Ashtu si Bini, edhe ju nuk keni të drejtë, mister Advokaat
Nga Skifter Këlliçi
(Boston, SHBA)
Pas një deklarate skandaloze të-ish trajnerit holandez të Serbisë, Dik Advokaat, rreth ndeshjes Serbi-Shqipëri më 15 tetor 2014 në Beograd. Disa ditë pas ndeshjes së mësipërme, që siç dihet u ndërpre për shkak të qëndrimit vandal të tifozëve dhe policisë serbe, edhe unë, krahas shumë kolegëve të gazetarë pata shkruar në faqet e kësaj gazete essenë “Jo, mister Bin, nuk keni të drejtë!”. Më duhet t’u kujtoj lexuesve se Herri Bini, (Herry Been), është personalitet i njohur dhe me ndikim të madh në forumet e larta të UEFA-s. Pikërisht për këtë arsye ai u zgjodh si i deleguar i saj në ndeshjen Serbi-Shqipëri, të zhvilluar më 15 tetor 2015 në stadiumin “Partizani” të Beogradit, që konsderohej nga drejtuesit e UEFA-s se do të ishte e nxehtë. Por kurrsesi ashtu siç ndodhi. Më duhet të rikujtoj gjithashtu se pa kaluar as dy orë pas ndërprerjes së kësaj ndeshjeje, në gazetën ruse “Sport Ekspres” Bini dha shpejt e shpejt një deklaratë që më pas u përcoll edhe nga agjenci dhe gazeta të tjera në të cilën, ndërmjet të tjerash, theksonte: “Shprehim keqardhje për situatën që u krijua. Unë,gjyqtari dhe përgjegjës i Sigurimit, përfshimë gjithçka që ndodhi në protokoll. Ngjarjet që ndodhën penguan vazhdimin e ndeshjes. Ju patë bukur gjithçka. Unë nuk mund të fajësoj ndonjë për ato që ndodhën. Në një të ardhme të afërt do t’u paraqes një raport kolegëve të mi në UEFA dhe ata do të vendosin çdo të bëhet më tutje”.
“Ju patë bukur gjithçka që ndodhi,” nënvizon Bini me gjakftohtësi nordike. Por se çfarë pamë, ai nuk ne shpjegoi. Me sa u duk Bini mbajti këtë qëndrim edhe për një arsye tjetër që u ka shpëtuar edhe sot e kësaj dite gazetarëve. Se trajneri i përfaqësueses serbe ishte si vetë Bini… holandez dhe se ky ishte Dik Advokaati, figurë e njohur e futbollit me tradita të Vendeve të Ulëta. Nga një ish-futbollist mesfushor pa shkëlqim, ai arriti të bëhej zëvendës trajner i Holandës më 1992-94, pastaj trajner i saj më 2002-04, trajner i Koresë së Jugut, më 2005-06, i Rusisë më 2010-12 , pa mundur ta nxjerrë në fazën finale të Euro ’12-s, dhe së fundi trajner i Serbisë. Dhe habitërisht me një rrogë modeste vjetore prej 300 mijë eurosh në vit ,me një fjalë thuajse aq sa e ka rrogën javore K.Ronaldo i ‘’Realit’’ të Madridit. Por, siç thoshte vetë Advokaati, e bëri këtë, sepse e pëlqen futbollin serb me tradita, dhe këtu nuk gabon, duke harruar me sa duket tifozët eksentrikë, deri në atë pikë sa të mos vinte në dukje bëmat e tyre barbare të paktën në ndeshjen Serbi- Shqipëri të 15 tetorit 2014.
Kështu shpjegohet dhe fakti që Bini në raportin e tij nuk vuri në dukje se para dhe gjatë ndeshjes tifozë ultranacionalistë serbë u çorrën me thirrje histerike dhe e sharje, ndër të cilat:”Vritini shqiptarët!” Nuk shpjegoi se mbi 3000 policët brenda dhe rreth stadiumit për të ruajtur rendin, nuk ndërhynë. Dihet se këto thirrje histerike vazhduan edhe gjatë zhvillimit të ndeshjes. Edhe me djegien e flamurëve shqiptarë, deri sa në minuta e 42-të mbi stadium u lëshua një flamur i telekomanduar që paraqiste Shqipërinë Etnike, me portrete e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, që dalëngadalë ra në fushë… Që të mos zgjatem, Bini paraqiti raportin e tij e tij tendencioz që ndikoi te UEFA dhe te filoserbi francez Platini që e drejton atë, për të marrë vendimin që tashmë është i njohur botërisht , duke fajësuar skuadrën tonë që nuk u kthye në fushë, dhe mbrojti kështu skuadrën e drejtuar nga bashkatdhetari tij Advokaat. Ajo që më bëri atëherë përshtypje, jo vetëm mua, por edhe disa kolegëve të mi gazetarë sportivë ishte se Advokaati pas ndeshjes nuk dha asnjë deklaratë publike. Thua se nuk pa se i pari që kërceu dhe e rrëmbeu flamurin fluturues ishte futbollisti serb Mitroviç dhe, siç treguan pamjet, me qëllim që ta shqyente dhe se kur në mbrojtje të tij u vu futbollisti ynë Xhaka , nisi dhe përleshja e shkaktuar nga futbollistët serbë.
As që vihet në dyshim se po të ndërhynin trajnerët, masazhistët, punëtorët e mirëmbajtjes në stadium, këto përleshje edhe mund të të mos vazhdonin. Por ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Dhe në kundërshtim flagrant me rregullat jo më të UEFA-s, por edhe të rregullores së çdo vendi në botë, në fushë zbritën të egërsuar në kulm tifozë serbë. Madje zbriti edhe Ivani Bogdnovi, apo “Ivani i Tmerrshëm”, siç e quajnë me krenari serbët, pikërisht ai që në tetor të vitit 2010 u dënua me tre vjet burgim nga vetë organet gjyqësore serbe pas trazirave në ndeshjen e zhvilluar në Gjenovë midis Italisë dhe Serbisë. Pikërisht ai që në prill të vitit të kaluar u lirua me kusht që të mos përsëriste këto veprime vandale, dhe si pasojë nuk duhej të lejohej kurrsesi të futej jo më në fushë,por as të shkelte në shkallët e stadiumit. Dhe serbes, i pasuar nga të tjerë… Të tërë gatshme të viheshin krahas plot e plot tifozëve të shkalluar serbë që edhe ata serbes hynë në fushë. Por ndryshe nga Ivani i Tmerrshëm, që gjoja tundte duart në ajër, që të vendosej paqja në fushë, ata përdorën kundër futbollistëve tanë jo vetëm sokëllimat fyese ndaj tyre dhe shqiptarëve, jo vetëm fushqetat që flakërinin në shkallët e stadiumit, por grushtet e mjete të tjera goditëse, midis të cilave edhe karrige. E çuditshme, në sy të policsë shtatlartë serbë, të armatosur me skafandra e shkopinj,veç armëve të zjarrit! Kështu futbollistët tanë u detyruan të lenë fushën e lojës, madje duke ruajtur kokën me duar nga mjete të tjera goditëse që fluturonin drejt tyre. Nëse i deleguari I UEFA-s deklaroi “Ju patë bukur së ç’ndodhi “ dhe, për tepër shtoi: “Unë nuk mund të fajësoj njeri për ato që ndodhën…”,bashkatdhetari i tij, trajneri i serbëve, holandezi Advokaat, nuk duhej të bëzante. Nuk u mor vesh atëherë se ai miratoi aktet barbare të tifozëve serbë, të përkrahur edhe nga opinioni në kor i politikanëve të lartë të Serbisë, që në vend që t’i dënonin veprimet e përçudnura në stadiumin “Partizani” të Beogradit, fajësuan tifozët shqiptarë, kur asnjë prej tyre nuk ndodhej i pranishëm në stadium… Pra, për të gjitha këto që ndodhën në stadiumin “Partizani “ të Beogradit Advokaati deri kohët e fundit heshti. Me fjalë të tjera, miratoi Platininë që pa pikën e turpit u shpreh botërisht: “Ç’do të ndodhte sikur ky dron që fluturoi mbi stadium, në vend të flamurit të kishte bartur një bombë?” E thënë ndryshe, ai mbrojti ato që nënkuptonte presidenti i UEFA-s me këtë deklaratë abdurde se: “Serbët nuk do ta kishin hedhur kurrsesi këtë bombë,sepse bashkë me futbollistë të gjakut të tyre do të vritnin bashkatdhetarë në shkallët e stadiumit. Kështu nuk mbetet të pohojnë se, lavdi zotit, që shqiptarëve nuk u qenka mbushur mendja që të bënin këtë krim, sepse ata janë .. vrasës dhe jo serbët e mirë…”.
Mirëpo nëse për arsye që i di vetëm ai, Advokaati pra heshti kaq gjatë, nuk dimë se ç’e shtyu që përsëri këto ditë në gazetën ruse “Sport Ekspers’’ të zbulonte ato që kishte ndryrë prej kaq kohësh ne vetvete, ose i kishte shprehur me gjuhë diplomatike si Bini. “Më vjen shumë keq,- u tha ai gazetarëve rusë, – që UEFA na ndëshkoi aq rëndë pas ndeshjes me Shqipërinë, ku fajtorë ishin vetëm shqiptarët që nuk dolën në fushë”. Po bëj një parantezë. Këtë të enjte, para ndeshjes Roma-Fejenord për Kupën UEFA, tifozë holandezë nga Roterdami vërshuan në Piaca di Spanja në Romë , i vlerësuar nga më të bukurit në botë, duke dëmtuar rëndë pjesë të shatërvanit që hijeshon atë. Nisur nga qëndrimi që mban ndaj futbollistëve tanë, gjatë ndeshjes së mësipërme, Advokaati nuk duhet të justifikojë veprimet vandale të bashkatdhetarëve të tij, por duhet të fajësojë policinë italiane që ndërhyri menjëherë që të ndalonte vërshimin e huliganëve të dehur nga atdheu i tij, që këto veprime të mos merrnin përpjesëtime edhe më të mëdha. Edhe shtypi sportiv rus, me aq sa kam mundur ta ndjek, në një mënyrë a tjetër, duke komentuar pasojat e ndeshjes Serbi-Shqipëri, pohoi se faji për ndërprerjen e ndeshjes ishte i futbollistëve shqiptarë.
Veç të tjerash, Avokaati në intervistën e tij shprehu dëshirën që një ditë të bëhej trajner i ndonjë ekipi rus. Jo pa arsye. Pasi Serbia e drejtuar prej tij më 15 nëntor 2014 humbi 1-3 takimin me Danimarkën, duke humbur thuajse edhe çdo shpresë kualifikimi për finalet e Euro 16-tës, ai u detyrua të japë dorëheqjen nga drejtimi i përfaqësues serbe dhe tashmë i papunë pret ndonjë ofertë nga ndonjë klub i ish-vendit të sovjetëve. Dhe u bën qejfin rusëve që janë dhe mbetën vëllezër gjaku me serbët, të cilët i kanë mbrojtur dhe i mbrojnë historikisht, sidomos gjatë masakrave të bandave kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë së pafajshme kosovare, dhe vazhdojnë të mos njohin pavarësinë e Kosovës, të cilën e quajnë pjesë të Serbisë.