Anglia brilante fiton në çastet e fundit

Anglezët kryesojnë në grupin B me 4 pikë, një me tepër se Uellsi e Sllovakia.

Anglia shënoi fitore me rezultat 2:1 ndaj Uellsit, e cila ishte edhe derbi britanik i grupit B të Kampionatit Evropian në futboll. Një fitore në çastet e fundit dhe që bëri tifozët e saj me lot gëzimi. Uellsi i Gareth Bales ishte shumë afër një pike, por e cila i rrëshqiti befasisht në minutën e 90+2. Uellsi e bëri të vuajë Anglinë, por jo edhe të dalë me një pikë. Anglia brilante merr trepikëshin e madh dhe kryeson me 4 pikë në renditje, duke lënë pas Uellsin e Sllovakinë me nga tri pikë dhe Rusinë të fundit me vetëm një sosh. Zëvendësuesit James Vardy dhe Daniel Sturridge janë kreatorë të fitores së Anglisë. Ndeshje e fortë dhe e paqartë deri në fund, por anglezët ia dolën të triumfojnë, duke i krijuar një qetësi vetes në sfidën e fundit kundër Sllovakisë e cila do të zhvillohet me 20 qershor në orën 21.00, ndërsa po të njëjtën ditë e orë Uellsi sfidohet nga Rusia.

Gjithçka është e hapur në grupin B se cila nga kombëtaret do të shkojë në të tetën e finales, por mbi të gjitha Anglia bëri hapin e madh. Në minutën e 7-të, Anglia sprovojë portën e Uellsit. Adam Lallana humb një rast ideal. Ai nga afërsia, në një pozitë të pastër gjuan mbi portën e Uellsit. Në minutën e 26-të, Gary Cahill u përpoq me një goditje me kokë ta befasoi portierin e Uellsit, Wayne Hennessey, por ky i fundit reagon me mençuri. Anglezët në minutën e 32-të kërkojnë penallti. Futbollisti Davies luajti me dorë, por pipi i gjyqtarit hesht. Smalling nuk pati fat, ngase gjuajtja e tij me kokë shkoi përskaj shtyllës së djathtë pingule të portës së Uellsit në minutën e 36-të.

Gareth Bale edhe një herë dëshmoi vlerat e tij se është i jashtëzakonshëm kur gjuan nga gjuajtjet e lira. Pikërisht në minutën e 42-të Bale shënoi golin e dytë në këtë evropian. Ai nga rreth 35 metra dërgon gjuajtje të fortë, duke e mposhtur portierin anglez, Hart dhe 0:1. Në pjesën e dytë, përzgjedhësi i Anglisë, Roy Hodgson, bëri dy zëvendësime të qëlluara, Vardy futet në vend të Kanes dhe Sturridge e ndërroi Sterling. Në minutën e 55-të, Wayne Rooney nga rreth 16-17 metra dërgoi një goditje të rrezikshme, por portieri Hennessey me mund të madh e dëboi në korrne.

Në minutën e 56-të, James Vardy nga afërsia tundi portën e Uellsit dhe barazoi rezultatin 1:1. Bale provon me kokë, por gjuajti shumë dobët dhe larg portës angleze në minutën e 75-të. Kur pritej ndeshja të përfundoi pa fitues, në skenë doli Daniel Sturridge i cili brenda 16-shit në një tollovie gjuajti bukur dhe shënoi golin e triumfit të madh, 2:1.

Anglia-Uellsi 2:1
Stadiumi “Félix Bollaert”, Lens.
Shikues: 35000.
Gjyqtar: Dr. Felix Brych (Gjermania).
Shënues: Vardy (56’), Sturridge (90+2’) – Bale (42’).
Kartonat e verdhë: Davies.
Anglia: Hart, Walker, Smalling, Cahill, Rose, Dier, Rooney, Alli, Lallana (Rashford 73’), Kane (Vardy 46’) dhe Sterling (Sturridge 46’).
Uellsi: Hennessey, Chester, Ashley Williams, Davies, Gunter, Allen, Ledley (Edwards 67’), Ramsey, Taylor, Bale dhe Robson-Kanu (Williams 71’) .

SHKARKO APP