Arresti me burg ka zëvendësuar shërbimin e detyruar ushtarak!

Pamflet

Arresti me burg ka zëvendësuar shërbimin e detyruar ushtarak!

nga Edmond Kaceli

Të ndjekësh lajmet kohëve dhe orëve të fundit, që vijnë me bollëk nga Shqipëria të bën përshtypje numri i madh i të proceduarve penalisht ku masa e sigurisë, për pjesën më të madhe të tyre, është arrest me burg!

Nëse iu referohesh lajmeve të 24 orëve të fundit, psh, janë arrestuar të paktën 40 persona për krime nga më të ndryshmet, e nga më të larmishmet!

Larmia e arrestimeve është e habitshme!

Arrestime për mospagim energjie, për shkelje të rregullores së qarkullimit (pa asnjë pasojë) për vrasjen e vjehrrës, për vrasjen e burrit,  për sherr në mes dy shokëve në pije e sipër, për fyerje të policit (ndoshta polici ishte i dehur), për ndërtim nevojtoreje pa leje, për faktin se ishe kamionist i një shoqëri transporti që transportonte banane, e që vazhdon ti transportojë, për abuzim me tokat, për shpërdorim detyre… për ngjarjet në Siri!

Për çdo gjë që Lideri Suprem sheh ëndërr dhe e parashikon si krim, mund të ndiqesh penalisht, dhe turra e prokurorëve, që të sheh si viktimën e radhës prej së cilës mund të përfitojë, të hedh si një thes me kërtolla(patate) në dyer të gjykatës!

Kjo e fundit, e ndodhur përballë një presioni të jashtëzakonshëm politik, e frikësuar nga politika, (ashtu nga mëkatet e veta) dhe pa baza të shëndosha ligjore, është gati të presë atë letrën me vlerë (kështu e quajnë të arrestuarit vlerësimin e masës së arrestit) që të lë në burg për një kohë të pasaktësuar, në pritje të një gjyqi të paragjykuar, e që dreqi e di se si, e kur do të përfundojë!

Vetëm një komb i sëmurë psikologjikisht si i yni, me një qeveri të sëmurë moralisht, politikisht dhe psikologjikisht, si kjo e jona, sheh burgun si zgjidhjen e vetme dhe efikase kundër korrupsionit, që për fatin tonë të madh, na ka rreshtuar në 20 vendet më të kualifikuara, në gjithë botën!

Për hir të Dreqit, edhe unë besoj se dikush, se shumëkush, e ka bërë hak burgun!

Por duke ndjekë parimin themelor të çdo shteti të së drejtës në botën e qytetëruar, (përjashtohet Shqipëria nga ky qytetërim) çdokush është i pafajshëm deri në provimin e fajësisë, kjo masa e arresit me burg për çdo gjë, më duket jashtë mase, krejt jashtë mase, e pajustifikueshme! Përndryshe humbet vlerën dhe qëllimin e vërtetë!

Në fakt në Shqipëri arresti me burg më duket se ka zëvendësuar shërbimin e detyruar ushtarak!

Gjykata dhe pokuroria më duken si komisioni i dikurshëm i ish -Degës Ushtarake që rreshtonte rekrutët paraushtarakë, të qethur, të rruar, të larë, e të zhveshur lakuriq. Mjeku ushtarak kalonte me thupër në dorë dhe i bënte të kolliteshin. Më pas dëgjoje fjalën: I aftë! -e komisioni shkruante letrën: Arrest ushtarak!

Imagjinoni historinë e atij budallës nga Lezha që u paraqit në komisionin e Degës Ushtarake të rrethit! Historia tregon:

Kryetari i Degës: Zhvishu!

Budalla: Y rrotë se asht marre! (Turp)

Kryetari (Bërtet): Kujt i thua rrotë!

Budalla: Më fal or rrotë!

Kryetari: Përjashtaaaa!

Budalla: Mirë o rrotë!

(Në kuadrin e zëvendësimeve, krahasimeve, vrasjeve, shpërdorimeve, vlerave, korruptimeve, drogërimeve, dhe arrestimeve mos t’iu shkojë ndërment të krahasoni Kryetarin Qeverisë me Kryetarin e Degës Ushtarake, dhe të arrestuarin me atë djalin e padjallëzuar të fshatit Zejmen që e shpallën të paaftë ushtarakisht dhe vdiq si qerraxhi i nderuar kooperative!)

SHKARKO APP