet që u bë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Shqipja Standarde dhe Shoqëria Shqiptare sot”. Në këtë tubim ishin studiues me zë të gjuhës shqipe nga vendi dhe bota. U fol dhe u diskutua gjerë e gjatë për plotësime, përmirësime e saktësime që dikton realiteti i sotëm gjuhësor mbarëkombëtar. Aty u evidentuan dobësitë e karakterit objektiv si, kultura e ulët e të folurit dhe të shkruarit, mungesë respekti të standardeve gjuhësore dhe për pasojë e një mendësie negative aq e pranishme sot nga njerëzit publik, nga politikanët, njerëzit e letrave dhe të medias, pa lënë prapa shkollën. Pra, tërë ai aktivitet shkencor dhe me vlera të mëdha që u bë për gjuhën shqipe, u shua si flluskë sapuni. Po vihet re njëfarë “epidemie”, ku virusi i të folurit dhe të shkruarit me gabime ka kohë që ka hyrë, që më botimet letrare, në administratën publike, në shkolla etj. vallë kush duhet të mendojë për drejtshkrimin e shqipes? Shikon aty-këtu gabime drejtshkrimore tek mësuesit, nxënësit, gazetarët, punonjësit publik, letrarët e rinj etj.

Ka ardhur koha t’i vihet fre kësaj “epidemie” tronditëse ku MAS dhe Instituti i Gjuhësisë s’ka ende një strategji për këtë problem. Pra, analfabetizmi funksional ka filluar t’i shtrijë rrënjët e tij te një pjesë e konsiderueshme e mirë e nxënësve në shkolla. Kërkohet një impenjim nga mësuesit dhe drejtuesit shkollor për këtë kontingjent nxënësish të braktisur. Për pasojë, ka edhe mësues që flasin e shkruajnë tepër dialektor, sa bien ndesh dhe herë-herë kthehen qesharakë përpara nxënësve të tyre. Për këtë kategori mësuesish, të paktë në numër, por që flasin e shkruajnë gabim, urgjentisht të kalojnë në test drejtshkrimor. Në qoftë se s’bëhet një testim i tillë me mësuesit pa arsim përkatës pedagogjik, pasojat do të jenë më tronditëse. Mirë bëjnë specialistët e gjuhës që diskutojnë e shkruajnë për rreshtjet që ka krijuar media e shkruar dhe ndonjë shtëpi botuese që publikon vepra të dobëta letrare dhe ndonjë gazetë që ka kthyer botimin në qëllim biznesi. Është mirë që gazetat me  korrektësinë dhe sinqeritetin e tyre  të hapur publik me lexuesit e shumtë të tyre, duke bërë çdo ditë sqarimet përkatëse në një rubrikë të veçantë. Aty të botojnë korrigjimet e gabimeve në informacionin burimor si dhe të pasaktësive drejtshkrimore, duke pranuar vërejtjet dhe sugjerimet e lexuesve. Kjo mënyrë organizimi korrekte i punëve  në redaksi rrit gjithnjë efektivitetin gjuhësor e letrar në shtyp. Të mos gabohemi, media nuk ka asnjë ligj që ta detyrojë shtypin të përdorë gjuhën letrare dhe, nëse nuk e bën, të ndërmerren sanksione financiare. Asnjë lajm, shkrim gazete apo fjalim nuk mund të jetë në nivelin e duhur, n.q.s s’është në nivelin e duhur gjuhësor. Shkurt, po vërejmë se si po dhunohet ajo çdo ditë, duke e kërcënuar pastërtinë, natyrshmërinë dhe veçantinë e gjuhës shqipe. Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizmit, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë të mos shkruhej e përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët, nipërit e mbesat dhe stërnipërit  tanë, pavarësisht se ku lindin e ekzistojnë, shkolla është institucion dhe bazë e mësimdhënies së gjuhës letrare dhe detyrë parësore është të mësuarit e saj, ku sjell si rezultat aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të komunikuar e shkruar me frytshmëri atë. Por çfarë konstatojmë me tekstet e programet e gjuhës shqipe, ku mësuesit punojnë të pandryshuar prej vitesh.

Ka një mangësi të koncepteve të reja bashkëkohore të përmbajtjes kurrikulare të saj, mangësi të futjes së politikave të reja për formimin gjuhësor e letrar të nxënësve, mbingarkesë e teksteve të gjuhës, të mungesës së integrimit lëndor të teksteve alternativë dhe mbi të gjitha s’po punohet për forcimin e identitetit kombëtar përmes përvetësimit të gjuhës shqipe në shkolla. Ishte fatalitet për shoqërinë shqiptare mungesa prej 12 vjetësh të gjuhës shqipe në shkollat e mesme të arsimit të përgjithshëm. Pas këtij erozioni të tejzgjatur gjuhësor, MAS vendosi për vitin mësimor 2003-2004 futjen e gjuhës shqipe në vitin e parë të arsimit të mesëm të saj. Studiuesit duhet të tregohen të mirinformuar me metodologjinë e studimit dhe didaktikën e mësimdhënies së kësaj lënde.

Vërtetë u organizuan seminare dhe mësuesit e kësaj lënde u trajnuan, por duke parë që ky kontingjent mësuesish të gjuhës, kanë qëndruar larg sa për një kohë të gjatë dhe marrëdhëniet e ngrira prej kaq viteve nuk mund të ndryshojnë gjendjen sa hap e mbyll sytë për shkak të një  vendimi të vonuar që kjo lëndë të zhvillohej. Kjo shpejtësi në metodologjinë e ndërtimit dhe zbatimit në mësimdhënien e saj ka sjellë sot edhe ndonjë gabim dhe trysni në didaktikë dhe sërish po ruhet, si vite më parë, kolektivizmi i mendimit dhe i formimit të detyruar, larg kërkesave dhe nevojave të tregut global, të dijeve e koncepteve të sotme gjuhësore. Fatkeqësisht vazhdojmë të kemi tekste mësimore shqipe të konceptuara dhe të realizuara si një libër i vetëm me dy disiplina shkencore ,kur dihet fare mirë se gjuha është dhe mbetet sistem i veçantë i shkencës së gjuhësisë në rregulla dhe struktura fonetike ,gramatikore të formuara . Gjuha shqipe ka karakter normativ dhe është e njësuar si një gjuhë standarde shtetërore. Në shkollat tona këto dy disiplina jepen në një libër në vete me dy tekste ,që fatkeqësisht i përkasin disiplinave të ndryshme mësimore. Ka vite që mësuesit e kundërshtojnë unifikimin e dy teksteve të gjuhës e të leximit në një tekst të vetëm. Kjo kundërshti e mësuesve të gjuhës vazhdon të kalojë në veshin e shurdhër të institucionit përkatës. Pra gjuha e një kombi është dhe mbetet forma më kryesore e komunikimit mes njerëzve e njësuar sipas normave e standardeve dhe pjesë themelore e identitetit të kombit dhe trajtohet sot në shkollat tona si një lëndë e parëndësishme duke u bërë shtojcë e lëndës së leximit letrar , ku dihet fort mirë se ajo duhet të zërë vend parësor dhe jo dytësor në shkolla . Kristoforidhi hartues i abetareve të para shqipe dhe i gramatikës shqipe që në fillimet e mësimit ,shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe e trajtonte gramatikën si një tekst të veçantë. “Shqipëria nuk mësohet ,as nuk e ndrinë dot ,as qytetërohet dot me gjuhën e huaj, përveç se me gjuhën e mëmës që është shqipja”, – shkruante asokohe Kristoforidhi

Domosdoshmëria e ndryshimeve vjen sa kemi impenjim historik për këtë çështje, duke u bazuar edhe në përvojën e vendeve euroatlantike dhe lëvizja e lirë, ku ka zgjeruar kontaktet e shqiptarëve me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë. Sot kudo marrëdhëniet ndërgjuhësore po shfaqen me një dinamizëm e vrull të paparë. Realiteti i shoqërisë shqiptare e ka fituar deri diku qytetarinë në fushën e gjuhësisë. Ajo ka gurgulluar dhe sjellë ujëra nga lashtësia e shekujve, ku shqipja ka plazmuar mendimin, duke marrë forma të paana që nga mendimi i Naimit, Çajupit, Fishtës, Mjedës, Konicës, Nolit, Migjenit, Poradecit e deri te ai i Qoses e Kadaresë. Shkurt media e masmedia, si pushtet i katërt, duhet të rrezatojë nxitje për zhvillim të mëtejshëm mbarëkombëtar, ndryshe mbetet pushtet pa pushtet. Prandaj mediatorët dhe intelektualët e sotëm kërkohet të kenë më shumë se deri tani etikë gjuhësore, ndryshe po pengojnë ngritjen morale, dëmtojnë komunikimin dhe mirëkuptimin me lexuesit apo shikuesit. Sa për dijeni, prej botimit të kodit të parë drejtshkrimor të shqipes letrare standarde, kanë kaluar më shumë se tre dekada, një periudhë optimale për ndryshim dhe reflektim mbi shumë zgjidhje të bëra aty dhe për ta ribotuar këtë kod sa më shpejt. Vetëm kështu kërkojmë të forcojmë kulturën gjuhësore me ligjësitë e saj përkatëse. Ne kërkojmë të integrohemi, por sistemi ynë arsimor ende prodhon për tregun, ndaj s’jemi gjëkundi afër me sistemet arsimore të vendeve euroatlantike. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore kulturore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri, kur, në radhë të parë, respekton vlerat e kombit tënd.

Në këtë shkrim, kuptohet që nuk përfshihet gjithçka. Ndaj le të shërbejë për të ndriçuar sadopak një udhëz të re, një rubrikë debati mbarëkombëtar, duke i kushtuar vëmendje parësore këtij problemi mjaft shqetësues në zbehjen e gjuhës letrare dhe mendimit të saj, duke ngulmuar më shumë se deri tani për të sotmen dhe për të ardhmen e brezave të rinj përmes fjalës së bukur shqipe.

SHKARKO APP