Armand Duka: Lojtarët të shkojnë pa uniformë kuqezi, në xhami e kisha
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka folur pas fitores së ndeshjen me Armeninë, shanset e Kombëtares për kualifikim, si dhe për sjelljen e lojtarëve dhe trajnerit, përpara takimit. Sipas presidentit të FSHF-së, teksa foli tek” Opinion”, liria e besimit duhet të respektohet nga kushdo, por është mirë që të shmanget uniforma e Kombëtares në vizitat në kultet fetare. Presidenti i FSHF-së ka sqaruar edhe keqkuptimin e krijuar me lajmin e rremë për babanë e Mërgim Mavrajt.para ndeshjes disa nga kuqezinjtë janë parë të shkojnë në xhami, por Shqipëria i përket disa besimeve fetare, ndaj edhe Armand Duka u shpreh se nuk ishte normale që të predikohet në xhami me fanellën kuqezi, e cila përfaqëson të gjithë shqiptarë, të të gjitha besimeve fetare:
Në pushim të ndeshjes, a besonit akoma apo i kishit humbur shpresat?
Ndeshja mbaron pas 90 minutave dhe sinqerisht që besoja. Për ne, sidomos minutat e fundit, kanë qenë fatale… Minutat e fundit janë fatale për një ekip që nuk është i përgatitur mirë. Një ekip i mirë-përgatitur, siç ishim ne, e fiton ndeshjen edhe në fund.
Kjo do të thotë që jemi përmirësuar?
Besoj se po! Në çdo ndeshje, Shqipëria nuk hyn më në fushën e lojës si inferiore kundër asnjë kundërshtari, kushdo që të jetë ai.
E besoni realisht kualifikimin?
Të jesh në vendin e dytë, kur dy ekipe shkojnë direkt dhe kur ka mbaruar gjysma e sezonit, do ta quaja idiotësi që të mos mendohet kualifikimi. Katër takimet e mbetura janë shumë të rëndësishëm, ndërkohë që kemi një ndeshje për t’u luajtur në tavolinë. I kemi të gjitha shanset për t’u kualifikuar.
Kush është lojtari që ju pëlqeu më shumë në fushë?
Mbase nuk do të jem shumë objektiv në këtë përgjigje. Duke u nisur nga shumë arsye, mund të them që është Mavraj.
Çfarë ndodhi që ju dhatë lajmin për vdekjen e babait?
Në kohën kur po festonim në tribunë, më thërritën që duhet të shkoja te dhomat e zhveshjes. Teksa po hyja aty, më thanë që na kishte ndodhur një fatkeqësi. Gjithashtu ekipi nuk po festonte, pasi kishin marrë një lajm të rremë. Mavraj po qante dhe ekipi nuk po festonte. Një mik i tij gjerman e kishte dhënë një lajm të tillë.
Ndodhi edhe diçka e ngjashme me Rusinë. Sa shanse kemi që më datë 17 të marrim diçka?
E vërteta është që Shqipërisë i takojnë 3 pikët në tavolinë. Ndeshja Serbi-Shqipëri është identike me Mali i Zi-Rusi, madje në Beograd pati shkelje disiplinore shumë më të rënda sesa kjo përballje. Rusia u rikthye në fushë sepse iu dha urdhër që të rikthehej, ndryshe nga ne.
Përse na takojnë pikët?
Pikërisht për këtë fakt, pasi në asnjë çast nuk u urdhëruam që të dilnim në fushë. Edhe zyrtarët e UEFA-s mbrohen me një shprehje: “Meqë Shqipëria nuk donte që të dilte në fushë, ne nuk e kontrolluam sigurinë për t’u rikthyer në fushën e lojës”. Gjithashtu, dua të shtoj edhe një dëshmi të arbitrit, i cili ka thënë: “E kam ndërprerë ndeshjen për sigurinë e jetës së lojtarëve shqiptarë”.
Jeni optimist?
Përderisa kemi shpenzuar gjithçka, kohën e financat për t’i shkuar deri në fund, e kemi bërë se kemi besim dhe të drejtë. Nëse do të na e japin apo jo, është tjetër gjë.
Ku do të luhet ndeshja me Serbinë, në Elbasan apo në Shkodër?
Ka një projekt për ndërtimin e stadiumit të Shkodrës, i cili besoj se brenda javës do të marrë lejen në KRRT-në e Republikës (e mori sot). Shanset për t’u përfunduar janë.
Ndaj Serbisë nuk ka futboll, pasi nuk kanë lidhje pikët…
Absolutisht që ne do të kemi një ndeshje futbolli. Nuk mund ta shohim ndryshe, veçse si një ndeshje futbolli. Gjithashtu nuk duhet që ta përgatisim ndryshe, veçse si një ndeshje futbolli. Nuk duhet të bëjmë atë që bënë serbët, por të tregojmë që jemi shqiptarë dhe jemi mikpritës. Duhet ta tregojmë në sytë e të gjithë botës që jemi të qetë dhe për të treguar që jemi qytetarë.
A lejohet të shkosh në xhami dhe në kishë me uniformë?
Të gjithë janë të lirë që të kenë besimin e tyre dhe duhet ta respektojmë vendimin e gjithsecilit. Nuk më duket normale që, përpara një ndeshjeje, të shkosh në formë skuadre në një institucion fetar. Respektoj çdo besim fetar, por do të ishte më normale me veshje civile.
A do të pranonit kompromisin që të fitonim me Serbinë pa menduar për 3 ndeshjet e tjera?
Jo! Dua që të shkojmë në Francë.
Kosova?
Vitin e ardhshëm do të pranohet. Besoj se në Kongresin e ardhshëm të UEFA-s do të votohet që të jetë me të drejta të plota. Për të qenë në shortin e Botërorit në Rusi është e vështirë, pasi ai hidhet në korrik. Në rastin më të mirë, Kosova do të luajë në 2020, ndaj nuk ka shanse që të na largohen lojtarët aktualë.