Atëherë kur niste ‘Sindroma e Stokholmit’

Gjithçka nisi mëngjesin e 23 gushtit të vitit 1973.

Në orën dhjetë, një person i armatosur u fut në bankën Svenska në Stokholm, qëlloi në ajër dhe bërtiti: “Festa ka nisur”.

Dy policë u futën në bankë, ai qëlloi në drejtim të tyre duke plagosur njërin prej tyre.

Më pas ai la të lirë 56 persona, duke mbajtur peng tre gra dhe një burrë, punonjës të bankës.

Suedia kishte njohur pengmarrje edhe më parë, por kjo ishte ndryshe, jo vetëm sepse po transmetohej thuajse live.

Personi i armatosur është Jan-Erik Olsson, 32 vjeç, i liruar nga burgu prej pak kohësh.

Ai kërkonte 3 milionë korona dhe lirimin e Clark Olofsson, shokut të qelisë.

Të nesërmen, në bankë u soll Clark Olofsson.

Tani Olsson kërkonte një makinë të shpejtë për t’u arratisur.

Pasdite ra telefoni i kryeministrit Olof Palme.

Këtë herë po fliste një nga pengjet, Kristin Enmark.

“Palme, më ke zhgënjyer shumë. Gjithë jetën time kam qenë socialdemokrate dhe tani ti po luan me jetën tonë. Na lër të ikim. Nuk kam frikë nga këta burra. Ata po na mbrojnë”.

Gazetat dhe televizionet e përhapën bisedën dhe nisën të pyesin: “Çfarë nuk shkon me këtë grua që është dashuruar me pengmarrësin e saj?”

Në këtë rast dukej se kundërshtari i pengjeve ishte policia e Stokholmit.

Ata kishin bërë kaq shumë gabime taktike, sa të gjithë në bankë ishin vendosur nën presion të fortë.

Ditën e tretë gjërat nisën të bëhen më të vështira.

Policia hapi një vrimë në dhomën e thesarit dhe kërcënoi se do të hidhte gaz.

Prej aty bëri foton e famshme që e gjeni në fotogaleri.

Më 28 gusht, gazi u përdor dhe të dy pengmarrësit u dorëzuan.

Kur policia hyri në dhomën e thesarit, Kristin Enmark bërtiti: “Mos u bëni gjë, nuk na kanë bërë asgjë”.

Jashtë, përpara kamerave, ajo i thirri Olofsson-it: “Do të shihemi sërish”.

Asnjë peng nuk u plagos, drama kishte përfunduar.

Psikologu i policisë së Stokholmit, Nils Bejerot shpiku termin: Sindroma e Stokholmit për të shpjeguar rastet kur viktimat dashurohen me pengmarrësit.

Më vonë janë shënuar të tjera raste të tilla të Sindromës së Stokholmit, edhe pse termi është akoma kontrovers.

Kristin Enmark merret akoma sot me këtë temë.

“Edhe pse kanë kaluar 43 vite, sërish nuk e kam kapërcyer. Jo për faktin se u mbajta peng, por për shkak se sindroma e Stokholmit ka lënë mbi mua një vulë kaq të fortë, sa nuk e kupton vërtetë çfarë ka ndodhur”.

SHKARKO APP