Askush nuk e pranon Vaterlonë

 

Nga Rudolf Marku

Ca ditë më parë, kur një gazetar parisien i dërgoi një shkresë Ministrisë së Jashtme të Francës duke pyetur se kush do merrte pjesë në ceremoninë e 200-vjetorit të Betejës së Vaterlosë (18 Qershor), ai mori zyrtarisht një përgjigje jo të zakontë – 200-vjetori i Vaterlosë? Kur është?

Përgjigjja e Ministrisë së Jashtme franceze është një vazhdim i mohimit 200-vjeçar francez të humbjes së Napoleon Bonapartit në Vaterlo. Nuk është ndonjë çudi dhe as e papritur, po të kemi parasysh se historiani francez i shekullit XIX, Jules Michelet pat deklaruar: Lufta e Luftërave, Beteja e Betejave është Anglia kundër Francës. Të gjitha të tjerat janë episode! Ironikisht, vetë Napoleoni pat thënë se Historia është një serial gënjeshtrash me të cilat të gjithë ne biem dakord!

Kryeministri francez i viteve 2005-2007, Dominique de Villepin, autor i shumë librave rreth Napoleonit, e quan Vaterlonë ‘një disfatë që shkëlqen me aurorën e Fitores’. Me këtë thënie ai ka parasysh se në Vaterlo, Napoleonit iu desh të përballej me ushtritë britanike, prusiane, ruse dhe austriake, po të përmendim ushtritë kundërshtare më kryesoret, dhe se Napoleoni ishte një Hero tragjik i epokës së vet, i cili gjithsesi në Vaterlo arriti të korrte – përmes disfatës – një fitore morale! Viktor Hugo besonte se Gjenerali Cambronne, njëri ndër njerëzit më të shquar të luftërave bonapartike, pat thënë se ushtarët e tij dinë si të vdesin, por nuk dinë se si të dorëzohen…

Kur britanikët i thonë të dorëzohet, gjenerali Cambronne u përgjigjet- Merde! –‘vetëtima vdekjeprurëse e një fjale të tillë mund të llogaritet si Fitore– na siguron me seriozitet Viktor Hugo! Mund të vazhdonin gjatë me Vaterlonë (historiani Andrew Roberts është duke prezantuar këto ditë në televizionet angleze një dokumentar të mrekullueshëm rreth Napoleon Bonapartit, figurën e të cilit ai e sheh me simpati dhe admirim të dukshëm, shumë më tepër se vetë francezët e sotëm)- por dashje pa dashje, tek shoh dokumentarët e historianit Roberts për figurën e ridimensionuar të Napoleonit, të bërë nga një britanik,nga një kundërshtar i Napoleonit, nuk mund të mos mendoj për Vaterlotë e Politikës shqiptare të ditës! Dhe për Napoleonët e kësaj politike, të cilët janë të shumtë, me mijëra dhe mijëra në tokën shqiptare. Stendali e pat parashikuar klonimin butaforik të Napoleonit, te shkruante që herët: “E admiroj gjeninë e Napoleonit. Po kush duron kapterët e ushtrisë dhe nëntogerët, të cilët më vonë do të pozojnë si Napoleonër”. Dhe figura e Napoleonit është e pandashme me Vaterlonë. Jo me atë të humbjes. Me atë të Fitores…

Çdo gjë është për politikanët tanë Betejë. Vaterlo! Zgjedhjet për një kryetar katundi janë betejë; zgjedhja për të parin e Mamurrasit dhe për të parin e Babrrusë dhe për të dytin e Kasharit dhe për të tretin e Kaçinarit dhe sidomos për të katërtin e Brrakës dhe për të pestin e Trushit-të gjitha janë beteja, janë Vaterlo. Merre me mend se në çfarë përmasash janë Fushëbetejat për të marrë dhe fituar Shkodrën, Tiranën, Rrogozhinën, Durrësin, Kavajën, Peqinin! (Është interesant të vësh re se termat që përdoren-ta marrësh Shkodrën, ta fitosh Kasharin, të tërhiqesh nga Kavaja; ta pushtosh zemrën e Domosdovës dhe të triumfosh elektoratin e Fushë Kuqes-janë të gjitha terminologji të manualeve ushtarake). Nuk kanë faj: është Lufta për të marrë ato vende që u sigurojnë vazhdimësinë e vjedhjeve, të ryshfeteve, të milionave në dorë dhe nën dorë dhe mbi dorë…

"Mapo"

Sepse Napoleonët e politikës shqiptare janë Gjeneralë, Strategjistë, Fitimtarë, Takticienë. Dhe sidomos triumfalistë! Fitimtarë! Dhe po të ishin me gjithë mend sa një e milionta e Napoleonit, dhe po ta kishin me gjithë mend Fushëbetejën e Politikës, kanë plot beteja për të bërë! Sidomos po të donin të shihnin varfërinë e njerëzve përreth. Hallet e të tjerëve. Atë që po ndodh në gjeopolitikën përreth nesh! Por Napoleonëve të Politikës sonë u pëlqen Beteja e kollajshme e vjedhjeve në mesin e ditës dhe në mesin e natës, e shoqëruar me duartrokitje dhe mburrosje televizive! U pëlqejnë asolloj betejash ku janë të sigurt që nuk kanë marrin asnjë plagë, dhe as një gërvishtje të vetme. Përkundrazi, duke qenë të sigurt që plagët t’ua japin bujarisht të tjerëve! Sepse në politikën shqiptare nuk ka të humbur. Gjeneralët Cambronne të politikës shqiptare në 200-vjetorin e Vaterlosë dinë si të vdesin, por jo si të humbasin a të dorëzohen. Dhe ne që i shohim në skenë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të themi-Merde! Dhe nuk kemi se si të mos jemi në një mendje me Viktor Hugo-në se shkëlqimi i kësaj fjale është një aureolë në kokat e politikanëve tanë!

SHKARKO APP