Apo kërkohet çkapja e shtetit në emër të kapjes së pushtetit !
Behxhet Sh. Shala
Kapja e shtetit dhe rënia e natalitetit : Partitë opozitare me akronim VAN ( LVV , AAK dhe Nisma ) kanë paralajmëruar protestë paqësore me 18 prill 2015 me kërkesën kryesore të çkapjes së institucioneve të kapura nga shteti duke përmendur Gjykatën Kushtetuese, KEDS –in, dhe RTK-në të cilat, sipas opozitës , jo që janë kapur keq por në fakt ato po dhunohen nga hamëshorët e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në çdo vend normal opozita është korrigjuese e veprimeve të dëmshme të pozitës dhe këto veprime i kundërshton në mënyrë institucionale ( përmes Kuvendit ) apo në mënyrë joinstitucionale përmes demonstratave në rrugë apo mënyrave tjera të kundërshtimit që janë pjesë e një demokracie që zbatohet në të gjitha vendet demokratike. Edhe në Kosovë po thonë se ka demokraci prandaj edhe protestat e paralajmëruara janë të pranueshme nëse i shërbejnë qëllimit për të mirën e qytetarëve. Koalicioni që lindi gjatë ngërçit politik po tregon qëndrueshmëri dhe vendosmëri kanunore pavarësisht dallimeve që i kanë, si në aspektin e formës ( ambalazhimit ) e sidomos në atë përmbajtësor. Nuk e kam të qartë cilat pika programore i bëjnë bashkë LVV me AAK-në dhe Nismën ?! Dhe, në rrethana normale ( kur LVV ishte burimore dhe normale ) kurrë nuk do të bëheshin bashkë me Nismën e sidomos jo bashkë me AAK-në të cilën e patën cilësuar si parti të krimit dhe të haraçit. Në jetën e përditshme kur ngërthehen intereset e ndryshme e këto në politike janë kryesoret , slogani se : “ armiku i armikut tim është miku im “ janë përcaktuese për lidhjet politike dhe personale qofshin edhe më të panatyrshmet dhe më kriminalet të mundshme . Kjo është tipike për beben e lindur në kohën e ngërçit politik fillimisht i quajtur LVAN e tash, pas largimit të atij që e tradhëtoi Krishtin , LDK me Isain ( krishti mysliman ) mbeti vetëm VAN. Nuk e kontestoj faktin se koalicioni PDK- LDK është koalicion i panatyrshëm dhe koalicion i interesit por më tregoni çka është e natyrshme në Kosovë dhe se dikush e ka lënë anash interesin për realizimin e intereseve personale, politike dhe partiake! A ishte i natyrshëm dhe normal cilësimi i Isa Mustafës si profesor dhe akademik Mustafa ( sa ishte pjesë e LVAN-it ) ndërsa si gënjeshtar, mashtrues dhe tradhëtar ( pasi bëri koalicion me PDK-në ) ?! Ishte kohë tepër e shkurtër për një konvertim të mundshëm të Isa Mustafës nga profesori i respektuar në mashtrues , gënjeshtar apo edhe tradhëtar. Por interesi politik e ka këtë mundësi dhe fuqi që me anë të akrobacioneve ta bëjë transformimin e personaliteteve pa u skuqur fare dhe pa ndjerë aspak përgjegjësi morale për këtë. Apo, Ramush Haradinaj cilësohej si mbret i kazionove dhe haraçit pikërisht nga një pjesë e koalicionit të ngërçit politik ndërsa sot , për interese politike ia fshijnë cilësimet sikur që këto ishin bërë në periudhën para lindjes së Krishtit. Ku ka këtu moral, ndershmëri apo parim. Fatmir Limajn e quanin Fatmir Asfalti duke e cituar ish prokurorin Vrejsvik i cili e akuzonte për së paku 80 milionë euro të vjedhura dhe krime lufte për rastin Kleçka . Madje , një pjesë e politikës së ngërçit politik fotografohej para emërtimit të ri të rrugës ku banonte Fatmir Limaj me emrin Johanes Vrejsvik . Këta të pafytyrë e përkrahën Fatmirin gjatë ngërçit , e përkrahin edhe sot ndërsa edhe Fatmiri ndjehet mirë për këto përkrahje që për mua nuk është aspak normale e as morale! Albin Kurtin e quanin Albin suxhuku , Albin anarkisti , Albin revolucionari , Albin Kastro , Albin Çavezi , Albin Kim il Sungu, Albin Cernagori, Albin antiamerikani dhe Albin spiuni i serbëve në kohën kur ky i sulmonte aleatët e ngërçit politik. U harruan këto cilësime tash edhe nga autorët sikur edhe nga vet Albini sepse :” armiku i armikut tim është miku im “. Ku ka këtu moral, ndershmëri dhe parime ?! Raportet e bashkëpunimit dhe të refuzimit në Kosovë ndërtohen kryesisht në baza personale . Urrejtja midis Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit nuk kanë aspak lidhje me mospajtim të koncepteve politike apo , mos të banalizoj për interese kombëtare por ekskluzivisht për shkaqe personale ndërsa opinionit i serviret një paketim tjetër. Gjithashtu edhe raportet Limaj – Thaçi janë personale dhe jo konceptuale të ndërtuara në dyshime për arrestim dhe eliminim sepse deri dje ishin miq të mëdhenj . Edhe Haradinaj është në këtë mes sepse po të përmbushej kërkesa e tij të bëhej kryeministër pas kthimit nga Haga ku rrëshqiti në tapetin e kuq që” për nderë të tij “ e shtroi atëherë kryeministër Hashim Thaçi , as që do të përmendeshin këto akuza për kapje dhe dhunim të shtetit. Këta liderë dhe lideruca nuk durohen fare dhe tërë “ bashkëpunimin “ e tyre e ndërtojnë në bazë të interesit që e kanë apo që mund ta kenë. Prandaj është shumë i pasinqert dhe i pamoralshëm deklarimi i tyre se këtë e bëjnë për çkapje të shtetit apo për interes të qytetarit.
A do ta rrëzojnë këto protesta qeverinë : Ky koalicion qeverisës është koalicion i numrave dhe nuk mund të rrezikohet aspak nga numrat që i ka opozita . Opozita gjithmonë do të mbivotohet në Kuvend dhe nuk ka mekanizëm tjetër veprimi apo demonstrimi se është gjallë përveç protestave të cilat janë e drejtë edhe demokratike , edhe njerëzore për shfaqje të pakënaqësisë . LVV është prijatare e protestave dhe ka një përvojë të gjatë në organizimin e protestave sikur që e ka një strukturë të gjerë dhe të qëndrueshme “ të martirëve partiakë “ që sakrifikohen për subjektin në emër të cilit protestojnë . Sidomos tash kur ka plasaritje të mëdha brenda LVV dhe kur po bëhen përpjekje që LVV të shndërrohet në FER , protestat janë të domosdoshme për këtë subjekt politik që i ka krijuar dy identitete politike . Prandaj edhe do të protestojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre që në rrethanat aktuale nuk ka mundësi të realizohen por vetëm sa do të thellojnë çarjen brenda LVV. Nisma për Kosovën nuk ka kapacitet për organizimin e protestave prandaj është shndërruar në përcjellëse të këtyre proceseve pa pasur mundësi të ndikojnë fare në ndryshimin e drejtimit të tyre .Thjeshtë, janë shërbyes civilë të LVV. AAK ishte parti e fortë sa e kishte Blerim Shalën brenda të cilin Ramushi e konsideronte si Orakullin e Delfit në ndërkohë që Blerimit i interesonte AAK aq sa mua më intereson se ku ka qenë e martuar gjyshja e Leonardo da Vinçit! AAK me shumë probleme brenda është e interesuar të vazhdohet me protesta për shkak të sigurimit të dukshmërisë në skenën politike. Mendoj se as AAK nuk ka kapacitet të organizojë protesta prandaj edhe është bashkuar me LVV. LVV ka pasur mundësi të bëhet opozitë e fuqishme dhe të jetë përcaktuese për ndryshime në Kosovë sikur që edhe Albini ka pasur mundësi të shndërrohet në lider të pakontestueshëm dhe figurë që do ta dominonte skenën politike në Kosovë. Me gjasë, tash nuk do të ndodhë as e para e as e dyta .
Këto protesta më shumë i ndihmojnë pozitës se opozitës. Sidomos pas protestave të fundit që eskaluan pa pasur fare nevojë. Jam i bindur se ata protestues që e përkrahin dhe i besojnë Albinit, nuk i besojnë dhe nuk e përkrahin Ramushin dhe Fatmirin . Fjalori pornografik që e përdorë opozita si kapje dhe dhunim i institucioneve nuk është fare mobilizues aq më parë që edhe opozita po të vinte në pushtet do ta bënte të njëjtën gjë . Në këtë aspekt nuk mungon transparenca. Opozita nuk ka mundësi t’i ndërrojë ministrat e pozitës sikur që nuk ka mundësi të bëjë ndryshime as në Gjykatën Kushtetuese . As pozita dhe as opozita nuk kanë çka të kërkojnë në RTK-ë përveç se kur ftohen si mysafirë . As pozita e as opozita nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në politikën editoriale të RTK-së apo në përzgjedhjen e stafit se kush do të punësohet apo se kush do të largohet nga ky medium publik ndërkaq që këtë e bëjnë edhe të parët edhe të dytët! Opozita ka kërkuar debat parlamentar për peticion kundër shtrenjtimit të rrymës dhe nuk e kam të qartë pse kjo nuk është pranuar nga Kryesia e Kuvendit . Opozita nuk ka mundësi të përfitojë politikisht nga ky debat aq më parë që me heqjen e TVSH prej 8% në mënyrë automatike do të ulet kostoja për energji elektrike siç e ka paralajmëruar kryeministri Mustafa dhe ministri i Financave Avdullah Hoti. Me këto dhe këso protesta pozita do të ndjehet komod dhe nuk ka mundësi të ketë ndryshime siç dëshiron opozita. Opozita është dashur të konsolidohet dhe ta ketë një çasje krejt tjetër të veprimit nëse donë ta shemb qeverinë. Po ta kishte një strategji tjetër opozita, kjo qeveri do të rrëzohej më së largu për 10 muaj. Në mënyrën siç po vepron opozita kjo qeveri do ta ketë mandatin e plotë. Kosova ka shumë nevojë për protesta të natyrës sociale por jo protesta që bëhen për përfitime politike të opozitës e cila pastaj do të sillej si vet pozita. Koalicioni qeverisës më shumë mund të rrezikohet nga vet PDK dhe LDK se nga opozita. Këtu është shansi i opozitës. Nëse opozita i provokon zgjedhjet e parakohshme, ta zëmë për vjeshtën e këtij viti, atëherë do ta kemi një situatë kur LDK dhe PDK do të kishin një rritje të votave ndërsa Nisma do të shkonte në arkiv . AAK do të kacavirrej ta kalonte pragun zgjedhor ndërsa LVV nuk do të rritej aspak. Në skenë do të rikthehej AKR e cila do t’i fitonte së paku 7-8% të elektoratit . Mendoj se opozita në vitin e parë të qeverisjes së koalicionit PDK-LDK është dashur të dëgjohej shumë pak dhe të peshkojë vota në gabimet e pozitës. Kështu , në ngutje për ta marrë pushtetin ka bërë shumë gabime që kanë kontribuar në defaktorizimin e saj . Proceset politike që po ndodhin dhe do të ndodhin në një të afërme të afërt nuk e favorizojnë opozitën prandaj është krijuar koalicioni i numrave . Këtë opozita nuk po e kupton prandaj po e bënë luftën e Don Kishotit kundër mullinjve të erës. Dhe , jam i sigurt se do të ishte shumë më mirë që LVV të organizonte vet protesta se që po e bënë me AAK-në dhe Nismën të cilat janë në rënie të madhe me rrezik edhe të përjashtohen nga loja politike.
Cili do të jetë roli i Gjykatës Speciale : Kjo Gjykatë e imponuar me presion dhe shantazhe ka gjasa ta dëmtojë më së shumti AAK-në dhe Nismën ndërsa nga PDK do t’i largojë disa persona të cilët edhe vet PDK, po të kishte mundësi do t’i largonte. Kah numri i të trajtuarve nga kjo Gjykatë PDK do të prijë bindshëm. Edhe LVV do të ketë 1 apo 2 përfaqësues në këtë Gjykatë Gjykata Speciale do të jetë vazhdim i biznesit politik dhe ekonomik që është bërë në Tribunalin e Hagës ku është blerë dëgjueshmëria politike , dhe ku është përmirësuar kontoja bankare e të akuzuarve, avokatëve por edhe prokurorëve dhe gjykatësve, në këmbim të lirimit nga ndjekja apo lirimit nga vuajtja e dënimit . Kjo është një kurth në të cilin do të mbërthehen disa politikanë aktualisht të fuqishëm dhe të cilët pas një kohe pashmangshëm do të pëprfundojnë atje ku e kanë vendin . Gjykata Speciale nuk e njollosë dhe nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së por e keqja e saj është se do të punojë ekskluzivisht sipas parimit etnik duke ndjekur, gjykuar dhe mbase edhe dënuar vetëm shqiptarë ndërsa ky kriter i përgjegjësisë nuk vlen edhe për serbët apo të tjerët. Në këtë rrafsh e kundërshtoj e jo për shkak se ajo do ta njollosë luftën e pastër dhe mbrojtëse të UÇK-së. Luftë të pastër kurrë nuk ka pasur e as që do të ketë ndërsa lufta çlirimtare dhe mbrojtëse nuk garanton se individë të caktuar dhe të papërgjegjshëm nuk mund të kenë kryer krime. Prandaj nuk është i pranueshëm pohimi se po njolloset lufta e UÇK-së dhe ky arsyetim është puro politik dhe manipulim me të vërtetën.
Shpresoj se kjo protestë do të jetë krejtësisht paqësore ndryshe vetëm sa do ta përkeqësonte kreditin politik të opozitës dhe do të ishin pikë të pameritueshme për pozitën. Shpresoj gjithashtu se pjesa dërrmuese e këtyre politikanëve do të detyrohet të largohet nga skena politike. Për të mirën e Kosovës .
17 prill 2015 Prishtinë