Artan Fuga: Mos ik Pëllumb Xhufi, vetëm mos gënje!

Placeholder Image

Xhufi: Përgjigjja ime e fundit për Fugën e të tjerët

Nga Artan Fuga/Sot në gazetën “Dita”, që bën punën e vet, dhe unë e mirëkuptoj totalisht si medie, ky burr i urtë dhe i paqmë, sikurse i thotë vetes, meqë këtë përshtypje thotë se ka për veten, përsëri megjithatë vazhdon të gënjejë mbi mua. Duket i është bërë fiksim. Nuk besoj se është ves profesional, është thjesht një fiksim i qendrueshëm.

Mashtron përsëri publikun sikur gjoja unë përpara disa vitesh kam propozuar futjen e mësimit të fesë nëpër shkolla.

Kalon nga një gënjeshtër te tjetra, pas ka braktisur të parën ku sapo tha se unë paskam drejtuar 30 doktorantë !!!

Këtë vetëm gjykata e ndreqka, nëse do të vendos t’a akuzoj për shpifje! Më bëjnë presion miqtë, por po mendohem… Mos i jepem tundimit kaq shpejt. Dhe unë nuk kërkoj 1 lek dëmshpërblim…

Madje supozon në mënyrë konspirative se projekti i qeverisë Rama për këtë problem të edukimit mbi fenë në shkolla vjen i frymëzuar nga unë!!!

Sepse unë paskam zgjatime në këtë qeveri!!! A thua se kam kërkuar të bëhem ndonjëherë ambasador, deputet shëtitës, drejtor, përsëri ambasador…, drejtues partish politike, e kështu me rradhë. Apo se jam antar i Kalsh, Kvta, etj.

Publiku e di pozicionin tim ndaj fesë që e shtrembëron Xhufi. Unë në televizion, përballë gazetares Anisa Ymeri, në tv news 24, shpreha të gjitha rezervat ndaj këtij projekti, për një orë rrjesht, gjithsesi duke qenë mbështetës i asaj që bëhet prej shekujsh në Perëndim : sociologjia, filozofia, historia, antropologjia etj., si shkenca laike sikurse studjojnë familjen, shtetin, kombin, duhet përse jo të studjojnë thellë madje edhe fenë si një dukuri shoqërore dhe kulturore e rëndësishme.

Epo kjo nuk i pëlqen Xhufit.

Ky njeri ngatërron studimin e fesë nga shkencat laike me mësimin e fesë në shkolla.

Cfarë të bëj më shumë për të!!!

Une fejsbukun kam, përse e përçmon, ai ka të gjitha mediat.

Këtu nuk ka më shpresë korrektimi.

Gënjen edhe kur thotë se unë ligjin për arsimin e kam quajtur komunist. Kurrë! Le ta gjejë dhe ta citojë këtë pozicion timin që i krijon kujtesa. Sepse Pëllumbi nuk citon kurrë se ku e çfarë kam thënë, vetëm thotë gjëra pa bazë. Atë ligj e kam quajtur ultraliberal dhe që rrezikon ta politizojë arsimin. Po edhe po ta kisha quajtur të tillë, pra komunist !, çudi karakteriale që Pëllumbi e paska ndjerë për detyrë që në vend ta mbronte ligjin, vendosi të sulmonte personalisht njerëzit që kishin kritika për ligjin, pra mua ? Zell i tepruar!!!

Personalizon debatin publik, Pëllumbi, e ka këtë gabim, gjen rastin edhe të tregojë se ka bërë shkollë “spartane”. Pse lavdërohet??? Ne të tjerët, kemi bërë shkolla nate!

Sa për krushqitë, miqësitë, karierën e tij, këto as i kam zënë në gojë dhe as i shkruaj, madje i respektoj, sepse më mjaftojnë të miat, nuk kuptoj se përse vetëfajësohet, çfarë dreqi ja krijon këtë vetëfajësim, dhe nuk e kam zakon të merrem me jetën dhe historitë personale të kërkujt tjetër, aq më pak të shpif ndaj tyre.

Shtrembëron Pëllumb Xhufi, e ka bërë zakon sa herë i referohet mendimeve të mia, veprimtarive të mia, angazhimeve të mia, që kanë qenë dhe janë zgjedhjet e mia, dhe nuk pres t’i marr dorën Pëllumbit për to.

Ai më ndjek në çdo gjë dhe mirë bën. Puna është të mos më përndjekë.

Një gjë më preku sot te intervista e pëllumb Xhufit : Ai paska vendosur të mbyllet në vetvete dhe të shkruajë librat e tij.

Mos!

Jo Pëllumb, mos u largo nga aktivizimi qytetar e mbyllur në dhomën e fildishtë të studjuesit. Edhe ti edhe unë humbasim shumë kohë duke u marrë me probleme qytetare, në dëm të kohës dhe nervave tona, edhe duke “kryqëzuar shpatat” sepse debati publik e kërkon këtë gjë. Por, e kemi për detyrë. Kujt do t’ja lemë debatin. Ramiu me shokë, sado të respektuar të kenë qenë për ty, sepse fatkeqësisht unë nuk kam pasur rastin ta njoh e ta lexoj, mosha bën të vetën. Tani prej vitesh në pension Ramiu kërkon përsëri zyrë nga shteti!!! A thua kjo e pengon vallë?

Mos u largo Pëllumb nga debati!

Mua nuk më vjen mirë fare të largohesh ndonëse kemi mendime krejt të kundërta mes nesh. Po kultura kjo është, të durosh tjetrin, si i ndryshëm, të durosh edhe presionin nga mediat që bëjnë punën e tyre, pa t’a bërë syri tërr! Sa anonimë hedhin vrer e shpifin për mua nëpër blogje gazetash ! Punë e madhe fort ! Shëndet është. Ti argumento të tuat, unë të miat. Vazhdoje debatin. As ti nuk e ke të vërtetën absolute, sikurse të duket, kur fyen, përçmon e gënjen për të tjerët, unë jo e jo.

Unë nuk i iki debatit publik për veten time. Këtu më ke edhe ti, edhe të gjithë ata të tjerët që uzurpojnë institucione, bëjnë puçe institucionale si ai që po përgatitet në akademinë e shkencave më 23 majin që po vjen, apo duan t’i trashëgojnë ato si prika.

Ose bëj çfarë të duash fundja !

Vetëm pusho të lutem së gënjyeri mbi mua sepse kam frikë se edhe ty të gënjejnë dhe pastaj ti përsërit sinqerisht gënjeshtra padashje. E mua më harxhon disa minuta në ditë duke sqaruar publikun sikurse e kam detyrë. Thjesht sepse ndoshta nuk verifikon yshtjet. Supozim e kam. Sepse, pavarësisht, gabimeve konceptuale në formim që konstatoj te ti, të njoh në përvojat e mia, për djalë përgjithësisht të drejtë, ndonëse pak i ndjeshëm në inat, në ato shumë pak raste të këtyre dekadave kur jemi shkëmbyer në rastësitë e jetës. Të tjerat le të ndjekin rrjedhën normale. Ohu sa ka parë Shqipëria si ti, si shokët e tu, apo edhe si unë!

SHKARKO APP