Apo e përdor Bashën, kryeministri Rama, për të sulmuar Ruçin dhe Xhafën?!
Të gjitha mediat po japin lajmin se PD-ja nuk do ta fillojë sulmin politik direkt dhe personalisht ndaj kryeministrit Rama, që ditën e parë të Kuvendit me 9 shtator, por do sulmojë e do të synojë të bllokojë votimin e Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës.
Vendimi në selinë blu pritet të merret gjatë javës kur do të mblidhet dhe grupi parlamentar, ndërsa ende nuk sqarohet në qoftë se nëpërmjet protestës, demokratët do të synojnë të bllokojë seancën e parë parlamentare për konstituimin e Kuvendit. Skenarët e protestës po diskutohen në forumet organizative, ndërsa burime të besueshme theksojnë se po mendohet që ajo të shtrihet brenda dhe jashtë parlamentit me synim për të pamundësuar votimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt, si ministër i Brendshëm. Dhe po mbledhin njërëz për të rrethuar Kuvendin.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar para pak ditëve se Edi Rama konsolidoi dhe riktheu në pushtet elitën komuniste, ndërsa sipas tij, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre duke përmendur, Edi Ramën, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafën, Ditmir Bushatin dhe Sonila Qaton. Skenari i PD-së për bllokimin e seancës së parë parlamentare me datë 9 shtator, gjoja në emër të rikthimit të figurave të komunizmit, ndërkohë që me Ruçin dhe Xhafën kanë bashkëpunuar për disa reforma gjatë këtyre viteve të pas ’90-ës, të krijon një dyshim të madh. Pse nuk bllokojnë miratimin e qeverisë “Rama 2” dhe vetë kryeministrin, i cili, sipas tyre u vodhi dhe u bleu votat me bandat e drogës? A ka më keq dhe më me rrezik një kryeministër që ka përdorur bandat e mafias së drogës për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve apo një “komunist” si Gramoz Ruçi, i cili nuk patur gjë në dorë në drejtim të bandave, të cilat u futën në zgjedhje prej kryeministrit?
Lufta ndaj “komunizmit”, pas 27 viteve rrëzim të komunizmit, është një pretekst për tu bërë aktor dite në politikë, pasi në thelb nuk ndryshon asgjë nga trendi i kryeministrit Rama, i cili i ka të gjitha pushtetet në dorë. Pse nuk thanë asnjë fjalë Lulzim Basha dhe PD për pazarin e 17 majit, sepse atë natë u shitën zgjedhjet nga ana e selisë blu? Pse nuk e deklarojnë se nuk do kenë asnjë bashkëpunim me kryeministrin Rama, sepse ai u ka vjedhur zgjedhjet me blerjen e çdo vote me kanabis, siç ka thënë formalisht PD-ja?
Apo kjo e gjitha është një loje fine e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që duke përdorur kokën e PD-së të bëjnë presion dhe bllokojnë votimin e Ruçit fillimisht si kryetar Kuvendi dhe me pas edhe Fatmir Xhafës si ministër të brendshëm? Pra Edi Rama del burrë i mirë me PS-në dhe elektoratin socialist sepse u thotë se “unë i propozova për këto poste, por PD-ja nuk më la”. Pra i sposton Ruçin dhe Xhafën me shumë dinakëri dhe më pas vendos krejt Rilindjen në çdo pikë të pushtetit.
Lulzim Basha me këtë lojë politike del dhe thotë se “ ja PD-ja bllokoj dy figura të komunizmit”!
Dhe si përfundim, Rama dhe Basha, fërkojnë duart me palosjen e Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës. Të dy dalin të fituar.
A do ta gëllitsë kollaj Ruçi dhe Xhafa këtë skenar dyshe Rama-Basha?! Mbetet të shikojmë seancën e datës 9 shtator.
Me sa duket pazari i 17 majit akoma vazhdon, por tani më i kamufluar. Bëjnë sikur zihen PS-PD, ndërsa në të vertetë duan të “bashkëjetojnë” në flirtim. Pritet që LSI të flasë në Kuvend me 9 shtator dhe të denoncojë këtë aferë politike si dhe çdo pazar të bërë nga Rama-Basha.
A.M.