Ankand për një togëz të këpucëve të Mozartit, ja çmimi marramendës
Tokëza e njërës prej këpucëve të Wolfgang Amadeus Mozartit ka dalë ankand për 12,500 euro (14,500 dollarë) në Vjenë, pas dorëzimit të saj nga familja e këpucarit të kompozitorit të famshëm të shekullit XVIII.
Tokëzat e këpucëve janë përdorur si aksesorë në mesin e shekullit XVII deri në shekullin e XVIII.
Tokëzat e këpucëve janë bërë nga një shumëllojshmëri materialesh, duke përfshirë bronzin, çelikun, argjendin ndërsa tokëzat për veshje zyrtare punoheshin me diamante, kuarce ose imitime të gurëve të çmuar.
Çmimi i saj e ka tejkaluar vlerën e parashikuar prej 2,000 deri 4,000 euro që shtëpia e ankandit “Dorotheum” kishte vendosur. “Blerësi ka kërkuar të mbetet anonim”, njoftoi sot një zëdhënëse e “Dorotheum”.
Koleksionisti i panjohur do të ketë mundësinë të shtojë në listën e tij togëzën, një pllakë metalike e gdhendur në një kuti reliktesh të dekoruar, e shoqëruar me një letër autenticiteti e shkruar me dorë.
Në letrën e tij, Marie Buehn shkruan se togëza u trashëgua brez pas brezi, duke filluar me stërgjyshin e saj, Matthias Knoller, mjeshtri i këpucëve në Vjenë, i cili gjithashtu i bënte këpucë kompozitorit të famshëm të shekullit të XVIII-të, Mozartit.
Mozarti kërkonte shërbim nga artizanët e modës së Vjenës jo vetëm për shkak të prirjes së tij për veshje të kushtueshme, por edhe për shkak të stilit të rafinuar gjatë performancave të tij.
“Në pranverën e vitit 1789, ndërsa kompozitori drejtonte një koncert në Dresden në mënyrë që të ruante ritmin ai e përplasi aq fort këmbën saqë theu një nga togëzat e këpucëve”, sipas një biografie të shekullit XIX.