Aplikimet për kredi të butë, fitojnë 1000 qytetarë. Bashkia Tiranë: Ja si do përzgjidhen

Janë mbyllur ditën e djeshme aplikimet për të përfituar nga programi i Bashkisë së Tiranës për subvencionimin e interesave të kredisë, apo siç njihet ndryshe, programi i kredive të buta.

Interesi i qytetarëve të kryeqytetit ka qenë i lartë, ndërkohë që nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali bëri me dije për “Gazeta Shqiptare” se deri në orën 17:00 numëroheshin mbi 2200 aplikime.

“Sportelet e pritjes së qytetarit do të qëndrojnë hapur deri në orën 20:00, në mënyrë që të pranojnë dokumentet e qytetarëve që janë duke pritur në radhë”, shtoi Paskali.

Përzgjedhja

Ashtu sikurse është bërë e ditur më herët, Bashkia e Tiranës do të subvencionojë 1000 kredi, ndërkohë që procesi do të finalizohet me zbardhjen e procesverbalit përkatës, pjesë e të cilit është edhe lista përfundimtare të aplikantëve dhe përfituesve.

Për përcaktimin e familjeve fituese do të përdoret një formulë pikëzimi, të cilën e gjeni bashkëngjitur shkrimit. Sa i takon procedurës që do të ndiqet pas mbylljes së fazës së aplikimeve, Komisioni i Strehimit do t’i vendosë në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale procesverbalin së bashku me listën e përfundimtare të përfituesve.

Njëkohësisht, Komisioni i Strehimit do të hartojë raportin përmbledhës, i cili do t’i paraqitet për miratim kryetarit të bashkisë. Ndërkohë që, mbi bazën e raportit përmbledhës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale do të marrë masa për hartimin e listës përfundimtare të përfituesve dhe projektvendimit për miratimin e saj në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak.

Pas miratimit të listës përfundimtare nga Këshilli Bashkiak, ajo do të bëhet publike (në stendën e buletineve, faqen e internetit të bashkisë dhe vende të tjera publike) si dhe një kopje e saj do t’i dërgohet zyrtarisht bankës së përzgjedhur për vazhdimin e procedurave.

Shpallja e fituesve

Më herët, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare” deklaroi se shpallja e fituesve do të bëhet në fund të muajit qershor, përmes një Vendimi të Këshillit Bashkiak.

SHKARKO APP