Armët me postë nga Rinasi drejt Londrës, në kërkim britaniku që “vizitoi” Shijakun
Gjatë hetimeve që po zhvillohen për të zbuluar porositësit e 13 kilogramëve armatim, Krimet e Rënda dhe Antiterrori i kërkojnë ndihmë autoriteteve britanike për të marrë informacion mbi një shtetas të huaj, i cili rezulton të ketë vizituar Shqipërinë për 3 ditë.
Burimet i thanë Top Channel se shtetasi britanik ka zhvilluar takime në Shijak në shoqërinë e një femre. Vizita e tij ka zgjatur nga data 20 deri më 23 gusht, ndërkohë që më pas shpjegohet se është larguar përmes aeroportit të Rinasit.
Hetuesit po verifikojnë kamerat e sigurisë të aeroportit, thuhet më tej në rrugë jozyrtare, për të siguruar të dhëna shtesë mbi këtë të dyshuar e për t’ia përcjellë më tej autoriteteve britanike.
Burimet shtojnë për Top Channel se paraprakisht rezulton se emrat e pritësve të pjesëve të armëve, kryesisht të tipit Kallashnikov, janë të dhëna false.
Si pritës në tre pakot e postuara nga Durrësi rezultojnë shtetasi bitanik Lauron Lee, që jeton në qytetin Uetford, si dhe Lauren Coules e Jake Marchant, që jetojnë në Bedford.
Emrat e të treve janë shënuar në secilën nga pakot, ndërkohë që dërguesit janë tre të moshuar që nuk kishin dijeni për çfarë kishte ndodhur.
Por burimet pohojnë se dërguesi kryesor në Shqipëri është i kërkuari Neritan Faria, i cili ka përdorur Saimir Çullhajn për të dorëzuar pakot me armë në kompaninë ndërkombëtare.
Por ndonëse 32-vjeçari ka treguar emrin e bashkëpunëtorit, ai mohon të ketë patur dijeni për përmbajtjen e tre pakove të mbushura me armatim. Pjesëtarë të grupit hetimor dyshojnë se Çullhaj nuk po thotë të vërtetën dhe se është i implikuar në trafik.
Pakot me pajisje armatimi u zbuluan gjatë një kontrolli në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që dosja po hetohet nga Krimet e Rënda përsa kohë vepra e trafikut të armëve është kompetencë e kësaj prokurorie.tch