Apologjia e një sakrifice
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 15:53
Nga Edvin Kukunja
Drejtësia është i vetmi instrument, e vetmja garanci që i mbetet vegjëlisë në sistemet e ekonomisë së tregut, ku interesi i kapitalit, e jo atij njerëzor, është preminent në çdo dinamikë sociale dhe politike.
Ndërthurja e konjukturave ekonomike të ekonomisë së tregut me strukturën e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, gjen ekuilibër veç në ato momente kur drejtësia është me të vërtetë e shurdhët dhe e verbër ndaj kujtdo interesi, përveçse ndaj interesit të drejtësisë e të së drejtës.
Ligji është shkronjë dhe si e tillë, shkronja mbi celulozë, mund të mbetet dhe veç aq po nuk u jetësua në frymë e veprim. Kushtetuta kthehet në strehëzën justifikuese të dështimit të demokracisë, të dështimit në ndërtimin e institucioneve të pavarura e të bilancuara. Pas mburojës të pavarësisë kushtetuese e brenda saj, çdo institucion mund të dhunohet prej logjikës së faktit, që asgjë nuk ka të bëjë me logjikën e normës dhe rregullit, madje dhe e injoron dhunshëm këtë logjikë shpesh e më shpesh, e të shndërrohet në mekanizëm që i shërben klasës apo kastës që e ka pushtuar atë.
Pikërisht, pushtuar! Sepse për këtë flitet kur ne flasim për drejtësinë në vendin tonë.
Imagjinoni një prokuror apo një gjykatës, i cili futet në sistem me çdo mënyrë, ngjitet në karrierë me çdo mënyrë, ai gjykatës ngjizet e ngjiz statu quo-n që, më shumë se vetë institucioni, është vetë në të vërtetë institucioni.
Imagjinoni, e nuk do aspak kallauz, se çfarë frymë mbizotëron në gjykatat tona me gjykatës e prokurorë bajraktarë, që jetojnë mbi mundësitë reale të rrogave dhe shpërblimeve legjitime. Nuk kemi nevojë as për prova sepse provë më të fortë se fakti që kemi çdo ditë përpara syve ndërsa ecim rrugëve të qyteteve tona nuk mund të gjejmë.
E më pas, më pas jemi ne dhe Ibrahim Basha, si dhe viktimat e panumërta e të pafytyrta që ka mbjellur e vazhdon të mbjellë ditën për diell sistemi ynë i drejtësisë. Imagjinoni dëmin ekonomik e provoni të imagjinoni të paimagjinueshmin dëm ndaj së ardhmes që një bylmez me diplomë e togë ngjeshur i bën çdo ditë shoqërisë tonë. Imagjinoni çfarë krimi! Krim që nuk e imagjinojmë dot, as përpara arkivolit të heroit të paqes tonë të përbashkët, Ibrahim Bashës.
Sepse pa drejtësinë e duhur, pa gjykatën e çliruar prej pushtuesve, sepse të tillë janë, sakrificat tona të përditshme, sakrifica jonë e përbashkët për të ndërtuar një bashkëjetesë të paqtë e të mirëqenë, sakrifica e Ibrahimit, shumëzohen me zero.
Është e patolerueshme që kjo kastë të vazhdojë ti bëjë karshillëk logjikës tonë me arrogancën e pushtetit të tyre të paprekshëm falë dhunimit të Kushtetutës si frymë e domosdoshmëri. Është e patolerushme që vetë Kushtetuta të përdoret, duke u dhunuar, në mburojë mbrojtëse për dallaveret e këtyre palaçove që rendin lartë e poshtë në luks të paimagjinueshëm, luks produkt i krimeve që ata kryejnë çdo ditë ndaj nesh, ndaj shoqërisë.