Atentati në Shkodër, shefi i policisë: Nuk ka akoma autor
Vijojnë hetimet lidhur me atentatin me eksploziv të 13 janarit në qytetin e Shkodrës ku mbetën të plagosur 8 persona mes tyre është plagosur rëndë dhe Lulzim Kulla.
Shefi i komisariatit Shkoder Hamdi Shullani deklaroi për gazetarët se është bërë kqyrja e kamerave të sigurisë në laboratorin e kriminalistikës Tiranë por “nuk ka ende asnjë detaj mbi autorin që vendosi motoçikletën ne hyrje te godinës dy katëshe, e cila kishte edhe tritolin. Për ngjarjen po vijojmë hetimet, jemi në bashkëpunim me prokurorinë e përgjithshme.”
Pistat ku po heton policia
Rreth 20 persona janë shoqëruar në polici, por autorët nuk kanë arritur që të identifikohen. As pamjet nga kamerat e sigurisë nuk kanë zbuluar asgjë për efektivët.
Ngjarja mund të cilësohet edhe si një akt terrorist duke qenë se janë 8 persona të plagosur mes të cilëve 3 në gjendje të rëndë. Shitësit përballë vendit ku ndodhi shpërthimi tregojnë momentet e tmerrit ndërsa thonë se qytetarët nuk janë aspak të sigurt në Shqipëri.
Sipas burimeve hetimet për atentatin ndaj Lulzim Kullës lidhen me të kaluarën e tij duke qenë se është përfshirë në disa ngjarje. Një pistë tjetër sipas burimeve mund të jetë influencë për biznese në Shkodër. Grupi i hetimit e ka të vështirë ta zbardh ngjarjen për shkak se ka qenë e mirëmenduar dhe i realizuar nga profesionistë në një mënyrë të sofistikuar.