Anila Bisha kërkon 1 milion euro për imazhin e Diellës. Rakipi: Edhe “Diellën” e paskan vjedhur këta?!
Aktorja Anila Bisha ka paditur AKSHIN dhe Këshillin e Ministrave, pasi pretendon se imazhi i saj për ministren virtuale Diella, është përdorur pa autorizim. Bisha kërkon dëmshpërblim në shumën një milion euro.
Gjatë emisionit “Të Paekspozuarit”, gazetarët kanë folur për pretendimet e aktores dhe kanë dhënë opinionin e tyre për çështjen.
Biseda në studio:
Ylli Rakipi: Aktorja Anila Bisha, ka paditur qeverinë dhe kërkon që imazhi i saj të mos përdoret më për ministren Diella. Ajo pretendon se marrëveshja që ka firmosur ka qenë deri në fund të vitit 2025 dhe bënte fjalë për asistenten virtuale në e-albania dhe jo për ministren Diella. Zonja Lala, si ka mundësi? Edhe Diellën e paskan vjedhur?!
Klodiana Lala: Nuk di të qesh apo të qaj me këtë rast.
Ferdinand Dervishi: Duhet të respektojnë marrëveshjen dhe kontratën me të.
Ola Xama: Madje dëmtimi i imazhit pas hetimeve të SPAK është më i lartë.
Klodiana Lala: Zonja Bisha ka paditur kompaniën APEL, AKSHIN, Këshillin e Ministrave, u kërkon dëmshpërblim për dëmin nga dëmtimi i imazhit. Kërkon 1 milion euro. Kërkon të ndërpritet dëmi i shkaktuar, duke hequr videot, e me rradhë.
Ideja është këtu, zonja referon që kontrata, ka qenë për të përdorur imazhin për krijimin e avatarit të asistentit virtual të e-albania. Ajo ka konstatuar se janë riprodhuar dhe përdorur të dhëna, që ajo nuk ka dhënë asnjë aprovim. Përshembull thotë, kryeministri e ka shpallur Diellën si ministre shteti për inteligjencën artificiale, pretendon se janë përdorur zëri dhe figura pa marrë miratimin. Përmend kur zoti Rama e ka prezantuar në media, në samite ndërkombëtare, etj. Ajo pretendon se nuk ka dhënë asnjë autorizim. Unë i jap të drejtë, nëse kjo ka ndodhur pa miratimin e saj, por si do ta provojë Anila Bisha se pas Diellës është kjo?
Pano Soko: Anila e ka dhënë autorizimin për tu përdorur si avatar i e-albania.
Ylli Rakipi: Gjithë kjo para e madhe që ka qarkulluar te AKSHI dhe nuk gjetën para të paguajnë Anila Bishën?
Ferdinand Dervishi: Duhet të kishin bërë marrëveshje tjetër.
Pano Soko: Ishalla i fiton lekët, por jo nga lekët tona, t’ja marrë lekët Ramës, sepse ai ka bërë fushatë me atë. Zotëria ka para, le t’ja marrë, ka edhe prona ai.
Ola Xama: Kjo çështje ka kuptim serioz dhe karagjoz. Diella është përdorur për të dyja. Ishte imazhi i qeverisë, që nuk do të vidhej. Mori pikë në piar dhe fushën ndërkombëtare. Por rezultoi në mënyrën më karagjoze, pasi Diella jo vetëm ra si strukturë, pasi nga hetimet e AKSHI doli që e-qeverisja ka rritur korrupsionin, por po përfundon edhe me çështje banale, përplasje civile në gjykatë, ku vetë dhënësja e imazhit kërkon dëmshpërblim dhe thotë nuk më kanë respektuar kontratën.
Klodiana Lala: Nëse ka ndodhur, është skandaloze.
Ylli Rakipi: Po tani çfarë do të ndodhë? A rrezikojmë të humbasim Diellën? Do të paguhet Anila Bisha, apo mund të bëhet imazh tjetër? Pyeta unë njerëz afër qeverisë, thashë si do të bëhet, punë e madhe thanë, i merr Spiropali dy ministri, lek nuk do ajo, kalon direkt ajo…
Klodiana Lala: Nuk është çështje parash, po flasim për gjëra më të rëndësishme se paraja. Kjo avatari, zoti Begaj ka dekretuar një haddisk, një mrrokull, një program, ne diskutojmë tani… Që kur dekreton një President një program…
Ylli Rakipi: Ai nuk e ka problem se ta ç’dekreton tani…
Ferdinand Dervishi: Tani varet nga ecuria e gjyqit. Gjyqi mund të vazhdojë sepse ka dy faza. E para, a ka apo jo faj qeveria në këtë histori dhe e dyta, nëse ka faj qeveria, ajo kërkon një dëm. Ajo thotë një million euro, që më duket e fryrë. Problemi është çfarë bëhet me imazhin e Diellës? Edhe unë mendoj se ishte shpikje për të bërë bujë në botë.
Pano Soko: Halli i Diellës që na mbetet pa surrat
KOHA JONË SONDAZH

