Ata të tre, ne dhe zgjedhjet

Nga Afrim Krasniqi

Kryetarët e partive kryesore Rama, Meta, Basha si dhe disa kryetarë të tjerë të partive të vogla aleate ishin pjesë të së njëjtës tryezë për të diskutuar nevojat për reformën e re zgjedhore, e 11-ta në 25 vitet e fundit. Nuk pati takim formal midis tyre, as kortezi me dhënie dore dhe në përshëndetje nominale. Sipas traditës shqiptare të debatit, secili erdhi, tha fjalën e tij dhe u largua. Gjithsesi bashkimi i tyre në temën mbi zgjedhjet është lajm pozitiv. Ata e kanë zakon të mblidhen njëherë në 4-5 vjet, gjithnjë pranë një diplomati të lartë në krah, por sipas traditës, pas takimit, cikli problematik i zgjedhjeve vijon të përsëritet.

Nëse harrojmë për një moment se cilët janë kryetarët e tri partive politike, cilat janë raportet e tyre me zgjedhjet se çfarë përvojash e modelesh kanë ofruar brenda partive të tyre dhe më pas edhe për votuesit pro apo kundër, – fjala e tyre ishte ajo e duhura. Ata folën shkurt dhe qartë, -kritikuan ashpër shkeljet zgjedhore, korrupsionin zgjedhor, shitblerjen e votës, administrimin partiak të zgjedhjeve, hyrjen e biznesit në politikë, reklamat elektorale, etj. Pra, në thelb ata kritikuan gjithçka që vetë ata kanë krijuar me mostrën zgjedhore në Shqipëri. Zakonisht kritika të tilla i gjejmë me shumicë në media, në raportet e ODIHR, në deklarata diplomatësh, dhe në të shumtën e rasteve ato kanë kaluar pa lënë gjurmë në axhendën politike të tri partive kryesore. Secili prej tyre e di, nga kutia e votimit varet pushteti, forca, karriera personale dhe partiake, dominimi, – dhe ndaj secili prej tyre ka motivuar në vite modele të kundërta nga ato që u dëgjuan në tryezën e fundit.

Në politikë cilido ka të drejtë të ndryshojë mendimet e sjelljet, sidomos kur bëhen në drejtimin pozitiv, ndaj deklarimet e tyre mund të shihen si ndryshim mentaliteti, sjellje dhe projekti mbi zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri. Për ta bërë të besueshme këtë vlerësim të lartë, deklarimeve u mungonte vetëm një “detaj” me rëndësi: ata nuk përmenden fjalët “ndjesë”, nuk pranuan përgjegjësi, nuk pranuan asnjë gabim dhe folën mbi masakrën zgjedhore si për diçka që ndodh jashtë botës së tyre, madje edhe jashtë oborrit politik të partive të tyre. Në interpretimin “live” përpara medias e trupit diplomatik ata ishin të gatshëm të pranonin se diçka periferike ka shkruar gabim në zgjedhjet 2001, 2013 dhe 2015, – por fajin e lanë pa autor, pasojën pa emër dhe vetveten jashtë tyre. Kjo sjellje me dy standarde, me të drejtë krijon dyshime mbi seriozitetin e deklarimeve dhe rezultateve të reflektimit të tyre praktik.

Kur bëhet fjalë për zgjedhjet disa prej pyetjeve më të thjeshta që mund të bëhen  janë:

-Kush është organi vendimmarrës për zgjedhjen e sistemit zgjedhor me lista të mbyllura? Qytetarët? Jo. Sistemi u zgjodh nga dy politikanë në një mesnatë prilli 2008 kur ata bashkë me sistemin ndryshuan edhe kushtetutën e Shqipërisë.

-Kush është organi që emëron komisionerët zgjedhorë? Qytetarët? Jo. Prej 2002 komisionerët janë produkt konsensual dypartiak, madje nga pjesa më militante partiake, emërohen prej partive, ushqehen e trajnohen prej tyre dhe në varësi nga rezultati që sjellin nga kutia e votimit, emërohen e promovohen në poste drejtuese shtetërore e publike.

-Kush mban përgjegjësi për futjen e krimit në parlament dhe në jetën politike? Qytetarët? Jo. Të inkriminuarit nuk janë votuar, ata janë emëruar në lista proporcionale dhe në vende fituese të sigurta; janë promovuar nominalisht nga liderit kryesorë politikë, janë pasuruar falë njohjeve të duhura politike dhe janë imunizuar nga dosjet kriminale falë imunitetit politik dhe avokatisë publike që iu bëjnë vetë kryetarët e partive.

-Kush mban përgjegjësi për shitblerjen e votës dhe mandateve drejtuese? Qytetarët? Jo sepse qytetarët as nuk zgjedhin dhe as nuk kanë mundësi të përzgjedhin apo administrojnë votën. Gjithçka varej nga partitë, nga shtabet politike militante, nga urdhrat që vijnë prej paradhomës së shefave politikë, pra nga vetë nivelet drejtuese të partive kryesore politike. Edhe kalkulimet elektorale, ku duhet blerë e shitur, nuk bëhen nga qytetarët, por nga selitë e partive, madje nga lidershipi i lartë i tyre.

-Kush ka përgjegjësi për shkallën e lartë të informalitetit të partive politike, për partitë e fushatat e luksit në vendin e dytë më të varfër në Europë? Qytetarët? Jo. Lista e donatorëve ka të njëjtën hierarki me listën deputetëve dhe emërimeve të zyrtarëve të lartë, me listat e tenderëve dhe privatizimeve të mëdha. Financuarit paguajnë për karrierën e tyre politike ose shtimin e pasurisë, – një qark i mbyllur, brenda, të cilit qytetarët janë thjesht numra.

-Kush ka përgjegjësi për rënien e dukshme të besimit tek demokracia përfaqësuese dhe funksionale? Qytetarët. Jo. Ata nuk kanë mekanizëm praktik për tu përfaqësuar më mirë apo për të ndryshuar gjendjen. Ata nuk pyeten, kurse vetë partive janë shndërruar në truste biznesi dhe politike, ku vendimet imponohen nga shefat e trustit, dhe ku interesat e fitimit nuk lënë vend për ide të mëdha reformash apo moraliteti politik.

-Kush mban përgjegjësi për mbylljen e partive politike dhe për natyrën klienteliste të tyre në raport me shtetin e shoqërinë? Qytetarët? Jo. Partitë nuk respektojnë më rregulla demokratike brenda tyre, nuk bëjnë zgjedhje, nuk numërojnë votat, nuk njohin pakicat kritike brenda tyre, nuk pranojnë sistemin e meritës në promovim, bëjnë marrëveshje klienteliste për ndarje të të mirave të pushtetit dhe kështu, ushqejnë veç apo së bashku një sistem oligarkie, ku qytetarët janë viktimat ideale.

Këto e shumë pyetje të tjera nuk lënë vend për nivelin e përgjegjësisë ndaj gjendjes kritike ku ndodhemi, për nivelin e lartë të zhgënjimit qytetar, si dhe për retorikën moraliste që përcollën kryetarët e partive, – njëherësh, përfaqësuesit tipikë të oligarkisë në Shqipëri. Ata erdhën, folën, ikën dhe me siguri, do bëjnë atë që kanë ditur të bëjnë më mirë, – do mendojnë për zgjedhje racionale të reformës zgjedhore, të atilla që sistemi përfaqësues të mbetet në kontrollin e tyre, për sa më pak qytetar në vendimmarrje dhe sa më shumë pushtet për tre qytetarët e rotacionit në qeverisje. Përballë kësaj gjendjeje, premtimi për lista të hapura konkurruese, ai për transparencë financiare të partive, për kufizimin e reklamave elektorale, për depolitizimin e strukturës zgjedhore, apo largimin e të inkriminuarve, – janë e mbeten aq seriozë sa edhe premtimi i vitit 2008 se me këtë sistem politik e zgjedhor Shqipëria do bëhej si Spanja apo sa ngjashmëria midis luksit në veshje e vilat luksoze të kryetarëve të partive me jetën nën minimumin jetik të rreth 20% të qytetarëve shqiptarë. Ata më shumë erdhën për t’i folur njëri tjetrit sesa publikut, më shumë kishin menduar për batutat dhe akuzat e nënkuptuara sesa për rrugëzgjidhjet dhe draftet e zgjidhjes konkrete. Kështu, ata erdhën, folën, ikën dhe me siguri, – para, gjatë dhe pas takimit, të vetmen gjë që mendonin është sesi të mund të ndikojnë në ligj apo akte politike për të fituar me çdo kusht zgjedhjet e radhës! (Ikub.al)

SHKARKO APP