Artan Fuga falenderon Bashkinë e Tiranës: Kjo është Republika e Re
Dy ditë më parë, akademiku i njohur Artan Fuga ngriti shqetësimin se në rrugën “Him Kolli” që lidh rrugën e “Kavajës” dhe atë “Myslym Shyri”, pati probleme me ujërat e zeza.
Por, brenda disa orëve, UKT ka ndërhyrë për të zgjidhur problemin. Përgjatë natës, punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës punuan për lokalizimin e defektit dhe nisën punën duke mos kursyer edhe mjetet e rënda. Përmes një postimi në Facebook, Profesor Fuga falenderon në emër edhe të komunitetit të kësaj zone, punonjësit e Bashkisë të cilët u përgjigjën në kohë rekord ndaj shqetësimit të qytetarëve.
“Brenda natës bashkia e Tiranës e vuri gjendjen në kontroll në rrugën “Him Kolli” që lidh rrugën e “Kavajës” dhe atë “Myslym Shyri”. Diagnostikoi defektin, dhe nisi punimet duke mos kursyer edhe mjetet e rënda. Komuniteti falenderon punëtorët gjithashtu, që sakrifikuan gjumin e tyre dhe ndërhynë me profesionalizëm”, shkroi Fuga.
Akademiku i njohur thotë se përmes këtij veprimi, Bashkia e Tiranës tregoi se është e ndjeshme ndaj shqetësimit të qytetarëve të saj.
“Unë ëndërroj një qytet të ri, një republikë të re ku shërbimet dhe zyrat i përgjigjen 24 orë në 24 çdo telefonate qytetare, për ambulancë, për polici, për zjarrfikës, për riparim ashensori. Si mbrëmë që bashkia vuri forcat dhe mjete që brenda natës ujrat e zeza të ndalen në një lagje të rëndësishme të Tiranës. Unë doja të ndalja fekalet për të mbrojtur komshinjtë e mi, por provova edhe nëse ka mundësi dhe ndjeshmëri bashkia për t’u përgjigjur apo fle gjumë. Ajo u përgjigj. Unë nuk jam naiv, por ne qytetarët duhet të arrijmë që të zgjedhurit tanë, nëpunësit që i paguajmë ne, i heqim ne, i rrisim ne, i edukojmë ne, të na përgjigjen në çast. Ky është qyteti, kjo është republika e re, jo shteti i matrapazëve, servilave, dembelëve, turkoshakëve, mashtruesve”, shkruan Fuga.