Analistët: Rritja ekonomike nuk po shndërrohet në mirëqenie

Studiues të njohur të ekonomisë shqiptare pohojnë se ajo ka nevojë për ndryshime strukturore, në mënyrë që të shmanget cilësia e dobët e rritjes ekonomike, e cila nuk përkthehet në fitime të drejtpërdrejta për qytetarët.

Madje sipas tyre, në mënyrë paradoksale, ekonomia rritet në letër, ndërsa të ardhurat e qytetarëve kanë rënë, si për punëtorët aktivë ashtu edhe për gjithë shtresat dhe moshat e tjera.

“Qysh nga goditja e krizës së madhe 2009-2010, ekonomia shqiptare vazhdon të ketë një rritje të dobët, anemike, një rritje që nuk prodhon punësim, pra, një rritje që nuk krijon baza dhe premisa për të modernizuar ekonominë e vendit, për të krijuar punësim cilësor, për të rritur të ardhurat e qytetarëve etj. Ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit, edhe si konfirmohet nga shumë studime e raporte të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera, është që niveli real i të ardhurave të qytetarëve jo vetëm që nuk është përmirësuar, por në fakt, në shumë këndvështrime, janë pakësuar apo kanë rënë” – tha dr.Selami Xhepa, studiues i ekonomisë.

Edhe për profesorin Adrian Civici, drejtues i UET, shndërrimi i rritjes ekonomike në mirëqenie për popullatën është një sfidë e vërtetë për Shqipërinë, ndaj duhen hequr pengesat që devijojnë kthimin e fitimeve vjetore në më shumë punësim, konsum edhe zhvillim.

“Edhe në rastet kur kemi patur rritje ekonomike 5, 6 apo 7 për qind, që është mirë për një vend si Shqipëria, shndërrimi i saj apo përkthimi i saj në mirëqenie për një masë të madhe të popullsisë apo shtresa të ndryshme të saj, ka patur shumë dobësi dhe shumë shproporcione. Pra, sfida është: nga një anë strukturimi i ekonomisë për një rritje të lartë dhe cilësore, që është e domosdoshme për t’u theksuar, dhe nga ana tjetër përpunimi i gjithë mekanizmave që e shndërrojnë rritjen ekonomike në mirëqenie, që duhet të jetë edhe qëllimi kryesor i vet rritjes ekonomike, për të mos ngelur thjesht në statistika si përqindje” – thotë zoti Civici.

Cilësia e dobët e rritjes ekonomike, sipas profesor Selami Xhepa, lidhet me strukturën e veçantë të ekonomisë shqiptare, e cila dikton edhe strukturën e punësimit. Bujqësia sjell të ardhura modeste në ekonominë kombëtare, shërbimet po ashtu, ndërsa në prodhimet fason shfrytëzohet krahu i lirë i punës dhe pagat nuk janë aspak dinjitoze. Këto janë 3 shtyllat e strukturës ekonomike të Shqipërisë, të cilat nuk sjellin një rritje ekonomike cilësore e të qëndrueshme,

“Kjo strukturë ekonomike mbizotëron gati 60-70 për qind të ekonomisë. Pjesa tjetër është sektori i shërbimeve, i cili edhe ai është i një niveli shumë të ulët. Si rrjedhojë, produktiviteti i fuqisë punëtore vazhdon të jetë shumë problematik. Vetë kjo strukturë e ekonomisë ka diktuar një lloj punësimi jocilësor, që nuk garanton të ardhura të mjaftueshme për të bërë një jetë dinjitoze për familjet shqiptare” – thotë zoti Xhepa.

Ndërsa studiuesi Adrian Civici thotë se vendi ka nevojë për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse; pra që sa më shumë aktorë ekonomikë dhe në një shtrirje gjeografike sa më të gjerë të japin ndihmesë në rritjen ekonomike kombëtare.

Por Shqipëria ka një problem serioz struktural, sipas tij, sepse pjesën më të madhe të rritjes ekonomike e sjellin një numër shumë i vogël aktorësh ekonomikë, dhe pjesa tjetër kërkohen të mbulojnë nevojat me rishpërndarje të të ardhurave fiskale.

“Rreth 80-90 për qind e rritjes ekonomike vjen nga një numër 10-15 për qind e aktorëve ekonomikë, e për pasojë edhe frytet e kësaj rritje ekonomike u shkojnë kësaj kategorie të vogël të këtyre aktorëve ekonomikë e financiarë, që e krijuan. Pjesa tjetër, duke qenë pak e angazhuar dhe pak kontribuese në rritjen ekonomike, edhe përfitimet që ka nga rritja ekonomike janë po aq të pakta. Këta të fundit i kërkojnë qeverisë si zgjidhje rishpërndarjen fiskale, pra, gumbullimin e më shumë të ardhurave nga sistemi fiskal dhe pastaj politika fiskale dhe rishpërndarëse për t’i shkuar kësaj shtrese, e për të krijuar një barazi ekonomike më të pranueshme, se sa ky diferencim i madh që ne kemi sot” – thotë zoti Civici.

Sipas vëzhguesve të ekonomisë shqiptare, financat publike janë nën kontroll, treguesit makro-ekonomikë janë të qëndrueshëm, plani i të ardhurave u realizua sipas parashikimeve dhe nuk ka ndodhur ndonjë shformim i investimeve publike.

Megjithatë, ndryshe nga ekonomia në letra, në ekonominë reale ende deklarohen 40-45 për qind e banorëve në varfëri relative, një shifër kjo alarmante, sipas tyre, ndërsa kapitalet janë përqëndruar në 10-15 për qind të territorit Shkodër – Tiranë – Vlorë, ndërsa afro gjysma e popullsisë vazhdon të mbijetojë në bujqësi me vetëpunësim dhe pa asnjë mbështetje në zonat rurale të vendit. /VOA/

SHKARKO APP