Artan Lame zbulon “gjermanin me pllakë”, tmerrin e shqiptarëve

Artan Lame në profilin e tij në Facebook ka publikuar një foto, që ai e quan zbulim. Sipas Lames në foton e cila mendohet se i përket vitit 1943 janë 4 ushtarë, dy gjermanë dhe dy shqiptarë. Lame shpjegon se dy ushtarët gjermanë mbajnë në gjoks një shenjë dalluese të tyre që ngjallte tmerr ngado. Lame thotë se “nga një plak në Korçë kam dëgjuar që këta, në të folmen e popullit quheshin “gjerman me pllakë”. Dhe plaku ende sot ulte zërin kur i përmendte”.

Shpjegimi i Artan Lames për ushtarët në foto:

“S’ka gjë më të rrallë se fotot e trupave ushtarake gjermane gjatë pushtimit 1943-44. Mortje e vërtetë siç ishin, s’linin asgjë prapa, as edhe imazhe. Prej tyre mbetej veç tmerri që mbillnin, korrektësia teutonike, disiplin prusiane dhe… asgjë tjetër. Ndaj, sa herë gjej një foto të tyre të bërë nëpër Shqipëri, e konsideroj zbulim. Në këtë foto të bërë në Tiranë me sfond kolonadën e xhamisë së Ethem beut, shfaqet një grup i përzjerë, dy ushtarakë gjermanë dhe dy shqiptarë. I pari dhe i treti janë ushtarë gjermanë të FELDGENDARMERIE (xhandarmërisë fushore), ndërsa i dyti dhe i katërti janë dy xhandarë shqiptarë. Gjermanët mbajnë në gjoks të famshmen shenjë dalluese të tyre (që ngjallte tmerr ngado).

Nga një plak në Korçë kam dëgjuar që këta, në të folmen e popullit quheshin “gjerman me pllakë”. Dhe plaku ende sot ulte zërin kur i përmendte. Shqiptarët janë njëri nëntoger i xhandarmërisë ndërsa tjetri xhandar i thjeshtë i armatosur me pushkë italiane M.91/38. Italianët, nisur nga fakti që gjithë shqiptarët dinin italisht, patrullonin të pashoqëruar, ndërsa me gjermanët puna ishte ndryshe.

Ata patrullonin si rregull të shoqëruar nga xhandarë shqiptarë, që shërbenin edhe si përkthyes. Megjithëse fraza e akullt “Halt, papieren!” s’kish shumë nevojë për pëkthyes. Nga uniforma verore, kuptohet”.

lame 1

SHKARKO APP