Arroganca!

Nga Kopi Kyçyku/Arroganca është një element shkatërrues dhe jashtë sistemit të vlerave, njëlloj si falsiteti, padrejtësia, pabarazia, hipokrizia. Si difekt kryesor i çdo drejtuesi, arroganca është një veçori tejet e rrezikshme jo vetëm në politikë, por edhe në veprimtarinë menaxheriale. Kur një drejtues vendos „me kokë të vet”, pa përfillur mendimet e vartësve, shpeshherë përbën rrezik të madh jo vetëm për sektorin përkatës, por edhe për zhvillimin e shoqërisë në tërësi. Duke përdorur manipulimin, drejtues arrogantë të të gjitha sferave dhe niveleve, bëhen edhe agresivë duke këmbëngulur që vartësit t’ua zbatojnë pa e ngritur zërin urdhërat e papërligjura. Mbivlerësimi i vetvetes, besimi i tepruar në aftësitë për të komanduar, mungesa e tolerancës, kapadaillëku, papërgjegjshmëria, vënia në plan të parë e interesave vetjake, – të gjitha këto mund të çojnë në pafrytshmëri, në falimentim, në dështime të një partie politike, por edhe financiare të firmës apo ndërmarrjes përkatëse. Nga ana tjetër, grumbullimi i të hollave në rrugë jotransparente ndikon që arroganti i korruptuar, politikan apo afarist, të bëhet gjithnjë e më i padurueshëm. Ndërkaq, njerëzit e ndershëm, modestë, të përgjegjshëm, bëhen jo rrallë viktima të trysnisë që ushtrohet mbi ta nga arroganca. Kjo bie në sy në mënyrë të veçantë në radhët e drejtuesve në vendet e pazhvilluara e të varfra të Evropës Lindore e Juglindore, të Afrikës e të Amerikës Latine.

Sa më e zhvilluar të jetë një shoqëri, aq më qartë faktori njeri e shfaq veten natyrshëm e pa pengesa, përmes cilësish pozitive. Drejtues të tillë nuk janë arrogantë dhe, si rregull, mendojnë gjithnjë për të mirën e njerëzve. Vendet me vlera dhe tradita të tilla, ku njeriu këqyret si burimi përparësor në zhvillimin e shoqërisë, promovojnë me sukses vlerat kulturore, morale dhe shpirtërore të individit, të pasqyruara përmes talentit, meritave, kompetencës, motivimit, përpjekjeve. Pozita sociale e faktorit njeri, e realizuar në varësi të meritave, talentit dhe dijeve, është investim i arritur përmes një procesi transparence të plotë dhe konkurrence (gare) ndërmjet të mirëve dhe me të mirëve. Gjithçka mbështetet në parimin që një funksion drejtues fitohet si rrjedhojë e përpjekjeve të investuara me përgjegjshmëri dhe prestigj social. Funksioni drejtues nuk fitohet kurrsesi përmes trashëgimit apo formash të tjera jotransparente, që kanë në themel arrogancën, lakminë, paaftësinë. Vendet e zhvilluara të Perëndimit, përmes pozitës sociale, nivelit kulturor dhe të jetesës, kanë dëshmuar se cila është vlera e vërtetë dhe roli i faktorit njeri në ecurinë e shoqërisë. Tabloja reale e zhvillimit të këtyre vendeve funksionon sipas kriterit të barazisë e të respektit të ndërsjellë midis individit dhe shoqërisë, duke u udhëhequr nga një qëllim i përbashkët: „për ta bërë sa më të ndershme dhe sa më të pëlqyeshme jetën e çdo qytetari”.

Sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë njeriu bëhet i izoluar dhe i papërfillshëm në shoqërinë ku jeton. Në vende të tilla pozita sociale e individit jo rrallë është mishërim i dukurisë së diskriminimit, i nënshtrohet pabarazisë, degradimit dhe zhvlerësimit. Në këto rrethana qytetari detyrohet të ndërmarrë veprime të pavullnetshme, kontradiktore, jo transparente, vetëm e vetëm për të mbijetuar. Kësisoj ze fill mungesa e korrektësisë, pandershmëria, hipokrizia, shformimi i karakterit. Një shoqëri, në të cilën roli i faktorit njeri del jashtë sistemit të vlerave, do të ballafaqohet vazhdimisht me mangësitë dhe çpërputhjet e veta, me shpërpjestimet ndërmjet veprimeve dhe fakteve, me mungesën e harmonisë midis aftësive dhe të mirave të karakterit, që përcaktohen nga zhvillimi i mjedisit social. Një shoqëri që pranon metodat që shkaktojnë pabarazi dhe e mbajnë në nivel kulturor të ulët, më në fund do të përballet me dështime duke vazhduar të figurojë në listën e vendeve të pazhvilluara ose me zhvillim të dobët, me patologji kronike në procesin evolues të sjelljes e të intelektit njerëzor.

Pikënisja nga fjala tek veprat dhe anasjelltas, është mjeti kryesor i ndryshimeve. Ndryshimi i pasuar nga veprime dhe fakte me rrjedhoja pozitive përbën elementin prëparësor që mund të rimodelojë imazhin e një subjekti, imazhin e faktorit njeri dhe të vetë shoqërisë. Filozofi anglez Tomas Hobs ka pohuar se njeriu është vazhdimisht i shqetësuar për jetën dhe interesat vetjake (Hobs, Për njeriun dhe shoqërinë:http://www.buybooks.ro/despre-om-societate-all/despre-om-societate-all.html ). Kjo në të vërtetë është një veçanti e qenies njerëzore, por krahas egoizmit vetjak, njeriu, si pjesë përbërëse e shoqërisë, duhet të tregojë dhe përgjegjshmëri e solidaritet, çka do të ndikojë në formimin e karakterit dhe afirmimin e personalitetit të tij në gjirin e bashkësisë së interesave. Ndjesia që i nxit njerëzit të ndihmohen ndërsjelltas është një aspekt domethënës në përparimin e shoqërisë, në kontekstin e ndërtimit të një raporti të drejtë mes të drejtave dhe detyrave të secilit. Vetëm falë veprimesh të tilla pozitive, me orientim fisnik, ndryshimet mund të jenë të pranishme edhe në shoqëri ku, në një periudhë të caktuar kohore, mbretërojnë kaosi, shrregulli, konfuzioni i përgjithshëm, çorganizimi social, indiferentizmi i njerëzve ndaj gjithçkaje që ndodh rretheqark tyre. Mungesa e përputhjes midis realitetit objektiv dhe interesave të bashkësisë çon në mosmarrëveshje mes individit dhe shoqërisë. Filozofi Zhan-Zhak Ruso ka argumentuar se njeriu në një farë mënyre nuk është as i mirë e as i keq për nga natyra e vet, por është pikërisht shoqëria ajo që e prish dhe e korrupton atë:  „sjellja e njeriut është produkt i shoqërisë në të cilën njeriu jeton” ( Zhan-Zhak Ruso, diskurs rreth pabarazisë mes njerëzve:   http://www.citate-celebre-cogito.ro/omul-este-bun-de-la-natura-dar-societatea-este-aceea-care-il-corupe/ ).

Në themel të këtyre argumenteve gjendet shoqëria me metodat e saj të organizimit e të mbrojtjes së njeriut. Nga ana e vet, shteti, organi përfaqësimtar i shoqërisë, është elementi kryesor që ndikon si pozitivisht, ashtu edhe negativisht në formimin dhe sjelljen morale të njeriut.

Njeriu, që të jetojë, ka nevojë për ligjet dhe vendimet transparente të shoqërisë dhe të shtetit, për drejtësi e barazi sociale, që t’i krijojnë besim dhe siguri në jetën e përditshme. Që të veprojë në mënyrë korrekte, njeriu ka nevojë për mbrojtje ligjore. Përmes vlerave morale të individit, që fitohen në punë e sipër, do të ndodhin edhe ndryshimet që do të ndihmojnë për shmangien e të gjitha mangësive. Një shoqëri do të jetë e përkryer vetëm atëhere kur faktori njeri do të jetë i përkryer në veprime, në sjellje dhe në mendime.

SHKARKO APP